Maye Musk, nëna 78-vjeçare e miliarderit Elon Musk, ka treguar se nuk e ka pasur kurrë problem të jetojë në kushte të thjeshta, pavarësisht pasurisë dhe famës së të birit.
Në një intervistë të publikuar nga “New York Post”, Maye rrëfeu se gjatë një pjese të madhe të jetës së saj ishte mësuar të flinte në divanet e miqve apo edhe në dyshekë të vendosur në dysheme.
“Një divan ose një dyshek në dysheme është në rregull për mua”, tha ajo, duke shtuar se edhe një çati e thjeshtë mbi kokë është për të një luks.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është mënyra se si qëndron gjatë vizitave tek Elon Musk në Starbase, Teksas, kompleksi ku SpaceX zhvillon dhe teston aktivitetet e saj hapësinore.
Sipas Maye, kur shkon atje, ajo fle në një garazh.
“Nuk më shqetëson fare”, u shpreh 78-vjeçarja.
Maye e lidhi këtë qëndrim me fëmijërinë e saj dhe mënyrën e thjeshtë me të cilën është rritur. Ajo tha se është mësuar me jetën në natyrë dhe se nuk ka pasur kurrë nevojë për luks të madh për t’u ndier rehat.
Rrëfimi vjen në kuadër të promovimit të librit të saj të ri, ku Maye Musk tregon historinë e jetës, karrierës dhe sfidave që ka kaluar si nënë e tre fëmijëve.
Ajo ka rrëfyer edhe vështirësitë që përjetoi pas divorcit nga Errol Musk, babai i Elon, Kimbal dhe Tosca. Maye e ka përshkruar martesën e saj si fizikisht dhe emocionalisht abuzive, ndërsa Errol Musk i ka mohuar këto akuza.
Pas ndarjes, ajo u përpoq të siguronte jetesën për tre fëmijët duke punuar në disa profesione njëkohësisht, përfshirë dietologjinë dhe modelingun.
Në moshën 50-vjeçare u zhvendos në Nju Jork për t’iu përkushtuar më shumë modelingut. Sot, në moshën 78-vjeçare, ajo vazhdon të jetë aktive si modele, dietologe, autore dhe folëse motivuese.
Burimi: New York Post

