Një 67-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia në Krujë, pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr që ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme toke. Ngjarja është regjistruar në fshatin Zallë, ku shtetasi me iniciale I. H.(K.) dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, me qëllim djegien e mbeturinave bimore. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Përveç sipërfaqeve të tokës në fshatin Zallë, zjarri ka prekur edhe zonat përreth, përfshirë fshatin Halil, si dhe vendet e quajtura “Kodra e Stafukeve” dhe “Kodra e Babasve”. Raportohet se janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe pemë frutore. Pas njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të 67-vjeçarit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit u ka bërë apel qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve apo poseduesve të kullotave që të mos ndezin zjarre, veçanërisht për djegien e mbeturinave bimore në toka bujqësore apo kullota. Sipas Policisë, djegia e mbeturinave në këtë mënyrë përbën rrezik për përhapjen e pakontrolluar të flakëve dhe mund të shkaktojë dëme në pronë, shëndet dhe jetë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë menjëherë çdo rast të tentativës për ndezje zjarri, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
