Lajme Zone
Ndryshimet nga Reforma/ Zbardhen 4 skenarët e mazhorancës për riorganizimin territorial
PolitikëCNA

Ndryshimet nga Reforma/ Zbardhen 4 skenarët e mazhorancës për riorganizimin territorial

Raporti i hartuar nga mazhoranca për Reformën Administrati...

Raporti i hartuar nga mazhoranca për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0 ndalet edhe te skenarët e riorganizimit territorial të vendit dhe paraqitja e tyre për vendimmarrje në Kuvend.

Katër variantet për hartën e re konsiderohen për socialistët si opsione që harmonizojnë përgjegjësinë me kapacitetet e pushtetit vendor, në përcaktimet e së cilave theksohet avantazhi kryesor, pa anashkaluar edhe sfidat që vijnë nga secili rast.

Varianti 1: Decentralizim asimetrik

Harta territoriale ruhet e pandryshuar, ndërsa përgjegjësitë funksionale diferencohen sipas kapacitetit të demonstruar: funksionet bazë u mbeten të gjitha bashkive, ndërsa funksionet më kërkuese u ngarkohen vetëm njësive me kapacitet të mjaftueshëm ose ushtrohen përmes qeverisjes së përbashkët. Avantazhi kryesor është shmangia e kostove të një rikufizimi; sfida është ndërlikimi i kuadrit ligjor e institucional dhe tradita e kufizuar e bashkëpunimit ndërbashkiak, që mund të kërkojë një nivel shtesë qeverisjeje.

Varianti 2: Bashkime të mëdha

Konsolidim territorial gjithëpërfshirës, me objektivin që çdo bashki e re të ketë kapacitet të mjaftueshëm institucional për të ushtruar të 41 funksionet e Ligjit nr. 139/2015, me mundësi edhe për decentralizim të funksioneve të mëtejshme. Avantazhi është barazia funksionale e plotë e njësive; sfidat janë vështirësia për të ndërtuar njësi të nivelit A në disa rajone, respektimi më i kufizuar i parimit të subsidiaritetit dhe rreziku që diversiteti kulturor të marrë më pak vëmendje. Reforma Administrativo-Territoriale 2.0/ Raporti, 5 çështje në "lupë" për hartën e re 25 Korrik, 16:54 Varianti 3: Bashkime të mesme dhe rialokim i funksioneve plotësuese

Konsolidim i moderuar: bashkimet përqendrohen te njësitë me kapacitet të kufizuar, në mënyrë që çdo bashki të ushtrojë me siguri funksionet bazë dhe të zgjeruara, ndërsa funksionet e specializuara plotësuese rialokohet te qeveria qendrore, bashkëpunimi ndërbashkiak ose niveli i dytë vendor. Avantazhi është raporti më i mirë kosto–përfitim i ndërhyrjes; sfidat janë rreziku i ricentralizimit të disa funksioneve dhe, sërish, nevoja e mundshme për një nivel shtesë qeverisjeje.

Varianti 4: Bashki të përqendruara në funksionet bazë

Ristrukturim më rrënjësor i përgjegjësive: bashkitë, përfshirë mundësinë e njësive më të vogla, përqendrohen te funksionet bazë, ndërsa funksionet plotësuese dhe një pjesë e të zgjeruarave rialokohet te rregullime të tjera qeverisjeje. Avantazhi është përputhja më e mirë me parimin e subsidiaritetit; sfidat janë vështirësia praktike e ndarjes së njësive dhe potenciali i kufizuar për decentralizim të mëtejshëm.

Gjithashtu, raporti cilëson se vlerësimi i skenarëve nuk zhvillohet mbi preferenca, por mbi kornizën e 5 kritereve të miratuara paraprakisht; kriteri financiar-funksional me peshë 30%), ekonomik (20%), demografik (20%), distanca e aksesi (15%) dhe kohezioni social-kulturor (15%)./CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.