Lajme Zone
Nga shpëtimi te parandalimi: Tirana mbledh organizata dhe ekspertë për mirëqenien e kafshëve në Shqipëri
PolitikëEuronews Albania

Nga shpëtimi te parandalimi: Tirana mbledh organizata dhe ekspertë për mirëqenien e kafshëve në Shqipëri

Më 24–25 tetor 2026, në ambientet e Vet Hospital Tirana, do të zhvillohet Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Mirëqenien e Kafshëve në Shqipëri, me temë “Nga shpëtimi te parandalimi: Ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm të mirëqenies së kafshëve në Shqipëri”.

Më 24–25 tetor 2026, në ambientet e Vet Hospital Tirana, do të zhvillohet Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Mirëqenien e Kafshëve në Shqipëri, me temë “Nga shpëtimi te parandalimi: Ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm të mirëqenies së kafshëve në Shqipëri”. Konferenca organizohet nga Animal Rescue Albania, në bashkëpunim me organizata vendase dhe me mbështetjen e Vet Hospital Tirana, Oreo dhe Toni. Ajo do të bëjë bashkë organizata shqiptare dhe ndërkombëtare, përfaqësues institucionesh publike, veterinerë dhe ekspertë për të diskutuar zgjidhje afatgjata ndaj braktisjes, keqtrajtimit dhe numrit të lartë të kafshëve pa pronar. Konferenca do të moderohet nga Sara Turetta, themeluese dhe Presidente e Save the Dogs and Other Animals. Për vite me radhë, përpjekjet për mbrojtjen e kafshëve në Shqipëri janë mbështetur kryesisht te puna e vullnetarëve dhe organizatave: shpëtime individuale, trajtime veterinare, strehim, adoptime dhe fushata sterilizimi. Këto ndërhyrje shpëtojnë jetë, por burimet, mbulimi dhe vazhdimësia e tyre mbeten të pamjaftueshme për të përballuar përmasat e problemit në nivel kombëtar. Për Animal Rescue Albania, pas më shumë se gjashtembëdhjetë vitesh pune në terren, nevoja për ndryshim është e qartë: përkushtimi i vullnetarëve dhe organizatave nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë e shtetit apo të kompensojë pafundësisht mungesën e politikave të koordinuara, financimit të qëndrueshëm dhe zbatimit të ligjit. Konferenca synon ta zhvendosë diskutimin nga menaxhimi i emergjencave drejt parandalimit të shkaqeve që i prodhojnë ato. Temat do të përfshijnë përgjegjësitë e institucioneve dhe bashkive, parandalimin e braktisjes, identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, programet sistematike të sterilizimit dhe vaksinimit, zbatimin e ligjit, transparencën dhe aksesin në shërbime veterinare. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes për shoqërinë civile dhe bashkëpunimit ndërmjet organizatave, institucioneve dhe profesionit veterinar. Përmes shkëmbimit të përvojave shqiptare dhe ndërkombëtare, synohet të identifikohen zgjidhje të zbatueshme për Shqipërinë dhe të formulohen rekomandime konkrete që do të shërbejnë si bazë për dialog të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse. Në qendër të këtij takimi qëndron një pyetje: Çfarë duhet të ndryshojë në Shqipëri që më pak kafshë të përfjnë në rrugë, në vuajtje dhe në nevojë për shpëtim? Për informacion dhe pjesëmarrjen e mediave:Animal Rescue Albania [email protected]