Një moment emocionues është shënuar në stadiumin “Estádio da Luz” në Portugali, ku një djalë 6-vjeçar i quajtur Salvador ka realizuar një nga ëndrrat e tij më të mëdha.
Salvador, i cili vuan nga Epidermoliza Bulloze Distrofike Recesive, një sëmundje e rrallë dhe tepër e dhimbshme që prek lëkurën, pati mundësinë të hynte në fushën e lojës dorë për dore me futbollistin e tij të preferuar, Rafa Silva.
I vogli përjetoi nga afër një moment që do ta mbajë mend gjatë gjithë jetës, ndërsa tifozët në “Estádio da Luz” u bënë dëshmitarë të një skene që përcolli shumë emocione.
Për disa minuta, futbolli shkoi përtej rezultatit, golave dhe rivalitetit. Një stadium i tërë u bë pjesë e ëndrrës së një fëmije të vogël, i cili pavarësisht betejës së përditshme me sëmundjen, nuk e kishte humbur dëshirën për të buzëqeshur dhe për të ndjekur pasionin e tij.
Dorë për dore me Rafa Silvën, Salvador hyri në fushën e “Estádio da Luz”, duke realizuar një ëndërr që për të kishte një domethënie shumë më të madhe se një ndeshje futbolli.
Një moment i thjeshtë në pamje të parë, por jashtëzakonisht i bukur dhe prekës, që rikujtoi edhe një herë se futbolli ka fuqinë të sjellë gëzim dhe shpresë aty ku ndoshta nevojiten më shumë.

