Shqipëria po përgatitet të ndryshojë sërish hartën e qeverisjes vendore, me një projektligj të mazhorancës që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Reforma synon bashkimin e 15 bashkive me njësi më të mëdha fqinje, por debati kryesor lidhet me atë nëse ndryshimi do të përmirësojë realisht shërbimet për qytetarët. Përvoja e reformës territoriale të vitit 2014, e cila bashkoi 373 njësi në 61 bashki, ka ngritur pikëpyetje, pasi rritja e të ardhurave vendore nuk u shoqërua në të njëjtën masë me përmirësimin e shërbimeve, veçanërisht në zonat rurale.
Një tjetër problem i evidentuar është rritja e ndjeshme e administratës vendore. Numri i punonjësve të pushtetit vendor është rritur nga rreth 19 mijë në vitin 2014 në mbi 39 mijë në vitin 2025, ndërsa në shumë bashki të vogla pagat zënë më shumë se 60% të buxhetit. Ndërkohë, shërbime bazë si menaxhimi i mbetjeve vijojnë të kenë mbulim më të ulët në zonat rurale. Sipas analizës, reforma e mëparshme u shoqërua gjithashtu me ndarje të paqarta të kompetencave, veçanërisht në menaxhimin e emergjencave dhe zjarreve, duke krijuar disa qendra vendimmarrjeje.
Për reformën e re ngrihen pikëpyetje edhe për mënyrën e konsultimit me qytetarët. Një hartë e re nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me financim, kompetenca dhe burime të qarta për njësitë vendore. Para çdo bashkimi, duhej të përcaktohej se çfarë shërbimesh do të përmirësohen, sa do të kursehet dhe sa do të duhet të udhëtojë qytetari për të marrë shërbimet. Në të kundërt, reduktimi i numrit të bashkive rrezikon të ndryshojë vetëm kufijtë administrativë, pa zgjidhur problemet e financimit, përfaqësimit dhe shërbimeve në zonat e largëta.

