Lajme Zone
Nëntë jetë të humbura, nëntë familje të shkatërruara, një shtet që hesht
PolitikëCNA

Nëntë jetë të humbura, nëntë familje të shkatërruara, një shtet që hesht

Nuk i vrau vetëm energjia elektrike. I vranë edhe mungesa ...

Nuk i vrau vetëm energjia elektrike. I vranë edhe mungesa e sigurisë, papërgjegjshmëria institucionale dhe një sistem që duket se e vlerëson më shumë rikthimin e energjisë sesa jetën e punonjësit!

Sot nuk kemi thjesht një bilanc aksidentesh në sektorin energjetik. Sot kemi një bilanc tragjik të dështimit të sigurisë në punë, të përgjegjësisë menaxheriale dhe të mbrojtjes së jetës njerëzore.

Nëntë punonjës të sektorit energjetik kanë humbur jetën gjatë vitit 2026, duke lënë pas nëntë familje në zi dhe një pyetje të madhe që kërkon përgjigje: KUSH DO TË MBAJË PËRGJEGJËSI?

Këta janë nëntë emrat që nuk duhet të harrohen:

Mark Prenga – Lezhë, Rrilë.

Bashkim Boçi – Himarë.

Agim Beqiri – Zërvaskë, Pogradec.

David Deda – Karmë, Vau i Dejës.

Muhamet Sylisufaj – Rruga e Dobravës.

Ermal Dëbrova – Marglliç, Patos.

Klajdi Zekthi – Trojas, Belsh.

Lulzim Shehu – Vasije, Kalaja e Dodës.

Altin Petanaj – Kocul, Vlorë. Nëntë jetë të shuara në krye të detyrës. Nëntë punëtorë që dolën për të kryer punën e tyre dhe nuk u kthyen më në shtëpi.

Dhe çfarë ndodh pas këtyre tragjedive? Njoftime policie, deklarata të shkurtra, hetime që presin përgjigje dhe, mbi të gjitha, një heshtje e papranueshme nga ata që kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e punonjësve.

Ku është qeveria? Ku është OSHEE-ja? Ku janë drejtuesit? Ku është ministria përgjegjëse? Ku janë inspektoratet e punës? Ku është zëri i sindikatave?

A mund të quhet rastësi kur punonjësit humbin jetën vazhdimisht gjatë ushtrimit të të njëjtit profesion dhe në kushte të ngjashme pune?

A mund të flitet për fat të keq kur nëntë familje paguajnë çmimin më të rëndë të mundshëm?

Nuk mjaftojnë më ngushëllimet pas vdekjes. Nuk mjaftojnë kurorat me lule dhe deklaratat formale. Punëtori nuk ka nevojë për respekt vetëm kur vdes. Ai ka nevojë për mbrojtje kur ngjitet në shtyllë, kur hyn në nënstacion, kur riparon linjën dhe kur përballet çdo ditë me rrezikun.

Një kompani që kërkon shërbim pa kompromis duhet të garantojë siguri pa kompromis!

Nga këndvështrimi sindikal, kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm: hetim të pavarur për çdo aksident, transparencë mbi përgjegjësitë, kontroll të pajisjeve mbrojtëse, respektim të protokolleve teknike, trajnim të detyrueshëm dhe përgjegjësi konkrete për çdo shkelje të provuar.

Sindikata nuk mund të jetë dekor në strukturat e punëdhënësit. Ajo duhet të jetë zëri i punëtorit, mburoja e tij dhe kundërshtari i çdo vendimmarrjeje që vendos prodhimin, shërbimin apo interesin ekonomik mbi jetën njerëzore.

Shteti nuk mund të jetë spektator! Heshtja institucionale përballë nëntë viktimave është politikisht dhe moralisht e papranueshme. Kërkojmë përgjigje, transparencë dhe përgjegjësi, jo propagandë dhe justifikime.

Sot, në emër të të gjithë punonjësve të energjetikës, përulemi me dhimbje dhe respekt para kujtimit të nëntë kolegëve tanë.

Por kjo nuk duhet të mbetet vetëm një nekrologji. Duhet të kthehet në një thirrje për ndërgjegjësim, protestë dhe veprim sindikal.

ASNJË PUNËTOR NUK DUHET TË SHKOJË NË PUNË PËR TË MOS U KTHYER MË NË SHTËPI!

PUNA NUK DUHET TË KUSHTOJË JETËN!

Ngushëllime familjeve të viktimave!

Respekt për punëtorët që çdo ditë mbajnë mbi supe sistemin energjetik të vendit. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.