Pamje nga Protesta / Prej gati dy muajsh, pas orës 19:00, rrugët e Tiranës mbushen me protestues që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës dhe fundin e një sistemi politik që po detyron qindra mijëra të rinj të largohen nga vendi... Që fjala është për një revoltë të lindur nga të rinjtë, e kuptont që në pamjen e parë: pankartat plot humor, ironia, memet dhe gjuha e rrjeteve sociale. Është mënyra e brezit Gen Z dhe Millennial për të sfiduar pushtetin, duke e kthyer atë në objekt talljeje dhe satire.
Është një brez shqiptar që nga një plazh në bregdetin Adriatik e ka zhvendosur përplasjen me qeverinë e Edi Ramës në rrugët e kryeqytetit. Një brez i lodhur nga zgjedhja mes një jete me pak mundësi dhe emigrimit, ndërsa vendi shihet gjithnjë e më shumë si terren negociatash mes institucioneve dhe oligarkive të mëdha.
“Një nga arsyet kryesore që po e mban gjallë protestën, është fakti se në Shqipëri ekziston një ndjesi e fortë e distancës mes qeverisjes dhe qytetarëve”, shpjegon analistja e Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa, Gentiola Madhi.
Sipas saj, shumë qytetarë e perceptojnë pushtetin si një mekanizëm që favorizon grupe të caktuara ekonomike. “Protesta mbahet bashkë edhe nga kjo pakënaqësi e përbashkët”, thotë ajo.
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e qeverisë Rama dhe ndryshimi i ligjit për investimet strategjike, i cili sipas tyre ka krijuar terrenin për projekte të diskutueshme, përfshirë resortin e lidhur me Jared Kushner në ishullin e Sazanit.
Ky ligj, i miratuar në vitin 2015 dhe zgjeruar më pas, u jep investitorëve të huaj lehtësi procedurale dhe përjashtime të veçanta për projekte të konsideruara strategjike, veçanërisht në sektorin e turizmit.
Një sinjal nga Brukseli erdhi përmes komisioneres europiane për zgjerimin, Marta Kos, e cila deklaroi se Rama i kishte premtuar Bashkimit Europian rishikimin e ligjit. Për qeverinë kjo ishte një çështje që kishte kohë që diskutohej, por për protestuesit ishte një rezultat i drejtpërdrejtë i presionit të rrugës.
“Kur Rama foli për mundësinë e ndryshimit të ligjit, kjo u lexua si një fitore e protestës. Të thuash që kjo ishte menduar prej muajsh, është një mënyrë për të thënë se qytetarët nuk ndikuan në këtë vendim”, vëren Madhi.
Nga sheshi te zgjedhjet?
Çdo lëvizje qytetare përballet me të njëjtën pyetje: çfarë ndodh më pas? Në rast se presioni publik do të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, protestuesit kanë edhe një kërkesë tjetër: krijimin e një qeverie teknike për një periudhë njëvjeçare dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Ideja është që partitë e vogla të kenë më shumë mundësi për të hyrë në Parlament, duke sfiduar dominimin e dy forcave tradicionale: Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe Partisë Demokratike. Një prej zërave që kërkon ndryshime më të thella është Lëvizja Bashkë, një forcë politike e majtë dhe socialdemokrate.
“Lëvizja jonë nisi si një lëvizje qytetare në vitin 2011 dhe u shndërrua në parti në vitin 2022”, shpjegon Alfred Bushi. Sipas tij, prioritetet janë taksimi i të pasurve, forcimi i shtetit social dhe mbështetja e sektorëve strategjikë si bujqësia.
“Shqipëria ka një problem të madh. Çmimet po rriten, sidomos nga turizmi, ndërsa pagat dhe pensionet mbeten të pandryshuara”, thekson ai. Pensionet shqiptare janë ndër më të ulëtat në Europë. Pensioni minimal është rreth 100 euro, ndërsa mesatarisht njerëzit marrin rreth 190 euro.
Kriza e banesave dhe Shqipëria e betonit
Kriza nuk prek vetëm të ardhurat, por edhe mundësinë për të pasur një shtëpi. “Çmimet në tregun imobiliar kanë arritur nivele ekstreme”, thotë Madhi. “Në disa zona flitet për rreth 6 mijë euro metri katror. Një apartament familjar prej 80 metrash katrorë mund të kushtojë rreth 480 mijë euro, ndërsa paga mesatare është rreth 500 euro”, shton ajo.
Paradoksi shqiptar është se vendi ka përjetuar një bum ndërtimi, por familjet e zakonshme e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një banesë. Sipas ekspertëve, sektori i ndërtimit është kthyer në një nga pikat më të errëta të ekonomisë shqiptare, me dyshime të forta për përdorim të pasurive të paluajtshme për pastrim parash.
“Ndërtohet, sigurohen financime dhe më pas projekte të caktuara dështojnë pa pasur prodhuar realisht asgjë”, thotë Bushi. Edhe çështja e tokave private është bërë pjesë e debatit. Kritikët pretendojnë se në disa raste prona private janë trajtuar si pasuri strategjike publike për t’u kaluar te investitorë të mëdhenj.
Një shembull i përmendur është një rast ku u bllokua një përpjekje për transferimin e tokave me vlerë rreth 120 milionë euro, ndërsa banorët pretendonin se nuk kishin pasur dijeni.
Sazani, oligarkët dhe zemërimi qytetar
Një nga arsyet pse çështja e Sazanit u kthye në simbol të pakënaqësisë ishte pikërisht mënyra se si ajo u perceptua nga një pjesë e opinionit publik: si një shembull i një modeli zhvillimi, ku interesat e investitorëve të mëdhenj vendosen përpara shqetësimeve të qytetarëve.
Kritikët e qeverisë pretendojnë se shumë projekte të mëdha urbane dhe turistike janë favorizuar nga një sistem ku lidhjet mes politikës, biznesit dhe medias kanë krijuar një përqendrim të madh të pushtetit ekonomik.
“Problemi është se pas shumë prej këtyre projekteve qëndrojnë grupe të fuqishme ekonomike, të cilat shpesh kanë ndikim edhe në hapësirën mediatike”, thotë Gentiola Madhi. Sipas saj, një pjesë e shoqërisë shqiptare ndjen se vendimmarrjet për pronën dhe territorin po merren larg qytetarëve që jetojnë aty.
Një tjetër burim zemërimi është kontrasti mes projekteve madhështore dhe gjendjes së shërbimeve publike. “Rama thotë se po ndërton për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa qytetarët i përgjigjen se në spitale mungojnë ilaçet dhe shumë njerëz mezi përballojnë jetesën”, shpjegon Alfred Bushi.
Pakënaqësia u shtua edhe pas vendimit të qeverisë për të financuar me rreth 4 milionë euro një koncert të Kanye Ëest. Për shumë protestues, ky ishte një simbol i një qeverie që shpenzon për imazhin ndërkombëtar ndërsa problemet sociale mbeten të pazgjidhura. “Është kjo ndjesi që i ka zemëruar njerëzit. Ideja se vendi po u jepet të tjerëve, ndërsa qytetarët shqiptarë ndihen të lënë pas”, thotë Bushi. Por ndoshta elementi më i rëndësishëm i kësaj proteste është diaspora. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit nuk janë më një grup i shkëputur nga zhvillimet në atdhe.
Shumë prej tyre janë kthyer në pjesë aktive të debatit politik dhe një pjesë kanë udhëtuar drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestave. Që nga viti 2021, rreth 130 mijë persona janë larguar nga Shqipëria. Mes tyre nuk ka vetëm punëtorë, por edhe profesionistë, akademikë dhe të rinj të arsimuar.
Është një ikje e trurit që ka krijuar një boshllëk të madh social dhe ekonomik. “Dikur në Shqipëri flitej për emigrantët sikur të ishin një kategori tjetër, njerëz që ishin larguar. Sot flasim për diasporën si pjesë të shoqërisë shqiptare”, thotë Madhi.
Sipas saj, kjo është një shenjë ndryshimi jo vetëm në gjuhë, por edhe në mënyrën se si shqiptarët e shohin marrëdhënien mes vendit dhe atyre që jetojnë jashtë. “Diaspora shqiptare është shteti social i Shqipërisë. Pa paratë që dërgojnë emigrantët, shumë familje nuk do të arrinin të mbijetonin”, thotë Bushi.
Por largimi masiv i të rinjve ngre një pyetje më të madhe: a mund të shndërrohet pakënaqësia e brezit të ri në një lëvizje më të gjerë ballkanike? Edhe në Serbi, të rinjtë kanë dalë në protesta kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiç. A mund të krijohet një frymë e përbashkët rajonale?
Madhi është skeptike: “Në një periudhë afatshkurtër nuk besoj se do të ndodhë. Ka çështje kombëtare ende të pazgjidhura, sidomos sa i përket Kosovës, dhe këto pengojnë krijimin e një lëvizjeje të përbashkët”.
Megjithatë, ajo pranon se ekzistojnë pika takimi: kërkesa për institucione më të drejta, lufta kundër korrupsionit dhe dëshira e të rinjve për një të ardhme më të mirë. Deri tani protesta shqiptare ka mbetur kryesisht paqësore.
Përplasjet e izoluara jashtë stadiumit gjatë ndeshjes Izrael-Shqipëri lidhen më shumë me masat e sigurisë për ekipin izraelit sesa me vetë lëvizjen qytetare. Por në mesin e protestuesve kanë qarkulluar edhe teori të ndryshme rreth Sazanit, përfshirë pretendime
të pakonfirmuara se ishulli mund të ketë një përdorim të ri strategjik ushtarak.
Madhi i kundërshton këto versione: “Nuk besoj se një president si Trump do të kishte nevojë të bënte manovra të fshehta për një bazë ushtarake. Nëse do ta kërkonte, thjesht do ta kërkonte”. Ajo kujton se Sazani ka qenë historikisht një bazë ushtarake dhe se Shqipëria tashmë ka struktura të tjera të rëndësishme, si baza ajrore e Kuçovës.
Një brez që kërkon ndryshim
Protesta të tilla, nuk janë parë në Shqipëri që nga rënia e regjimit komunist. Për vite me radhë, vendi është shfaqur në mediat ndërkombëtare kryesisht përmes krizave, emigracionit apo konflikteve politike. Këtë herë, në qendër është një brez i ri që kërkon të ndryshojë mënyrën se si funksionon shteti.
Është brezi që Rama e ka sulmuar duke i quajtur protestuesit “dembelë” dhe “njerëz që ankohen pa bërë asgjë”. Për kritikët e tij, kjo gjuhë ka thelluar hendekun mes qeverisë dhe një pjese të shoqërisë. “Si mund të mos duket i shkëputur nga realiteti një kryeministër që reagon në këtë mënyrë?”, pyet Bushi.
“Revolucioni i Flamingove” nuk është vetëm një protestë kundër një projekti turistik apo një ligji të caktuar. Është shprehje e një pakënaqësie më të thellë: ndjesisë se një brez i tërë po humbet mundësitë në vendin e vet.
Një valë proteste që nisi nga një plazh me flamingo rozë në Adriatik, dhe që u zhvendos në sheshet e Tiranës, duke e kthyer Shqipërinë në skenën e një përplasjeje mes një pushteti të konsoliduar dhe një brezi që kërkon një tjetër të ardhme./Pamfleti nga “Stati Generali”nga plazhi në sheshe beteja e rinisë kasta e vjetër Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Mbledhja qeverisë dhe grupit të PS, Rama mbërrin te Pallati i Brigadave 24 Korrik 2026, 10:2810:28Politike Mbi 50 ditë protesta, Rama mbledh sot grupin e PS dhe kabinetin; priten ndryshime në qeveri 24 Korrik 2026, 07:4507:45Politike Dashamir Shehi në mbështetje të protestuesve: Ju jeni Evropa në Shqipëri 23 Korrik 2026, 22:3422:34Politike Rama paralajmëron furtunë në mbledhjen e grupit: Nesër ndaj reflektimin tim mbi "bulevardin e flamingove" 23 Korrik 2026, 21:5321:53Politike "Po ti, nga cila anë e gardhit je?"/ Edhe Ledi Shamku i del kundër Ramës, denoncon arrestimet sot në protestë 23 Korrik 2026, 19:1719:17Politike Krimi, korrupsioni, oligarkët dhe zemërimi i një brezi! 23 Korrik 2026, 18:5518:55Politike

