Aktivistja dhe anëtarja e Dhomës Britanike, Silvana Xhaferri Hoxha, ka komentuar protestat masive që prej 100 ditësh po zhvillohen në vend, ndërsa qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë. E ftuar në News24, Hoxha e cilësoi protestën si një lëvizje të jashtëzakonshme qytetare, ku janë bashkuar grupe të ndryshme të shoqërisë, nga të rinjtë dhe aktivistët për mbrojtjen e natyrës, te nënat me fëmijë dhe profesionistët. “Kjo është një protestë e jashtëzakonshme. Aty ke aktivistë nga më të ndryshmit, nga rinia, aktivistë të mbrojtjes së natyrës, nëna me fëmijë. Të gjithë sjellin sugjerimet e tyre. Këta persona kanë qenë kaq të lodhur, pasi kishin shumë problematika”, tha ajo. Sipas Hoxhës, mënyra se si qytetarët po reagojnë përbën një formë të qartë të mosbindjes civile, ndërsa qasja e qeverisë ndaj protestuesve dhe opozitës ka ndikuar në përshkallëzimin e pakënaqësisë. “Populli reflekton këtë mosbindje civile, madje edhe qasjen e qeverisë ndaj shqiptarëve dhe opozitës. Tërësia e gjërave që kanë ndodhur ka ndryshuar. Kemi ndryshimin e PS-së ndaj protestës”, u shpreh aktivistja. Duke folur për qeverisjen e Ramës, Hoxha deklaroi se një prej premtimeve kryesore që solli mbështetjen për të në fillim ishte ndërtimi i shtetit dhe forcimi i administratës, por sipas saj kjo nuk u realizua. “Rama nuk arriti të bëjë shtet. Kjo ishte një nga gjërat që mori votat kur kandidoi. U shkatërrua edhe pak ajo administratë që ishte ndërtuar. Rama reagon me ironi dhe po prish gjithçka”, tha ajo. Hoxha kritikoi gjithashtu mënyrën se si deputetët po komunikojnë me qytetarët, duke e cilësuar si të domosdoshme praninë e tyre në zonat elektorale. “Parimi që deputetët të shkojnë në zonat e tyre dhe të dëgjojnë popullin, kjo është gjë elementare. Pra, kjo është farsë, hipokrizi e hapur”, deklaroi ajo. Aktivistja tha se protesta është edhe një mundësi që qytetarët të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj përfaqësuesve politikë në zonat ku ata marrin votat.
“Për ne që jemi në protestë, është mundësi që qytetarët, që nuk kanë mundësi të gjuajnë deputetin me vezë në Kuvend, mund ta bëjnë në zonën e vet”, u shpreh Hoxha.
Ajo theksoi se ndjen një “detyrim të dyfishtë” për të mbështetur të rinjtë dhe protestën, duke iu referuar edhe mbështetjes që brezi i prindërve u dha të rinjve gjatë viteve ’90. “Ndjej detyrim të dyfishtë, pasi prindërit tanë na kanë mbështetur ne në vitet ’90. E kam detyrim të dyfishtë, ndaj duhet të mbështesim rininë”, tha ajo. Hoxha pretendoi gjithashtu se intelektualë dhe profesionistë që janë shfaqur në protestë janë përballur me presione, kërcënime apo edhe largime nga puna.
“Intelektualë, profesionistë, nëse do të shihen në shesh, kanë marrë kërcënime dhe janë pushuar nga puna”, deklaroi aktivistja. Sipas saj, protesta nuk zhvillohet për interesa personale, por për ndërtimin e një shteti funksional. “Po protestojmë për shtetin, që të kemi një shtet siç duhet. Këto problematika nuk janë personale, por janë për shkak të protestës”, tha Hoxha, duke shtuar se presioni ndaj protestuesve, sipas saj, vetëm sa e forcon më tej lëvizjen.
Në fund, Hoxha tha se protestuesit presin dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, ndërsa theksoi se, nëse kërkohet një rezultat i ndryshëm, nuk mund të pritet që protesta të ndjekë të njëjtën formë pafundësisht. “Ne presim dorëheqjen e kryeministrit, qeverisë. Që të arrish këtë, nuk mund të presësh të njëjtin rezultat. Kjo protestë nuk është e dhunshme. Duke qenë jo e dhunshme, është mosbindje civile. Një prej formave, përveç prezencës fizike dhe presionit ndaj deputetëve, politikanëve dhe biznesmenëve, mosbindja civile do të duhet të shkojë te faza tjetër”, përfi ajo. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: aktivistja protesta
