Koment i gazetarit Michael Martens në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”.Së fundmi, Frankfurter Allgemeine Zeitung raportoi mbi një eksperiment të Institutit për Kërkime Sociale të Frankfurtit, rezultatet e të cilit u mbajtën të fshehta për dekada me radhë. Në vitin 1950, studiuesit e institutit pyetën rreth 1600 qytetarë të zakonshëm të Gjermanisë Perëndimore mbi pikëpamjet e tyre rreth nacionalsocializmit dhe shfarosjes së hebrenjve. Ata i lanë njerëzit të flisnin lirisht. Gjatë kësaj, shumë nga këta gjermanë - të cilët supozohej të ishin të denacifikuar - shpërfaqën një vazhdimësi aq tronditëse të bindjeve raciste, antisemite dhe autoritare, saqë drejtori i institutit, Theodor Adorno, vendosi të mos e publikonte rezultatin e plotë të studimit. Mos vallë pesë vjet ishin shumë pak kohë për ta fshirë propagandën nacionalsocialiste nga mendjet? Këtu ndihmon një vështrim mbi ekspozitën „Krimet e Wehrmacht-it“ (ushtrisë gjermane) të hapur në vitin 1995. Protestat kundër kësaj ekspozite - fillimisht me disa pasaktësi të pjesshme - ishin të ashpra. Shumë gjermanë nuk ishin gati ta vinin në dyshim mitin e „Wehrmacht-it të pastër“, madje as një gjysmë shekulli pas përfundimit të luftës. Në Ballkan, dy ngjarje të kohëve të fundit ofruan shembuj të tjerë se sa e vështirë është për shoqëritë të vënë në dyshim rrëfimet mbi të kaluarën e tyre - veçanërisht kur bëhet fjalë për anët e errëta të kësaj të kaluare. Me mijëra njerëz morën pjesë në varrimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq në Beograd, duke e festuar si hero autorin kryesor të gjenocidit të Srebrenicës. Pak më shumë se një javë më vonë, një shumicë dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës reagoi me indinjatë ndaj dënimit të ish-presidentit kosovar Hashim Thaçi me 25 vjet burg për krime lufte.Deri diku, indinjata kosovare është e kuptueshme. Nëse ky aktgjykim do të konfirmohet në apel, Thaçi është përgjegjës për rreth 300 raste torture dhe gati 100 vrasje. Këto akte janë të llahtarshme dhe të neveritshme. Por, përfundimi megjithatë nuk duhet të jetë: „Në Ballkan janë të gjithë njëlloj.“ Sepse mes Mlladiqit dhe Thaçit ekzistojnë dallime thelbësore, edhe pse nacionalistët serbë parapëlqejnë ta hedhin poshtë këtë si relativizim.Mlladiqi është përgjegjës për vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve. Në rastin e Thaçit, numri i viktimave - nëse dënimi i tij merr formë të prerë - do të ishte mezi sa një e qindta e kësaj shifre. Gjithsesi e tmerrshme. Por jo e njëjta gjë. „Ushtria Çlirimtare e Kosovës“, shkurt UÇK, e udhëhequr nga Thaçi, nuk ka kryer kurrë asgjë që mund t'i afrohej qoftë edhe përafërsisht ngjarjeve në Srebrenicë. Në Kosovë, përkundrazi, pati Srebrenica të panumërta të vogla të kryera nga serbët ndaj shqiptarëve, si për shembull në fshatrat Meje dhe Korenicë, ku forcat serbe masakruan qindra shqiptarë katolikë. Më pas vjen kronologjia. Mlladiqi i kreu krimet e tij në një luftë që e kishin nisur Beogradi dhe serbët. UÇK-ja e Thaçit ishte një reagim ndaj një padrejtësie sistematike, shtetërore e shumëvjeçare të ushtruar nga serbët ndaj popullatës me shumicë shqiptare në Kosovë. Megjithatë, kjo kërkon reflektim edhe nga shoqëria kosovare. Krimet e UÇK-së kanë ndodhur. Mohimi i tyre duke u kapur pas krimeve më të mëdha serbe nuk mund të jetë rrugëdalje. Të paktën, i dënuari për krime lufte Thaçi u bëri thirrje bashkëkombësve të tij nga burgu që të ruajnë qetësinë./Telegrafi.

