Gjenerallejtënant në pension i Forcave Speciale amerikane, Eric Wendt, merr zyrtarisht sot detyrën e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Profili i tij është i lidhur ngushtë me ushtrinë amerikane, NATO-n dhe misionet ndërkombëtare të sigurisë, ndërsa gjatë karrierës së tij ai ka pasur edhe kontakte të drejtpërdrejta me Shqipërinë. Sipas informacionit të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, Wendt ka shërbyer si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s në Evropë, ndërsa ka komanduar të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për Aleancën, përfshirë edhe njësitë shqiptare të operacioneve speciale. Gjatë kësaj periudhe, ai ka punuar në Shqipëri me drejtues dhe ushtarakë të fushës së mbrojtjes. Karriera e tij ushtarake përfshin më shumë se 34 vite shërbim aktiv dhe 55 muaj të dislokuar në operacione luftarake në zona të ndryshme të botës. Një vit në Afganistan
Një pjesë e rëndësishme e karrierës së Wendt lidhet me Afganistanin, ku shërbeu për një vit si Zëvendës-Komandant Rajonal. Në këtë detyrë ai kishte, ndër të tjera, edhe mbikëqyrjen e ushtarakëve shqiptarë të angazhuar në mision. Gjatë shërbimit aktiv, ai ka mbajtur disa poste të larta komanduese dhe ka drejtuar organizata me mijëra persona, përfshirë struktura me personel civil dhe ndërinstitucional. Wendt ka shërbyer gjithashtu si Shef i Shtabit të Komandës së Paqësorit të SHBA-së. Pas karrierës ushtarake, Wendt ka punuar për dy vjet në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, si pjesë e Ambasadës amerikane në Jeruzalem. Atje ka shërbyer si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke udhëhequr një koalicion prej tetë vendesh dhe duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit. Ambasada amerikane e përshkruan atë si një drejtues me përvojë të gjerë në menaxhimin e organizatave komplekse, shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe me ekspertizë rajonale në Evropë. Eric Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, ndërsa Masterin e ka kryer në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Përveç anglishtes, ai flet edhe gjuhët arabe dhe koreane. Gjatë karrierës së tij, Wendt është nderuar me një sërë çmimesh dhe dekoratash ushtarake, mes tyre Shiritin dallues “Ranger”, Shiritin dallues të Forcave Speciale, Shenjën dalluese Parashutist Mjeshtër, Shenjën dalluese Mjeshtër i Këmbësorisë në Luftim, Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, dy Medalje të Shërbimit të Shquar dhe tri Medalje “Ylli i Bronztë”. Ai është gjithashtu fitues i Çmimit të Lartë të Nderit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Me marrjen zyrtare të detyrës në Tiranë, Wendt sjell në përfaqësimin diplomatik amerikan në Shqipëri një karrierë të gjatë në Forcat Speciale, NATO, misionet ndërkombëtare dhe strukturat e sigurisë së SHBA-së. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Ambasada Eric Wendt NATO

