Lajme Zone
Nga Saranda drejt Greqisë/ Sekuestrohen 70 kg marijuanë, arrestohet shoferi grek
BotëTop Channel

Nga Saranda drejt Greqisë/ Sekuestrohen 70 kg marijuanë, arrestohet shoferi grek

Një operacion i policisë greke ka çuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge ditën e djeshme.

Një operacion i policisë greke ka çuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge ditën e djeshme. Informacioni për një ngarkesë narkotikësh që do të futej në Greqi ishte siguruar nga antidroga e Patras.

Agjentët e antidrogës kanë ndjekur automjetin e dyshuar teksa hynte në Igumenicë dhe e kanë vëzhguar nga distanca, kur është ngarkuar me drogë në kufirin e gjelbër shqiptaro-grek. Lënda narkotike, që dyshohet se kishte ardhur nga Saranda, ishte transportuar me krahë përmes kufirit të gjelbër dhe ishte futur në territorin grek, me qëllim ngarkimin në automjetin që u pikas nga policia.

Pasi automjeti është ngarkuar, ai është ndaluar nga policia në rrugën “Egnatia”, pranë Tirias, në aksin Igumenicë-Janinë. Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, një shtetas grek, ndërsa ka sekuestruar 63 pako me 70 kg e 80 gramë marijuanë.

Kohët e fundit është vënë re një riaktivizim i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.

Gjatë 14 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar rreth 1.3 ton marijuanë në Igumenicë, Janinë, Kostur, Follorinë dhe Selanik.

Rastet më të shumta janë regjistruar në trafikun nga Saranda drejt Igumenicës, ku pothuajse gjysma e sasisë së kapur në zonat e Greqisë dyshohet se është trafikuar përmes kësaj linje. Madje, në një rast në Igumenicë, është sekuestruar edhe një skaf i ngarkuar me drogë. Top Channel