Rubrika “Në Librari” sjell këtë javë tre botime: 'Usta Josifi dhe sazet e Përmetit' nga Niko Mihali, 'Teo nga 16 në 18' nga Raluca Nagy dhe 'Arti i papërsosurisë. Studime, reflektime e qasje mbi trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrar' nga Diana Kastrati. MONOGRAFI MUZIKORE PËR USA JOSIFIN DHE SAZET E PËRMETIT Titulli: Usta Josifi dhe sazet e PërmetitAutori: Niko MihaliShtëpia botuese: MediaprintÇmimi: 1200 lekëTradita e sazeve të Përmetit, figura e mjeshtrit të klarinetës Josif Shukollari dhe trashëgimia muzikore e lënë nga breza instrumentistësh, vijnë në një studim monografik të autorit Niko Mihali. LEXO EDHE:'Në Librari' vjen me 3 tituj të rinj: “Ataturku” nga Andrew Mango, studimi “Ilirjana Sulkuqi dhe lirika e saj” dhe romani “Anjezka” nga Viktorie Hanisova (VIDEO) “Usta Josifi dhe sazet e Përmetit” dokumenton një pjesë të rëndësishme të muzikës qytetare shqiptare, duke vendosur në qendër të vëmendjes rrugëtimin artistik të Josif Shukollarit dhe lidhjen e tij me shkollën e madhe të Laver Bariut. “Është një libër që i kushtohet një instrumentisti që ka punuar për gati gjysmë shekulli në institucionet kulturore të Përmetit dhe në veprimtari të ndryshme artistike. Josifi afrohet me orkestrën e sazeve të Usta Laverit dhe për disa dekada ecën së bashku me të, duke mësuar shumë prej mënyrës së interpretimit, ëmbëlsisë së klarinetës dhe traditës së kësaj shkolle”, thotë autori Niko Mihali. Për Prof. Asoc. Dr. Holta Sina Kilica, përgjegjëse e Departamentit të Muzikologjisë në Universitetin e Arteve, monografia përbën një kontribut të veçantë në dokumentimin e kësaj trashëgimie. Sipas saj, Mihali ndërthur kujtesën kulturore me metodologjinë akademike dhe ndriçon rolin e instrumentistëve e të ansambleve të sazeve në historinë e muzikës shqiptare. Në libër dokumentohet edhe rrugëtimi i sazeve të Përmetit në skena brenda dhe jashtë vendit, nga bashkëpunimet ndërkombëtare e deri te koncertet në Janinë, Torino, Nikshiq, Pragë, Zagreb, Prizren e më tej. Një kapitull i rëndësishëm i kësaj historie lidhet me projektin për këngët e Hafize Leskovikut. 18 këngë, të interpretuara nga Adriana Thanasi dhe të shoqëruara nga klarinetisti Josif Shukollari me Sazet e Përmetit, u regjistruan në vitin 2022, në bashkëpunim me Klodian Qafokun. “Ky ishte një nga projektet më të rëndësishme. Këngët e Hafize Leskovikut, të kënduara nga Adriana Thanasi dhe të shoqëruara nga Josifi, u regjistruan në një CD të veçantë dhe u pritën jashtëzakonisht mirë. Më pas, këto materiale u bënë pjesë edhe e dokumentimit të kabave dhe të trashëgimisë muzikore shqiptare”, thotë Mihali. Akademiku Vasil Tole e vlerëson monografinë për faktin se i jep vendin e merituar Josif Shukollarit dhe sazeve të tij, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e kabasë së Përmetit, tashmë pjesë e pasurisë së mbrojtur të trashëgimisë kulturore shqiptare. Në fokus është edhe një tjetër dokument me vlerë: lista e kabave dhe valleve të Sazeve të Përmetit nga viti 1988 deri në vitin 2025, që krijon një hartë të kujtesës muzikore dhe të veprimtarisë së instrumentistëve ndër vite. Josif Shukollari konsiderohet nga specialistët si një nga nxënësit më të spikatur të shkollës laveriane dhe një pasardhës i denjë i Laver Bariut. Kontributi i tij shtrihet në festivale, koncerte dhe projekte të shumta, ndërsa interpretimet e tij kanë çuar tingullin e sazeve të Përmetit edhe në skenat ndërkombëtare. Për autorin Niko Mihali, ky botim nuk është vetëm një monografi për një instrumentist, por një përpjekje për të ruajtur kujtesën e një tradite. “Rruga e Josif Shukollarit është një rrugë në ngjitje, e kaluar përmes shumë vështirësive, por edhe përmes mbështetjes së mjeshtërve dhe kolegëve të tij. Ai ka vazhduar me besnikëri punën e nisur nga Usta Laveri dhe ka kontribuar që emri i Sazeve të Përmetit të vazhdojë të jetojë”, thotë autori. “Usta Josifi dhe sazet e Përmetit” mbetet kështu një dëshmi për një pasuri muzikore që ka përcjellë ndër breza tingullin, stilin dhe shpirtin e Përmetit. Një libër që, përmes dokumentimit të repertorit dhe historive të instrumentistëve, synon që kjo trashëgimi të mos mbetet vetëm kujtim, por të vazhdojë të dëgjohet edhe nga brezat që vijnë. Share “TEO NGA 16 NË 18”, AUTORJA RUMUNE RALUCA NAGY NË SHQIP Titulli: Teo nga 16 në 18Autore: Raluca NagyPërktheu: Maniela SotaShtëpia botuese: ToenaÇmimi: 1400 lekëNjë vajzë që rritet mes pyetjeve, pasigurive, dashurive, humbjeve dhe përpjekjes për të kuptuar botën. Teo është personazhi qendror i romanit “Teo nga 16 në 18”, të autores rumune Raluca Nagy, tashmë i sjellë për lexuesin shqiptar. Teo është e zgjuar, kureshtare, ironike, por edhe e hutuar përballë rregullave me të cilat funksionon bota. Nga fëmijëria deri në vitet e universitetit, ajo kërkon identitetin e saj, ndërsa jeta e përball me dashurinë, trupin, humbjen dhe një sëmundje që do t'i ndryshojë gjithçka. “Tema kryesore e librit është një sëmundje. Kur zbulova këtë sëmundje të padukshme, që mund të shmangej lehtësisht, e shkaktuar nga virusi HPV, dhe pashë statistikat, u mërzita shumë. Veçanërisht për vendin tim, Rumaninë, ishim ndër të fundit në Evropë sa i përket incidencës së kësaj sëmundjeje. Mendova se duhej të shkruaja për këtë në njëfarë mënyre”, thotë autorja Raluca Nagy/ Por “Teo nga 16 në 18” nuk është një roman vetëm për sëmundjen. Nagy zgjedh humorin dhe ironinë për të folur për një temë të rëndë, duke ndërtuar një personazh që përballet me HPV-në, sëmundjen dhe më pas mbijeton. “U përpoqa ta bëja edhe interesante, jo thjesht të trishtueshme. Shpresoja vërtet të rrisja ndërgjegjësimin për këtë sëmundje që u ndodh kryesisht grave në fazat e mëvonshme të jetës dhe që, për ndonjë arsye, nuk trajtohet me seriozitet”, vijon autorja. Teo është një personazh që autorja e ka ndjekur gjatë edhe pasi ka përfunduar së shkruari romanin. Për të, kjo vajzë është bërë më shumë se një figurë letrare. “Teo ishte shumë frymëzuese për mua ndërsa shkruaja për të. Vazhdoja t’i dëgjoja zërin edhe rreth dy vjet pasi e kisha përfunduar librin dhe nuk nisja dot të shkruaja diçka tjetër”, shprehet Nagu. Antropologe dhe shkrimtare, Raluca Nagy ka botuar studime, ese dhe prozë të shkurtër në Rumani. Romani i saj i parë, “Një kalë në një det mjellmash”, u vlerësua me çmimin “Sofia Nădejde” dhe çmimin e revistës “Observator Cultural”, ndërsa u nominua edhe në Francë për “Festival du Premier Roman de Chambéry”. “Teo nga 16 në 18” ndërthur përvojën antropologjike të autores me kulturën popullore dhe referenca që shkojnë deri te historia e Jezusit, duke e konceptuar Teon si një lloj figure simbolike, një lloj “mesie femërore”. “Historia e jetës së Teos përkon pak a shumë me jetën e Jezusit, sepse doja që ajo të ishte si një Mesi femërore, si një simbol shumë i fuqishëm. Këto ishin disa nga frymëzimet e mia kryesore, së bashku me shumë gjëra nga kultura popullore, si serialet dhe librat”, shpjegon autorja. Nga fëmijëria te vitet e universitetit, nga miqësitë e para te dashuritë, humbjet, udhëtimet dhe takimet e papritura, Teo përpiqet të gjejë vendin e saj mes njerëzve që flasin një gjuhë të cilën jo gjithmonë e kupton. Dhe ndërsa jeta e çon gjithnjë e më larg nga vajza që ka qenë, Teo zbulon se të rritesh nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh përgjigje. Një histori e çuditshme dhe e ndjeshme për të një vajzë që rritet, ndryshon, humbet rrugën dhe, më në fund, kupton se ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është çfarë ka ndodhur, por si quhem. Romani vjen tashmë në gjuhën shqipe, në një përkthim që autorja e konsideron një urë të re komunikimi me lexuesit shqiptarë. Për Nagy-n, përkthimi është një emocion më vete, sidomos sepse kjo është hera e parë që ajo viziton Shqipërinë dhe Tiranën. “Edhe pse nuk e kuptoj përkthimin, thjesht ta shoh librin të përkthyer në një gjuhë tjetër është gjithmonë diçka shumë e veçantë. Është hera ime e parë në Shqipëri, hera e parë në Tiranë dhe jam shumë e lumtur që jam këtu. Shpresoj vërtet që lexuesit ta vlerësojnë punën e Manielës”, thotë Nagy. Me një gjuhë që ndërthur humorin me dhimbjen, “Teo nga 16 në 18” është një histori për rritjen, identitetin, trupin dhe përballjen me atë që nuk mund ta kontrollojmë. Një roman ku pyetja se kush jemi bëhet, në fund, më e rëndësishme se gjithçka që na ka ndodhur. Share “ARTI I PAPËRSOSURISË…”, LIBRI STUDIMOR NGA DIANA KASTRATI Titulli: Arti i papërsosurisë. Studime, reflektime e qasje mbi trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrarAutore: Diana KastratiBotues: Akademia e Shkencave “Arti i Papërsosurisë: Studime, reflektime e qasje mbi trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrar” është libri i Prof. asoc. dr. Diana Kastratit, i prezantuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit. Libri është një vepër studimore që e sheh përkthimin përtej dimensionit të tij gjuhësor, duke e trajtuar si proces interpretimi kulturor dhe krijues. “Bëhet fjalë për një studim të tekstit në origjinal, autorit në origjinal dhe procesit të përkthimit dhe përkthyesit. Në këtë rast ne do të shqyrtojmë në një frymë të tre, sepse janë të pashkëputshëm”, thotë Diana Kastrati. Kjo marrëdhënie mes autorit, veprës, procesit të përkthimit dhe përkthyesit përbën boshtin e librit. Përmes një qasjeje teorike dhe praktike, autorja sjell në vëmendje edhe zhvillimin e studimeve mbi përkthimin dhe pyetjen nëse ekziston një metodologji e vetme për përkthimin letrar. “Teoria të ndihmon, por nuk të mëson si të shkruash mirë apo të përkthesh mirë. Të ndihmon në gjërat kryesore”, vijon Kastrati. Në pjesën e dytë të studimit, Kastrati mbështetet në përvojën e saj shumëvjeçare si përkthyese e autorëve të njohur të letërsisë italiane, duke analizuar vepra dhe problematika të ndryshme që lidhen me procesin e përkthimit. Nga Machiavelli e Guicciardini, te Umberto Eco, Alberto Moravia, Andrea Camilleri, Antonio Pennaçhi e Carlo Levi, përvoja praktike bëhet pjesë e reflektimit teorik mbi sfidat e përkthyesit. “Pjesa më e madhe e faktorëve që ndikojnë në atë që quhet metatekst, ose vepra e përkthyer, janë kryesisht metalinguistikë, pra jashtëgjuhësorë. Dhe kjo është shumë interesante”, thotë shkrimtarja. Titulli “Arti i Papërsosurisë” lidhet pikërisht me natyrën e përkthimit si një proces njerëzor, ku përsosmëria absolute mbetet e paarritshme. Në kopertinën e librit është vendosur një nga skulpturat e papërfunduara të Michelangelo-s, një zgjedhje që lidhet drejtpërdrejt me konceptin e “non finito”-s, të veprës së papërfunduar. “Arti i të përkthyerit është i papërsosur sepse prek njerëzoren. Çdo aktivitet njerëzor është i karakterizuar nga papërsosmëria”, shprehet autorja. Me një kontribut të rëndësishëm në përkthimin letrar, studimet mbi përkthimin dhe kulturën italiane, Diana Kastrati është vlerësuar me Çmimin Kombëtar të Përkthimit “Pashko Gjeçi”, Çmimin Kombëtar për “Përkthimin më të Mirë të Vitit”, si dhe mban titullin “Cavaliere della Stella d’Italia”. “Uroj që vepra të ketë si destinatar jo vetëm ata që merren me përkthimin apo studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, por natyrisht edhe ata që dëshirojnë të dinë diçka më tepër”, thotë Kastrati. “Arti i Papërsosurisë” vjen kështu si një reflektim mbi përkthimin si art, shkencë dhe përvojë njerëzore, duke e vendosur përkthyesin në qendër të dialogut mes gjuhëve, letërsive dhe kulturave. Share P.J/E.H/Shqiptarja.com TAG: ne librari Komente Komento Sondazhi i ditës:
8 Tetor, 11:03
PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 59.6% Jo 34.4% Nuk e di 6.1% Vota total: 5403 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 8 Tetor, 11:03 PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?
