Lajme Zone
KulturëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

'Në Spaç na mbante gjallë Zoti”, të mbijetuarit rrëfejnë besimin që nuk ua theu dot regjimi komunist dhe vitet me Dom Ernest Simon Troshanin


Në ish burgun e Spaçit, aty ku për dekada u shtypën liria dhe besimi, mesha e kremtuar nga Imzot Ernest Simoni Troshani u kthye edhe një herë në një moment kujtese për të mbijetuarit e ferrit komunist.

Mes mureve të Spaçit, ku dikur vuajtën qindra të dënuar politikë, kujtesa e të mbijetuarve rikthehet përmes historive që kanë brenda dhimbje, qëndresë dhe besim në Zot. Tre ish-të burgosur të këtij kampi, Gjet Kadeli, Zenel Drangu dhe Nikoll Prenga Tuci, rrëfejnë përballjen e tyre me regjimin komunist dhe figurën e Dom Ernest Simon Troshanit, i cili sot rikthehet në Spaç si kardinal. Në ish burgun e Spaçit, aty ku për dekada u shtypën liria dhe besimi, mesha e kremtuar nga Imzot Ernest Simoni Troshani u kthye edhe një herë në një moment kujtese për të mbijetuarit e ferrit komunist. LEXO edhe...Kardinal Ernest Simoni rikthehet në Spaç, meshë në ish-burgun e diktaturës ku vuajti për 12 vite! Letra e Papa Leone: Shumë njerëz mbartën kryqin e rëndë të padrejtësisë (VIDEO) Mes mureve të rrënuara, tre prej ish-të burgosurve në këtë burg: Gjet Kadeli, Zenel Drangu dhe Nikollë Prenga Tuci, rikthejnë historitë e tyre, të lidhura nga vuajtja, besimi në Zot dhe kujtimet për meshtarin që sot kthehet në Spaç si kardinal. Gjet Kadeli: 'Besimi nuk m'u shua kurrë' Kalvari i familjes Kadeli nisi në vitin 1949, pas vrasjes së Bardhok Bibës. Familja u internua fillimisht në kampin e Tepelenës dhe më pas jetoi për vite të tëra nën përndjekjen e regjimit komunist. Vetë Gjet Kadeli u arrestua për herë të parë në vitin 1962. Pas një tjetër dënimi në vitin 1972, ai u dërgua në burgun e Spaçit, ku u bë pjesë e revoltës së njohur të të burgosurve politikë. “Ishte ideja ime që revoltës t'i jepnim karakter politik. Donim t'i tregonim regjimit se nuk do të dorëzoheshim,”,- kujton Kadeli Përpara Spaçit kishte kaluar edhe 12 vite në burgun e Burrelit, ndërsa në Spaç vuajti edhe një vit e gjysmë. Por, mes izolimit dhe dhunës, besimi mbeti i palëkundur. “Kam qenë gjithmonë besimtar në Zot,”, thotë ai. Një nga episodet që nuk harron lidhet pikërisht me besimin. Ai përshëndeste bashkëfshatarët e tij me fjalët: “Rroftë e qoftë Jezu Krishti!”. Kur dikush i kërkoi të mos i përdorte më ato fjalë, Kadeli iu përgjigj: “Do të vijë koha kur kambanorja e Abacisë së Oroshit do të ngrihet përsëri, edhe më lart se ka qenë.” Fjalët u raportuan menjëherë te komanda e burgut dhe ai përfi në birucë. Kur mbërriti në Spaç, më 18 janar 1973, aty gjeti edhe Dom Ernest Simon Troshanin. “Ishte vetëm një birucë e vogël me një dritare. Bëra nëntë ditë grevë urie dhe më pas më nxorën,” kujton ai. Zenel Drangu: "Në SPAÇ kishte uri, por edhe harmoni fetare" Zenel Drangu e njeh çdo cep të burgut të Spaçit. Ai mbërriti aty në fillim të vitit 1973 dhe u lirua vetëm në fund të vitit 1989, pasi kishte kaluar rreth 17 vite në burg, 15 prej tyre pikërisht në Spaç. Ai tregon kushtet çnjerëzore të jetesës. “Në një dhomë flinin 54 veta. Secili kishte vetëm rreth 60 centimetra hapësirë për të fjetur. Ishte tmerr" thotë Drangu Racionet ushqimore ishin minimale. “Kishim vetëm pak gram oriz, sheqer dhe disa pika vaj. Me atë ushqim duhej të punonim në minierë" thotë ai. Sot ai shpreh keqardhjen që burgu është lënë të degradojë. “Ky është një holokaust shqiptar. Politikës nuk i ka interesuar ta ruajë këtë vend si dëshmi" shton Drangu. Drangu është sot kryetar Shoqatës kombëtare të ish-të burgosurve politikë dhe vazhdon të udhëheqë vizitorë shqiptarë e të huaj në Spaç. Besimi, thotë ai, nuk u zhduk as në burg. “Po, besonim në Zot. Kishte një harmoni të rrallë fetare mes të burgosurve" thotë ai. Për Dom Ernest Simon Troshanin flet me respekt të veçantë. “Kardinali që vjen sot këtu ka qenë miku im i ngushtë. E kam respektuar kur ishte vetëm një meshtar i përndjekur, jo sepse kishte poste" tregon Drangu. Çdo vit, thotë ai, Troshani rikthehet në Spaç për të kremtuar meshë në kujtim të katër të pushkatuarve të revoltës dhe të gjithë atyre që humbën jetën në burg. Drangu kujton se shumë të burgosur ishin dënuar vetëm për shkak të besimit. “Feja ishte ndaluar me ligj dhe konsiderohej agjitacion e propagandë" shton ai. Edhe Dom Ernest Simoni u dënua fillimisht me vdekje, dënim që më pas iu kthye në 25 vite burg, pasi kishte kremtuar meshë për Presidentin amerikan John F. Kennedy pas atentatit ndaj tij. “Këtë ua tregoj edhe vizitorëve amerikanë. Habiten dhe preken kur mësojnë çfarë ka ndodhur në Shqipëri" thotë Drangu Nikolla Prenga (TuciI): "Festat fetare i kremtonim fshehurazi" Nikoll Prenga Tuci u dënua me 28 vite burg, nga të cilat vuajti 24. Rreth dhjetë vite i kaloi në Burrel, ndërsa pjesën tjetër në kampe dhe burgje të ndryshme. Me Dom Ernest Simon Troshanin u njoh fillimisht në kampin e Elbasanit, ku ndërtohej fabrika e çimentos. “Ishte një njeri shumë dinjitoz, i urtë dhe i dashur me të gjithë. Gëzonte respektin e çdo të burgosuri" thotë Prenga. Edhe ai thotë se besimin nuk e humbi asnjëherë. “Kam qenë gjithmonë besimtar" shton ai. Në vitin 1967, kur regjimi mbylli kishat dhe xhamitë, ndodhej në Shkodër. Aty, për shkak të lidhjeve familjare me At Pjetër Tucin, u identifikua nga Sigurimi dhe më vonë u arrestua. Por pavarësisht ndalimit të fesë, të burgosurit i ruanin traditat fetare. “Festat i kremtonim fshehurazi. Myslimanët e dinin kur ishin Krishtlindjet dhe na uronin. Edhe ne i uronim ata për Bajram" thotë Prenga. Ndonjëherë ndanin një karamele apo një filxhan kafeje që ua sillnin familjarët. “Kur vinte Pashka, Krishtlindja apo Bajrami, ndonjë polic i mirë na lejonte të merrnim dru për zjarr ose mbyllte një sy" tregon ai. Edhe pse kujton se kishte njerëz të mirë mes policëve, ai e cilëson regjimin komunist si sistemin më të përgjakshëm që ka njohur Shqipëria. Në Spaç, mesha e Imzot Ernest Simon Troshanit nuk është vetëm një rit fetar. Për të mbijetuarit, ajo është një rikthim në vendin ku besimi u vu në provën më të vështirë dhe ku, pavarësisht torturave, urisë dhe izolimit, shumë prej tyre nuk hoqën dorë kurrë nga Zoti. U.D/E.H/ReportTv.al Nikollë Prenga Tuci Zenel Drangu Gjet Kadeli Ernest Simoni Troshani burgu i spacit Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.4% 100 bashki (PD) 16.3% 61 bashki (si sot) 27.3% Vota total: 2566 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?