Lajme Zone
Nga Shqipëria drejt Turqisë, sekuestrohen 324 kg kanabis në Selanik, arrestohen dy persona
Të tjeraJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Nga Shqipëria drejt Turqisë, sekuestrohen 324 kg kanabis në Selanik, arrestohen dy persona

Autoritetet greke kanë goditur një grup të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kanabisit, duke sekuestruar 324.47 kilogramë lëndë narkotike në Selanik.

Autoritetet greke kanë goditur një grup të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kanabisit, duke sekuestruar 324.47 kilogramë lëndë narkotike në Selanik.

Operacioni është zhvilluar më 14 gusht, nga strukturat e luftës kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar në Greqinë e Veriut. Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy shtetas të huaj, 58 dhe 43 vjeç, ndërsa një person i tretë është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve të autoriteteve greke, grupi dyshohet se trafikonte kanabis nga Shqipëria, përmes Greqisë dhe më pas drejt Turqisë.

Lënda narkotike ishte fshehur në hapësira të posaçme brenda ngarkesave me materiale letre për riciklim, të transportuara me kamionë, në mënyrë që droga të mos zbulohej gjatë lëvizjes.

Gjatë kontrollit në një zonë të mbyllur në Selanik, policia gjeti tetë paleta me materiale riciklimi. Brenda katër prej tyre, të vendosura në një automjet gjysmërimorkio, u zbuluan pakot me kanabis, me peshë totale 324 kilogramë e 474 gramë.

Autoritetet greke dyshojnë se personi i shpallur në kërkim kishte rol në koordinimin e aktivitetit kriminal në Greqi, duke siguruar ambientet ku droga ruhej përkohësisht dhe duke organizuar transportin drejt Turqisë.

Ndërsa 58-vjeçari dyshohet se ishte i përfshirë në transportin dhe fshehjen e lëndës narkotike, 43-vjeçari dyshohet se siguronte kanabisin nga Shqipëria dhe e fshihte në ngarkesat e destinuara për riciklim.

Përveç drogës, policia sekuestroi edhe një automjet gjysmërimorkio, dy automjete private, dy telefona celularë, një targë të huaj, 11 valixhe bosh dhe 1,165 euro.

Sipas vlerësimit të autoriteteve greke, vlera e përfitimit të paligjshëm nga trafikimi i kësaj sasie kanabisi do të tejkalonte 700 mijë euro.

Dy personat e arrestuar janë dërguar pranë autoriteteve kompetente, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar në Shqipëri, Greqi dhe Turqi.