Lajme Zone
Në ç’pikë ndodhet konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës? Territoret dhe garancitë, çështjet kyçe të negociatave
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Në ç’pikë ndodhet konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës? Territoret dhe garancitë, çështjet kyçe të negociatave

Pengesa kryesore mbetet kontrolli mbi Donetskun: Putini këmbëngul që ta marrë të gjithë, ndërsa Zelensky i reziston këtij kërkese. Ndërkohë, Moska po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj përfshirjes së Evropës.

Që nga shkurti i vitit 2022, Moska dhe Kievi kanë vazhduar të mbajnë kontakte, por pa arritur t’i shndërrojnë ato në një proces të vërtetë drejt paqes. Ka pasur armëpushime të shkurtra, shkëmbime të të burgosurve dhe përpjekje për ndërmjetësim, por asnjëra prej këtyre nismave nuk ka prodhuar rezultate vendimtare. Një fazë e re negociatash të nivelit të lartë nisi në janar 2025, pak pas marrjes së detyrës nga Donald Trump, i cili kishte premtuar se do t’i jepte fund luftës brenda një kohe shumë të shkurtër. Raundi i fundit i bisedimeve të drejtpërdrejta u zhvillua në shkurt, me takime në Abu Dhabi dhe më pas në Gjenevë. Edhe në këtë rast, megjithatë, nuk pati asnjë përparim të rëndësishëm. Negociatat u ndërprenë papritur kur vëmendja e administratës amerikane u përqendrua te lufta me Iranin. Që atëherë, kontaktet mes dy kryeqyteteve kanë mbetur të kufizuara, ndërsa çështjet themelore kanë mbetur të gjitha mbi tryezë. Në qershor, Volodymyr Zelensky publikoi një letër të hapur drejtuar Vladimir Putinit, duke propozuar rifillimin e bisedimeve të paqes, por presidenti rus vazhdoi të tregonte pak interes për një zgjidhje përmes negociatave, duke përsëritur vullnetin për të vazhduar luftën. Zona e kontestuar LEXO EDHE:Oligarkët rusë, gjithnjë e më të pasur dhe më të frikësuar nën zgjedhën e Putinit: Shteti mund të marrë kontrollin e kompanive tuaja, nëse nuk jeni në gjendje t’i mbroni! Pika kryesore kritike lidhet me territorin. Në raundin e fundit të negociatave u diskutua një plan paqeje me 20 pika, i cili përfshinte garanci sigurie për të parandaluar agresione të reja ruse dhe angazhime për rindërtimin e Ukrainës. Por çështja vendimtare mbetet kontrolli mbi Donetskun. Rusia kërkon që Kievi të dorëzojë territorin që ende kontrollon në rajonin lindor, një zonë rreth 80 kilometra e gjatë dhe 65 kilometra e gjerë, me dhjetëra qendra të banuara. Putini synon kontrollin e plotë të Donetskut, përfshirë qytetet e fortifikuara Sloviansk dhe Kramatorsk. Zelensky ka përjashtuar mundësinë që thjesht të urdhërojë tërheqjen, si për arsye ligjore, ashtu edhe politike dhe humanitare, duke kujtuar se në atë zonë ende jetojnë qindra mijëra njerëz. Propozimi i tij është një tërheqje simetrike e forcave, me krijimin e një zone të çmilitarizuar ose ekonomikisht të lirë, të mbikëqyrur nga Kievi, ndërsa vija e kontaktit do t’u besohej forcave ndërkombëtare. Megjithatë, mbetet një zgjidhje e vështirë: pa një kompromis për Donetskun, një marrëveshje paqeje duket pak realiste, edhe pse konsumimi ushtarak i të dyja palëve mund t’i shtyjë, në planin afatgjatë, të dyja drejt hapjeve të reja. Centrali Një tjetër pikë e vështirë është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, i pushtuar nga rusët që nga marsi 2022. Gjashtë reaktorët kanë kohë që janë jashtë funksionit. Për t’i vënë sërish në punë do të nevojiteshin investime të mëdha, përfshirë edhe rindërtimin e digës së Kakhovkës, e cila siguronte ujin për ftohje. Kievi kërkon çmilitarizimin e zonës dhe parashikon krijimin e një zone ekonomike të lirë. Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një administrim të përbashkët mes Uashingtonit, Moskës dhe Kievit, por kjo hipotezë është konsideruar jorealiste nga ukrainasit, të cilët kanë propozuar si alternativë një administrim 50 me 50 për qind mes SHBA-ve dhe Ukrainës. Problemi është se Rusia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kontrolli i centralit. Një kompromis këtu nuk është i pamundur, por do të kërkonte një nivel besimi që sot thjesht nuk ekziston. Garancitë e sigurisë Përveç kësaj, rreth tryezës së negociatave nuk janë vetëm rusët dhe ukrainasit. Shtetet e Bashkuara mbeten ndërmjetësi kryesor, por qeveritë evropiane kanë frikë se mund të lihen jashtë një marrëveshjeje që do të synonte të riformësonte ekuilibrat e sigurisë në kontinent. Prandaj, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë krijuar një format negociues që synon të mbrojë interesat evropiane, të ashtuquajturit “Vullnetarët”. Kievi kërkon nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa garanci sigurie sipas modelit të NATO-s në rast të një agresioni të ri rus dhe synon të mbajë një ushtri prej 800 mijë trupash. Por Moska e konsideron të papranueshme praninë e trupave evropiane në territorin ukrainas. Legjitimiteti Mbi tryezë rëndojnë gjithashtu kostot e luftës dhe të rindërtimit. Humbjet e Ukrainës vlerësohen në 800 miliardë dollarë dhe mbetet e hapur çështja se sa duhet të kontribuojë Rusia. Në sfond qëndron edhe çështja e pasurive ruse të ngrira në Evropë. Për t’i ndërlikuar më tej gjërat janë edhe dosjet strategjike: anëtarësimi i Ukrainës në NATO, i kundërshtuar nga Moska, por i përcaktuar në Kushtetutën ukrainase, si dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian, i cili gjithsesi duket ende larg. Dhe, mbi të gjitha, mbetet legjitimiteti politik i një marrëveshjeje, i cili në Kiev duhet të sigurohet përmes një referendumi./Corriere P.J/Shqiptarja.com TAG: rusia sulmon ukrainen ukraine Rusi vladimir putin Volodymyr Zelensky Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

2 Shtator, 23:22

Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 74.8% Të gabuar 21% Nuk e di 4.1% Vota total: 4549 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 2 Shtator, 23:22 Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?