Lajme Zone
Nesër jepet vendimi për ish-krerët e UÇK, si nisi ‘kalavari’ i akuzave dhe gjyqi në Hagë
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Nesër jepet vendimi për ish-krerët e UÇK, si nisi ‘kalavari’ i akuzave dhe gjyqi në Hagë

Pas disa vitesh gjykim në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi presin tashmë vendimin e shkallës së parë për akuzat që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë të viteve 1998-1999.

Pas disa vitesh gjykim në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi presin tashmë vendimin e shkallës së parë për akuzat që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë të viteve 1998-1999. Por si nisi kjo çështje dhe si përfunduan katër prej figurave më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e të akuzuarve në Hagë?

Në themel të çështjes qëndrojnë hetimet për pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Një moment i rëndësishëm ishte raporti i Këshillit të Europës i vitit 2011, i cili ngriti akuza të rënda ndaj disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe kërkoi hetime të mëtejshme.

Në vitin 2015, pas presionit ndërkombëtar dhe shqetësimeve për mbrojtjen e dëshmitarëve, Kosova miratoi ndryshimet kushtetuese dhe krijoi bazën ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Institucioni u vendos në Hagë, edhe pse funksionon sipas ligjit të Kosovës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u bënë objekt i aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar. Aktakuza fillestare u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe më pas u ndryshua disa herë gjatë procesit.

Prokuroria i akuzon ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera, sipas aktakuzës, nga të paktën marsi 1998 deri në shtator 1999.

Në aktakuzë përfshihen akuza për përndjekje, vrasje, burgim, torturë dhe zhdukje të detyruar, ndaj personave që prokuroria i konsideron kundërshtarë ose të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë deklaruar pafajësinë.

Më 5 nëntor 2020, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Thaçi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës për t’u përballur me procesin gjyqësor. Arrestimet shënuan një moment të jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës, pasi në bankën e të akuzuarve përfunduan disa prej figurave kryesore të luftës dhe të shtetformimit të mëvonshëm të vendit.

Pas një periudhe të gjatë procedurash paraprake, më 3 prill 2023 nisi zyrtarisht gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Prokuroria paraqiti pretendimin se katër të akuzuarit kishin role drejtuese në UÇK dhe se ishin përgjegjës individualisht për krimet e përfshira në aktakuzë. Mbrojtja, nga ana tjetër, ka argumentuar se nuk është provuar përgjegjësia penale individuale e të akuzuarve dhe se ata nuk kishin kontrollin apo autoritetin që u atribuohet nga Prokuroria.

Procesi gjyqësor zgjati pothuajse tre vjet. Prokuroria e mbylli paraqitjen e provave më 15 prill 2025.

Sipas Dhomave të Specializuara, gjatë paraqitjes së çështjes së saj Prokuroria thirri 125 dëshmitarë për të dëshmuar në sallën e gjyqit dhe rreth 3 mijë prova dokumentare u pranuan në proces. Në total, deri në atë fazë, Prokuroria kishte bërë 1,430 parashtresa në këtë çështje.

Në korrik 2025 paraqiti provat edhe Zyra e Mbrojtësit të Viktimave, e cila përfaqësonte 155 viktima pjesëmarrëse në proces.

Më pas nisi faza e mbrojtjes, ku ekipet ligjore të katër të akuzuarve kundërshtuan pretendimet e Prokurorisë dhe paraqitën dëshmitë e tyre.

Në përfundim të procesit, Prokuroria kërkoi dënimin e katër të akuzuarve me nga 45 vite burgim.

Sipas Prokurorisë, Thaçi dhe tre bashkëakuzuarit kishin qenë pjesë e një strukture drejtuese të UÇK-së dhe kishin përgjegjësi për një fushatë të përndjekjes dhe dhunës ndaj kundërshtarëve të perceptuar politikë dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera. Prokuroria ka pretenduar se më shumë se 100 persona u vranë dhe se qindra të tjerë u keqtrajtuan në dhjetëra qendra ndalimi të lidhura me UÇK-në.

Mbrojtja ka kërkuar pafajësinë e katër të akuzuarve, duke argumentuar se akuzat nuk janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe se ata nuk kishin kontrollin operacional mbi veprimet për të cilat akuzohen.

Gjyqi në Hagë ka qenë një prej proceseve më të debatueshme politike dhe juridike në Kosovën e në Kosovë, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë figura të luftës për çlirimin e vendit dhe procesi ndaj tyre është parë me skepticizëm. Në anën tjetër, Dhomat e Specializuara argumentojnë se procesi nuk është gjykim ndaj UÇK-së apo ndaj luftës për pavarësinë e Kosovës, por një proces për përgjegjësi individual pasluftës.

Në vitet e procesit janë zhvilluar protesta dhe tubime në Kosovë në mbështetje të të akuzuarve. Në shkurt 2026, mijëra persona protestuan në Prishtinë kundër gjykimit dhe kërkuan lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, trupi gjykues hyri në fazën e deliberimit. Dhomat e Specializuara njoftuan se aktgjykimi do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00, në Hagë.

Vendimi do të jetë i shkallës së parë dhe nuk do të jetë domosdoshmërisht fundi i betejës ligjore, pasi palët kanë të drejtë të apelojnë.

Kështu, pas gjashtë vitesh nga arrestimi i tyre dhe më shumë se tre vitesh proces gjyqësor, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi presin verdiktin që do të përcaktojë nëse do të shpallen fajtorë apo të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre.

Për Kosovën, por edhe për politikën shqiptare në rajon, vendimi pritet të jetë një moment me peshë të veçantë, pasi bëhet fjalë për katër figura që kanë luajtur role qendrore në luftën e viteve 1998-1999 dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës pas luftës. Top Channel