Qytetarë nga Shkodra, Berati dhe Korça janë nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së sotme dhe për të shprehur mbështetjen për studentët që prej ditësh vijojnë revoltën e tyre. Nga Shkodra, deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, deklaroi se pritet një pjesëmarrje e madhe e qytetarëve në protestën si dhe e e cilësoi tubimin si një protestë mbarëkombëtare, duke argumentuar se kërkesat e studentëve lidhen me të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.
Hoti tha se qëllimi është rrëzimi i qeverisë, të cilën e akuzoi se nuk përfaqëson interesat e qytetarëve. “Duhet t’i mbështesim këta studentë, sepse janë fëmijët tanë, të cilët po kërkojnë një jetë më të mirë”, u shpreh deputeti demokrat, duke bërë thirrje: “Të gjithë në Tiranë!”.
Edhe nga qarku i Beratit ka pasur lëvizje drejt kryeqytetit. Demokratët nga Berati, Kuçova, Dimali, Skrapari dhe Poliçani janë nisur me automjete private, në grupe të vogla dhe në orare të ndryshme, që prej mëngjesit të sotëm. Sipas informacioneve të përcjella nga dega lokale e PD-së, disa prej tyre janë nisur që mbrëmjen e djeshme.
Kryetari i PD-së në Berat, Kasion Hasimetaj, tha se kjo mënyrë organizimi lidhet me kontrollet e shumta policore gjatë rrugës. Ai u bëri thirrje qytetarëve që t'i bashkohen protestës, duke theksuar: “Ka ardhur koha të bashkohemi të gjithë për të protestuar”.
Ndërkohë, qindra qytetarë nga qarku juglindor janë nisur gjithashtu drejt Tiranës. Pjesëmarrës nga Korça, Maliqi, Pogradeci, Devolli dhe Erseka pritet t’i bashkohen tubimit të opozitës në mbështetje të studentëve.
Lëvizjet nga disa qarqe të vendit vijnë pas thirrjeve të opozitës për një pjesëmarrje sa më të gjerë në protestën e sotme në Tiranë. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

