Dritëro Agolli është më shumë se shkrimtari i një epoke: ai mishëron një mënyrë të të qenit në botë, një vetëdije krijuese që e shndërron përvojën historike në njohje të njeriut, të botës dhe të kontradiktave të ekzistencës.
Në veprën e tij, e veçanta e përvojës shqiptare merr përmasa universale, ndërsa fjala artistike kapërcen kufijtë e rrethanës që e lindi dhe bëhet mjet zbulimi i kontradiktave të qenies dhe i të vërtetave që i mbijetojnë kohës.
Universi i tij letrar ndërtohet mbi një estetikë të shumëfishtë, ku ironia dhe grotesku, lirizmi dhe urtia popullore, e përditshmja dhe reflektimi filozofik ndërthuren në një vizion origjinal të realitetit. Përmes kësaj ndërthurjeje, Dritëroi depërton përtej dukjes, zbulon paradokset e qenies dhe vë në pikëpyetje të vërtetat që koha i shpall të përjetshme, duke dëshmuar kësisoj kurajën intelektuale të krijuesit vizionar.
Një moment veçanërisht domethënës në vetëdijen krijuese të Dritëroit është zgjedhja, jo e rastësishme, për t’u vetëshpallur «apostull» — në një kohë kur ai krijonte nën një regjim që ateizmin e kishte shpallur kredon e vet dhe kur kulti i heroit komunist përbënte modelin e privilegjuar të afirmimit publik, të cilin shoqërisë jo vetëm ia ofronin, por edhe ia rekomandonin.
“Shenjtëri e rrënjë e vjetër,
Mbaj pak vesh e pak vështro,
Ç’po të flet nga bregu tjetër
Një apostull Dritëro”.
Tejkalimësia shfaqet këtu si akt emancipimi, por edhe si sfidë: aftësia për të menduar përtej autoritetit që kërkon të përcaktojë kufijtë e mendimit dhe të qenies.
Në këtë vetëpërcaktim, jo vetëm poetik, përvijohet një figurë që kapërcen përmasat e zakonshme të shkrimtarit. «Apostulli Dritëro» mishëron vetëdijen e krijuesit për misionin e tij dhe për mesazhin që synon të përcjellë përtej kufijve të individualitetit.
Kjo vetëshpallje përbën një akt të pazakontë vetëpërfytyrimi krijues, përmes të cilit poeti e projekton figurën e vet në një horizont kohor më të gjerë se epoka që e lindi, duke i dhënë kumtit të tij potencialin e një domethënieje universale.Dritëroi përtej Dritëroit është, në fund të fundit, apostulli që bëhet më i madh se vetë vetëshpallja e tij: krijuesi që, duke e shndërruar përvojën e vet historike në një kumt njerëzor, kapërcen kufijtë e kohës që e lindi.
Përtej figurës së autorit dhe rrethanave të epokës, mbetet vepra si hapësirë e gjallë e mendimit, e lirisë dhe e vetëdijes kritike.
Sepse përmasa e një shkrimtari nuk përcaktohet vetëm nga koha së cilës i përket, por edhe nga aftësia e veprës së tij për t’u bërë bashkëkohëse e kohëve që vijnë.
Apostulli Dritëro e ka fituar sfidën e vet. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

