Në moshën 75-vjeçare, kur shumica e njerëzve gjejnë qetësinë pranë familjes dhe nipërve, Jakup Krasniqi përballet me një vendim që e dënon atë me 25 vite burgim. Për një burrë në këtë moshë, ky nuk është thjesht një dënim me heqje lirie, është një dënim me vdekje në vetmi, larg Kosovës për të cilën shkriu çdo ditë të jetës së tij.
Paradoksi i figurës së Krasniqit qëndron te vetë profili i tij. Ai nuk lindi si ushtarak, por si arsimtar dhe intelektual. Në vitet më të errëta të Kosovës, regjimi gjenocidial i Millosheviçit e futi në qeli sepse lexonte libra shqip, sepse guxonte të fliste dhe sepse doli publikisht kundër sistemit serb. Ironikisht, akuzat e atëhershme serbe ai i quante të "drejta" në absurditetin e tyre, sepse e dinte se përballë kishte një pushtues që donte t'i mbyste.
Sot, dekada më vonë, e njëjta figurë intelektuale që zëvendësoi librin me pushkën vetëm atëherë kur fëmijët po vriteshin në djep dhe gratë po përdhunoheshin masivisht, kur Kosova po farohej përballet përsëri me hekurat e qelisë. Pyetja që peshon mbi këtë vendim është e thjeshtë: si mundet një gjykatë ndërkombëtare, e thirrur për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të dënojë me çerek shekulli burgim njeriun që u ngrit kundër shfarosjes etnike?
Të dënosh me 25 vite burgim një 75-vjeçar do të thotë t'i heqësh mundësinë e fundit për të parë sërish me sy të lirë Kosovën e pavarur, të njëjtën tokë për çlirimin e së cilës ai dha dekada të tëra nga jeta e tij. Ky vendim e shndërron procesin gjyqësor nga një përpjekje për drejtësi në një ndëshkim të pabarabartë që mjegullon kufirin mes viktimës dhe agresorit.

