Takimi në Abu Dhabi Pas dy ditësh negociatash në Abu Dhabi, Shtetet e Bashkuara po përgatiten për takime të reja me udhëheqësit e Rusisë dhe Ukrainës. Jared Kushner dhe Steve Witkoff do të udhëtojnë drejt Moskës më 12 nëntor për t'u takuar me Vladimir Putinin, ndërsa më pas do të zhvillojnë bisedime me Volodymyr Zelenskyn në Dublin. Ndërkohë, Moska dhe Kievi kanë arritur një marrëveshje për shkëmbimin e mbi një mijë të burgosurve nga secila palë, por vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje të rëndësishme për përfundimin e luftës. Të dërguarit amerikanë do të udhëtojnë të enjten drejt Moskës për t'u takuar me presidentin rus Vladimir Putin dhe më pas drejt Dublinit për një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Lajmin e bëri të ditur Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe ndërmjetësues i Shteteve të Bashkuara, i cili po merr pjesë së bashku me Steve Witkoff në negociatat që po zhvillohen në Abu Dhabi.
Kremlini ende nuk është njohur me hollësitë e bisedimeve ndërmjet Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Emiratet e Bashkuara Arabe, por pret që të dërguarit amerikanë të sjellin propozime të reja gjatë vizitës së tyre në Moskë më 12 nëntor.
Këshilltari presidencial rus Yuri Ushakov deklaroi për gazetën Kommersant se Moska pret të informohet për rezultatet e negociatave.
“Ende nuk e dimë rezultatin e bisedimeve në Abu Dhabi. Por ata do të sjellin diçka”, u shpreh Ushakov, i pyetur nëse takimi do të përfshijë propozime të rëndësishme për çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë.
Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, konfirmoi për televizionin Vesti mbërritjen e negociatorëve amerikanë.
“Mbështetem në atë që është njoftuar zyrtarisht: negociatorët amerikanë do të shkojnë në Moskë për të informuar presidentin Putin. Natyrisht, ai merr rregullisht raporte të tilla nga delegacioni”, deklaroi Lavrov.
“Në bazë të asaj që do të mësojë nga amerikanët, ai do të vendosë hapat e ardhshëm”, shtoi ministri rus.
Lavrov theksoi se qëndrimi i Moskës në procesin e negociatave do të vazhdojë të mbështetet në objektivat e operacionit ushtarak rus në Ukrainë, të përcaktuara nga Putini në qershor 2024.
“Qasja e Rusisë ndaj procesit negociues me Ukrainën do të strukturohet në mënyrë që të arrihen objektivat e operacionit ushtarak special, të cilat presidenti i përcaktoi në qershor 2024 dhe që nuk kanë ndryshuar që atëherë”, deklaroi ai.
Kreu i diplomacisë ruse e cilësoi formatin trepalësh të negociatave si më të përshtatshmin për vazhdimin e procesit.
“Me sa kam kuptuar, të gjitha palët kanë dhënë vlerësime pak a shumë pozitive pas këtyre bisedimeve në Abu Dhabi”, tha Lavrov.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve, ndërsa kushtet e saj pritet të shpallen së shpejti.
Kreu i delegacionit rus në negociatat trepalëshe, Vladimir Medinsky, njoftoi arritjen e marrëveshjes pas përfundimit të bisedimeve.
Gjenerali Aleksander Zorin, zëvendësshef i zyrës së informacionit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, deklaroi për televizionin Vesti se ky do të jetë shkëmbimi më i madh i të burgosurve deri më sot, me mbi një mijë persona nga secila palë.
Pas përfundimit të negociatave në Abu Dhabi, Medinsky kritikoi gjithashtu qëndrimin e vendeve evropiane, duke deklaruar se delegacioni rus nuk kishte zhvilluar komunikime me përfaqësuesit e tyre për shkak të pozicionit të paqartë që mbajnë.
Ai e akuzoi Evropën se është “bashkëpunëtore në një mashtrim kolektiv” ndaj popullit ukrainas dhe deklaroi se përfaqësuesit evropianë mund t'u bashkohen negociatave vetëm kur “t'u zgjohet ndërgjegjja”.
“Për momentin, mendoj se do të ishte e dobishme që ata të mësonin nga të dërguarit amerikanë: arsyen e shëndoshë, realizmin dhe dëshirën për të arritur paqen”, u shpreh Medinsky.
Nga ana tjetër, Ukraina raportoi për një ecuri pozitive pas dy ditësh bisedimesh me Rusinë, të zhvilluara me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Negociatori ukrainas David Arakhamia shprehu optimizëm për mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje përpara fillimit të vitit të ri.
“Mendoj se ka një dinamikë të mirë për të arritur një zgjidhje përpara fillimit të vitit të ri”, deklaroi Arakhamia, pa dhënë hollësi të tjera.
Ai shprehu gjithashtu shpresën që një takim i ri mes palëve të zhvillohet sa më shpejt.
Megjithatë, kreu i delegacionit negociator ukrainas, Rustem Umerov, theksoi se mes Kievit dhe Moskës vazhdojnë të ekzistojnë mosmarrëveshje të konsiderueshme, pavarësisht kontakteve të drejtpërdrejta gjatë dy ditëve të fundit.
“Gjatë këtyre dy ditëve, palët patën mundësi të paraqesin drejtpërdrejt qëndrimet e tyre, por mes tyre mbeten mosmarrëveshje të rëndësishme. Ka ende shumë punë të vështirë përpara, megjithatë ekzistojnë hapësira për të vazhduar procesin negociues”, shkroi Umerov në Telegram.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shprehur rezerva për qëndrimin e Moskës ndaj procesit të paqes.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian në Bruksel se Unioni mbështet përpjekjet për t'i dhënë fund luftës, por kritikoi gatishmërinë e Rusisë për negociata.
“Në Abu Dhabi u zhvilluan bisedime mes zyrtarëve ukrainas dhe rusë. Bashkimi Evropian ka mbështetur gjithmonë përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Problemi i vetëm është se Rusia nuk tregon asnjë gatishmëri për të negociuar seriozisht”, deklaroi Kallas.abu dhabi trump Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Drogë, armë dhe makina/ Goditen dy grupe kriminale në Bosnjë-Hercegovinë, arrestohen 15 persona 11 Nëntor 2026, 20:0220:02Rajoni dhe Bota Frikë dhe pasiguri në Itali pas kërcënimeve me bomba në 6 mijë shkolla, autoritetet vendosin hapjen e tyre të enjten 11 Nëntor 2026, 19:4219:42Rajoni dhe Bota Nga valixhet me para drejt Moskës, te arratia në Stamboll: Miqtë e Vuçiçit mes arrestimeve dhe largimeve nga Serbia 11 Nëntor 2026, 18:3818:38Rajoni dhe Bota Izraeli drejt ndryshimit të qeverisë, opozita siguron shumicën në votimin e parë në Parlament 11 Nëntor 2026, 18:3518:35Rajoni dhe Bota Vdes ambasadori rus në SHBA, Alexander Darchiev e kishte marrë detyrën vetëm një vit më parë 11 Nëntor 2026, 17:2517:25Rajoni dhe Bota Paqja mes Moskës dhe Kievit, negociatori i Putinit: Rezultate konkrete nga bisedimet 11 Nëntor 2026, 17:1617:16Rajoni dhe Bota

