Italia synon të zgjerojë në nivel evropian modelin e qendrave të emigrantëve të ngritura në Shqipëri, duke propozuar krijimin e qendrave të dëbimit në vende të treta të sigurta, ku do të dërgohen shtetasit e huaj që hyjnë në mënyrë të paligjshme në territorin e BE-së, shkruan Euronews.
Propozimi, i bërë i ditur nga mediat kryesore italiane dhe i konfirmuar nga zyrtarë të qeverisë, do të paraqitet nga ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, në Këshillin e Jashtëzakonshëm të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të mbledhur të martën.
Takimi u thirr pas krizës së emigracionit në Ceuta, enklavën spanjolle në territorin e Marokut, ku gjatë ditëve të fundit rreth 70 mijë emigrantë hynë me forcë në këtë territor autonom spanjoll.
Mes vendeve që po shqyrtohen për të pritur këto qendra janë disa shtete afrikane, ku Uganda përmendet si një nga opsionet më konkrete. Megjithatë, ende mbetet e hapur çështja e financimit të projektit.
“Duhet të ndërtojmë një strategji të përbashkët për emigracionin. Qeveria italiane, së bashku me qeverinë socialdemokrate të Danimarkës, kërkoi këtë takim në mënyrë që Pakti për Migracionin dhe Azilin të zbatohet në BE. Me fjalë të tjera, të aktivizohen kthimet”, deklaroi ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani për mediat vendase përpara takimit.
Tajani përmendi gjithashtu mundësinë e krijimit të “qendrave të reja sipas modelit të Shqipërisë në vende të ndryshme afrikane” dhe, në përgjithësi, në vendet e origjinës dhe tranzitit të emigrantëve.
Italia akuzon Spanjën për “manipulim ideologjik”
Kriza në Ceuta ka krijuar një tjetër përplasje mes Italisë dhe Spanjës për mënyrën e menaxhimit të emigracionit.
Tajani mbrojti politikën e qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni, duke e cilësuar atë “rigoroze dhe të moderuar”, ndërsa kritikoi strategjinë e qeverisë spanjolle të drejtuar nga Pedro Sánchez, të cilën e akuzoi për një qasje tepër tolerante ndaj emigracionit.
“Qasja e Madridit është në kundërshtim me atë italiane, të cilën pothuajse të gjitha vendet e tjera e mbështesin”, tha diplomati italian.
“Politika e ‘të gjithë ejani në Evropë’ është e gabuar, sepse Evropa nuk është në gjendje të pranojë të gjithë pa dallim. Është një shenjë e mirë që Komisioni Evropian ka mbështetur qëndrimin e Italisë dhe jo atë të Spanjës”, shtoi Tajani.
Ministri i Jashtëm italian akuzoi qeverinë spanjolle për “manipulim ideologjik” të çështjes së emigracionit, duke deklaruar se plani i bashkëpunimit mund të sjellë “politika të nevojshme”, larg “sloganeve dhe premtimeve të rreme”.
Çfarë propozon Italia?
Qëllimi i qeverisë italiane është krijimi i një rrjeti qendrash jashtë Bashkimit Evropian, të dedikuara për menaxhimin dhe kthimin e emigrantëve të parregullt, në bashkëpunim me vendet e origjinës dhe tranzitit.
Ideja u hodh fillimisht nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni në fund të qershorit, pas miratimit të rregullores së re të BE-së për kthimet. Tashmë Roma synon ta formalizojë planin dhe t’ua paraqesë atë 26 vendeve të tjera anëtare.
Sipas propozimit italian, këto qendra të reja do të financohen nga Bashkimi Evropian.
Në listën fillestare të vendeve potenciale përfshihen disa shtete afrikane dhe vende jashtë rrugëve tradicionale të emigracionit, si Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Etiopia, Uzbekistani, Armenia dhe Mali i Zi.
Uganda konsiderohet ndër opsionet më konkrete. Sipas raportimeve, Gjermania, Austria dhe Holanda kanë shprehur tashmë interes për projekte të mundshme në këtë vend.
Edhe Mali i Zi mund të përfshihet në strategjinë evropiane, megjithëse diskutimet janë ende në fazat fillestare.
Një nga çështjet kryesore që duhet zgjidhur është financimi i planit, përfshirë kontributet si nga BE-ja, ashtu edhe nga vetë shtetet anëtare.
Programi GSP+
Roma do të kërkojë gjithashtu një zbatim më të rreptë të programit të Përgjithshëm të Preferencave (GSP+), i cili u miratua në fillim të këtij viti dhe pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Ky mekanizëm lidh përfitimet tregtare dhe uljet tarifore për vendet në zhvillim me bashkëpunimin e tyre për ripranimin e shtetasve të tyre që përpiqen të hyjnë ose të qëndrojnë ilegalisht në Evropë.
Qëllimi është forcimi i mjeteve për lehtësimin dhe mbështetjen e kthimeve të emigrantëve dhe azilkërkuesve, si dhe rritja e bashkëpunimit me vendet e origjinës.
Ndërkohë, qeveria italiane synon që deri në fund të vitit të bëjë plotësisht funksionale qendrën italiane në Gjadër të Shqipërisë.
Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi tha se objektivi është “rikthimi i saj në kapacitetin e plotë deri në fund të vitit, ose edhe më herët, nëse zgjidhen problemet dhe çështjet gjyqësore”.
Qendra në Gjadër pritet ose të rifillojë funksionin fillestar, ose të përdoret në përputhje me rregullat e reja të BE-së, pasi të përfjnë procedurat ligjore.
Plani fillestar parashikonte përdorim shumë më të gjerë të qendrave shqiptare, me një kapacitet deri në 3 mijë persona në muaj dhe rreth 36 mijë emigrantë në vit.
Synimi ishte që aty të zhvilloheshin procedura të përshpejtuara për shqyrtimin e kërkesave për azil. Megjithatë, që prej prillit të vitit të kaluar, qendra ka funksionuar vetëm si një strukturë paraburgimi për kthimet.
Deri tani, vetëm disa qindra persona kanë kaluar nëpër të, ndërsa numri i kthimeve ka mbetur i kufizuar.
Kompleksi në Gjadër përbëhet nga tre struktura me funksione të ndryshme. Qendra më e madhe, e destinuar për azilkërkuesit, ka 880 vende. Aty ndodhet gjithashtu një qendër italiane për mbajtjen e personave që do të riatdhesohen (CPR) me kapacitet 144 persona dhe një strukturë e vogël paraburgimi për 20 persona.
Në portin e Shëngjinit është ndërtuar një pikë fillestare pritjeje, ku do të akomodoheshin emigrantët e kapur në Mesdheun Qendror dhe të transferuar me anije të marinës italiane.
Megjithatë, urdhrat për ndalimin e emigrantëve të nxjerra në këtë strukturë nuk janë konfirmuar nga gjykatësit, duke ngadalësuar zbatimin e projektit. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

