Avokati i pandehur, Plarent Ndreca Avokati i pandehur i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca ka mashtruar publikisht në media, duke deklaruar se Policia e Burgut të Fierit nuk e ka lejuar të zhvillojë një takim me klientin e tij. “Nuk po lejohem dhe vazhdon akoma e njëjta histori që ‘nuk kemi forca policore dhe njerëz për të shoqëruar’. Ndërkohë që ligji parashikon se hyrja e avokatit ndodh në çdo kohë. Vazhdon paligjshmëria e veprimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kufizimi i takimeve edhe me avokatin.
Unë nesër kam një seancë gjyqësore dhe duhet të takohesha patjetër me klientin. 1 orë e gjysmë në pritje siç e shihni dhe nuk lejohem. Asnjë bazë ligjore, asnjë përgjigje zyrtare. Kërkoj të mbajnë procesverbal për këtë fakt. As procesverbal nuk japin.”, ka deklaruar Ndreca. Ndreca e ka quajtur këtë vendim nga Drejtoria e Burgjeve si antikushtetuese dhe pa asnjë bazë ligjore. “Është një situatë që unë e konsideroj jo vetëm antikushtetuese dhe antiligjore, por edhe skandaloze”, u shpreh Plarent Ndreca. Ndërkohë që burime zyrtare nga burgjet, thanë për CNA-në se, Plarent Ndreca ka kërkuar të takohet me klientin e tij jashtë orarit zyrtar.
Sipas ligjit dhe rregulloreve, avokati mund ta takojë klientin e tij në çdo kohë, por brenda një orari të caktuar zyrtar.
Ndërkohë, kjo është hera e disatë që Ndreca shkon me qëllim që të takojë Erion Veliajn jashtë orarit zyrtar. Kjo metodë e takimit mes avokatit dhe klientit të tij, nuk i lejohet askujt dhe nuk bën përjashtim në këtë rast as avokati i Veliajt./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

