Autoritetet serbe kanë arrestuar në Beograd shtetasin malazez Vuk Vulleviq, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpoli për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vulleviq u arrestua më 12 korrik në një lokal në kryeqytetin serb. Gjatë kontrollit, policia i gjeti dokumente personale të falsifikuara, të cilat, sipas autoriteteve, ishin lëshuar në Kosovë. Ndaj tij do të ngrihet edhe një kallëzim penal për falsifikim dokumentesh. MPB-ja serbe bëri të ditur se ndaj Vulleviqit ishte lëshuar një fletarrestim i kuq nga Interpoli në Podgoricë për veprat penale të organizimit të grupit kriminal dhe prodhimit, posedimit dhe trafikimit të paautorizuar të narkotikëve. Po ashtu, ai kërkohej edhe nga Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti i Posaçëm për Krim të Organizuar, në lidhje me procedurat që lidhen me kërkesën e autoriteteve malazeze. Gjatë arrestimit, policia sekuestroi dy telefona celularë dhe njoftoi Prokurorinë e Tretë Themelore në Beograd. Vulleviq pritet të dërgohet në Departamentin e Posaçëm për Krim të Organizuar të Gjykatës së Lartë. Sipas policisë malazeze, ai dyshohet se është pjesë e grupit të organizuar kriminal të Vaso Uliqit dhe Radoje Zvicerit.
