Një eklips i plotë diellor do të jetë i dukshëm nesër, më 12 gusht 2026, në disa pjesë të Evropës Perëndimore, për herë të parë që nga viti 1999. Hija e Hënës do të përshkojë Siberinë veriore, Oqeanin Arktik dhe Grenlandën lindore, përpara se të kalojë mbi Islandë dhe Spanjën veriore. Maksimumi i eklipsit të plotë do të regjistrohet mbi Atlantikun e Veriut, në perëndim të Islandës. Në Reykjavik, faza e totalitetit do të nisë rreth orës 17:48 me orën lokale, ndërsa në disa zona të Spanjës veriore, përfshirë A Coruña dhe Bilbao, eklipsi i plotë do të shihet pak para perëndimit të diellit, rreth orës 20:28.Lexo edhe:Rrudhoset liri - më pak nëse i varni rrobat menjëherë pas larjes Në pjesën më të madhe të Evropës, përfshirë Madridin dhe Barcelonën, eklipsi do të jetë i pjesshëm. Në këto zona, Hëna do të mbulojë vetëm një pjesë të diskut të Diellit. Eklipsi i plotë ndodh kur Hëna kalon përpara Diellit dhe e mbulon atë tërësisht, duke sjellë për pak minuta errësirë të pazakontë gjatë ditës. Gjatë totalitetit mund të bëhet e dukshme edhe korona e Diellit. Ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet parë drejtpërdrejt Dielli pa syze speciale për eklipse, pasi rrezet e tij mund të dëmtojnë rëndë sytë. Ky do të jetë i pari nga tre eklipset diellore radhazi që do të jenë të dukshme nga Spanja. Eklipsi i ardhshëm i plotë do të ndodhë më 2 gusht 2027, ndërsa një tjetër eklips diellor do të jetë i dukshëm në vitin 2028./Reuters

