Mbrëmja e 15 korrikut të këtij viti mbetet një kujtim i hidhur për një grup turistësh izraelitë që kishin ardhur në Shqipëri për ta kaluar disa ditë pushime. Të akomoduar në një prej hoteleve të Vlorës përfunduan njëkohësisht në spital me të vjella dhe diarre. Njëra prej tyre, ka rrëfyer ngjarjen për median izraelite Mako. E quajtur Rahel, banore e Kfar Sabës në Izrael, ajo tregon se kishte qenë vajza e saj e vogël, e cila, nga dhoma e hotelit “Priam” ku ishin akomoduar, kishte shprehur shqetësimin se nuk mund të lëvizte këmbët. Pak më pas, sipas saj, të gjithë familjarët pësuan debulesë në të njëjtën kohë. "Pas pak kohe fillova edhe unë të ndieja një ndjesi të çuditshme dhe dhimbje në të gjithë trupin, madje edhe të vjella. Motra ime u përpoq të më ndihmonte dhe edhe ajo nisi të kishte dridhje në trup. Më pas arritëm në një pikë ku nuk mund të ecnim më. Kishim dridhje të forta, dhe ndienim një mjegullim të rëndë mendor. Nuk arrinim të funksiononim”,- thotë Raheli. LEXO EDHE:Dy vatra zjarri në jug, Piluri në Himarë përfshihet nga flakët, vijon beteja edhe në Parkun e Llogarasë! 20 efektivë të FA-së në terren (VIDEO) "Telefonova djalin tim të madh, i cili ndodhej në një kat tjetër të hotelit, dhe i kërkova të vinte urgjentisht. Na gjeti të shtrirë në dysheme. Ishte një skenë shumë e rëndë. Ai tregoi se pa ambulanca jashtë hotelit dhe shumë njerëz që kishin dalë nga dhomat e tyre”,- shton ajo. Turistja izraelite e quan dështim tentativën e mjekëve të autoambulancës për t’i rikthyer në gjendje normale shëndetësore me anë të një serumi në dhomën e hotelit. "Dështimi më i madh ishte se nuk na dërguan menjëherë në spital," kujton Raheli. "Erdhi urgjenca, dhe thjesht na lanë të shtrirë në dysheme. Na bënë injeksione, na vendosën serum, të cilin e varën në mur, dhe na lanë në atë gjendje. Na thanë se pas 15 minutash do të ndiheshim më mirë dhe u larguan, duke na lënë vetëm”,- rrëfen shtetësja izraelite. Sipas Rahelit, pas rreth një ore, kur familjarët panë se gjendja jo vetëm që nuk po përmirësohej, por po përkeqësohej, u transportuan në spital, ku sipas saj “nuk na matën as saturimin e oksigjenit dhe as tensionin e gjakut, gjëra bazë”. Raheli pretendon se në spital takuan edhe turistë të tjerë që ishin akomoduar në hotelin “Priam”, të cilët kishin simptoma të ngjashme. Nga bashkëbisedimi me ta dhe jo vetëm, pas normalizimit të situatës, Raheli thotë se “kuptuam se me shumë gjasa bëhej fjalë për një rrjedhje azoti nga sistemi i ajrit të kondicionuar. Njërit prej turistëve, i cili u dërgua në një spital tjetër, i thanë pikërisht këtë: se kishte thithur azot të çliruar. Ai na tregoi se vëllai i tij i cili kishte qenë në dhomë, kishte ndier një erë të fortë nga kondicioneri dhe më pas kishte humbur ndjenjat”,- thotë Raheli për median izraelite, duke u ankuar dhe për mungesën e interesit nga stafi i hotelit. Por nga ana e tij, Hoteli “Priam” ka ofruar një tjetër panoramë, në një reagim për të njejtën media izraelite Mako, duke deklaruar se vetëm mysafirët e pesë dhomave raportuan simptoma. "Stafi i hotelit reagoi menjëherë, ofroi ndihmën e parë, njoftoi shërbimet e emergjencës dhe shoqëroi të dëmtuarit në spital për t'u siguruar që të merrnin trajtimin e nevojshëm. Gjatë gjithë procesit, përfaqësues të hotelit ishin fizikisht të pranishëm në spital dhe nga autoritetet mjekësore u informuam se gjendja e mysafirëve u stabilizua brenda një kohe të shkurtër", thuhet në reagimin e hotelit. "Gjatë mbledhjes së informacionit, dy mysafirë deklaruan se kishin ngrënë në një restorant pranë hotelit dhe jo në restorantin e hotelit, ndaj mendonin se simptomat mund të lidhen me ushqimin e konsumuar atje. Një tjetër mysafir informoi stafin mjekësor për një gjendje shëndetësore të mëparshme. Menjëherë pas ngjarjes hoteli kreu kontrolle të plota të të gjitha sistemeve të tij dhe bashkëpunoi me autoritetet, të cilat kryen të gjitha analizat dhe hetimet e nevojshme për të përcaktuar shkakun e incidentit”,- thuhet më teje në reagim. Sipas hotelit, u kontrolluan në mënyrë të detajuar procedurat e sigurisë ushqimore, sistemi qendror i ajrit të kondicionuar dhe të gjitha sistemet e tjera operative, pa u konstatuar defekte teknike apo parregullsi në funksionim. Po ashtu, sipas informacionit të marrë nga autoritetet, janë hetuar edhe faktorë jashtë hotelit, pasi incidente të ngjashme janë raportuar edhe në zona të tjera të qytetit. Sa i përket dyshimeve të turistëve izraelitë se ishin helmuar nga gazi i kondicionerit, hoteli “Priam” e përjashton si shkak. "Sipas informacionit paraprak të autoriteteve, në mbrëmjen kur u zhvillua ndeshja Spanjë–Francë u përdorën në masë fishekzjarrë dhe balona me helium në pjesë të ndryshme të qytetit”,- thuhet në reagim. Raheli dhe familjarët e saj, së bashku me një çift tjetër izraelit që po qëndronte në hotel dhe u prek nga ngjarja, kanë paraqitur një kallëzim pranë autoriteteve në Shqipëri kundër mënyrës së reagimit të hotelit dhe kanë kërkuar një hetim të plotë të incidentit. Të kontaktuara nga Report Tv, autoritetet vendore në Vlorë kanë deklaruar se ende nuk është arritur në një konkluzion për shkaqet e që çuan në problemet shëndetësore të turistëve izraelitë, ndërsa hetimet vijojnë nga institucione të ndryshme të përgjegjësisë. K.M/Shqiptarja.com TAG: Hoteli Priam Izrael Vlore Komento Komente Sondazhi i ditës:
24 Korrik, 13:38
Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 68.2% Jo 25.7% Nuk e di 6.1% Vota total: 1100 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Korrik, 13:38 Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?

