Nga Walter Willems, dpa Pacientët me diabet të tipit 2 përdorin barna për humbjen e peshës për të përmirësuar shëndetin e tyre. Por shumë prej tyre i ndërpresin ato për shkak të efekteve anësore. Sipas një studimi të ri, kjo mund të shoqërohet me rreziqe serioze për shëndetin e tyre.Lexo edhe:Kujdes me serumet për qerpikët! Mjekët zbulojnë efektet anësore: Nga rrathët e zinj te ndryshimi i ngjyrës së syve Barnat për humbjen e peshës i ndihmojnë njerëzit të humbasin kilogramë, duke i mbrojtur nga goditjet në tru dhe infarktet e zemrës. Por shumë njerëz e rifitojnë peshën pas ndërprerjes së marrjes së agonistëve të receptorëve GLP-1 (GLP-1-RA). Sipas një studimi të publikuar në revistën The Lancet Regional Health Europe, te pacientët me diabet të tipit 2, rreziku për ngjarje të rënda kardiovaskulare dhe vdekje rritet ndjeshëm pasi ata ndërpresin trajtimin. Rreth 80 000 persona me diabet të tipit 2 morën pjesë në studimin e kryer nga një ekip ndërkombëtar kërkimor në Itali. Asnjëri prej pacientëve nuk vuante nga sëmundje kardiovaskulare dhe të gjithë kishin filluar trajtimin me një agonist të receptorëve GLP-1 (GLP-1 RA). Megjithatë, 60% e tyre e ndërprenë më pas trajtimin. Nga të dy grupet, shkencëtarët përzgjodhën nga afro 29 000 persona, të cilët ishin përgjithësisht të krahasueshëm me njëri-tjetrin. Mosha mesatare ishte pak më pak se 65 vjeç. Trajtimi i vazhdueshëm është i nevojshëm për të përfituar maksimalisht Në këtë studim vëzhgues, ndërprerja e mjekimit u shoqërua me dyfishimin e gjasave për të pësuar një infarkt zemre, goditje në tru ose vdekje të lidhur me sëmundjet kardiovaskulare gjatë 3 deri në 4 viteve pasuese. Sipas studimit, të udhëhequr nga Antonio Ceriello nga spitali Istituto di Ricovero e Cura a Carattere Scientifico (IRCCS) në Milano, Itali, vdekshmëria e përgjithshme në këtë grup ishte 4,8 herë më e lartë, një rritje dramatike. Ishte veçanërisht e habitshme që faktorët e rrezikut, si pesha trupore ose nivelet e glukozës në gjak, nuk ishin përkeqësuar në një masë të tillë që të mund të shpjegonin vetë këtë rritje të ndjeshme të rrezikut. "Këto rezultate sugjerojnë se trajtimi i vazhdueshëm mund të jetë i nevojshëm për të arritur përfitimin maksimal në lidhje me ngjarjet kardiovaskulare dhe vdekshmërinë", shprehet ekipi. "Nga ana tjetër, për shkak të mënyrës se si ishte projektuar studimi ynë, nuk arritëm të përcaktonim rrezikun relativ të fillimit dhe ndërprerjes së mëvonshme të trajtimit me GLP-1 RA, krahasuar me mos përdorimin e këtyre barnave." Në përgjithësi, është e vështirë të përcaktohen lidhje shkak-pasojë bazuar në të dhënat e studimit, thonë autorët. Sipas tyre, është e mundur që ndërprerja e mjekimit të jetë që në vetvete një tregues i një rreziku më të lartë të pranishëm paraprakisht dhe jo domosdoshmërisht një shkak i drejtpërdrejtë. 'Agonistët e receptorëve GLP-1 veprojnë vetëm për aq kohë sa i merrni' Rezultati nuk është aspak befasues për Jochen Seufert, drejtues i Departamentit të Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë në Qendrën Mjekësore Universitare të Freiburgut. "Agonistët e receptorëve GLP-1 veprojnë vetëm për aq kohë sa i merrni", thotë nënkryetari i Shoqatës Gjermane të Endokrinologjisë. "Pas kësaj, efektet pozitive zhduken përsëri." Seufert thotë se rreziqet e identifikuara në studim te personat me diabet të tipit 2 nuk mund të përgjithësohen automatikisht në të njëjtën masë edhe për pacientët që i marrin këto barna kryesisht për humbjen e peshës. Ai gjithashtu nuk beson se fillimi dhe më pas ndërprerja e trajtimit e rrit rrezikun e problemeve kardiovaskulare më shumë sesa mos përdorimi i preparateve GLP-1. "Nuk ka prova që të sugjerojnë diçka të tillë", thotë ai. Robert Wagner, drejtues i Qendrës së Studimeve Klinike në Qendrën Gjermane të Diabetit (DDZ), thotë se studimi përbën "një tjetër sinjal paralajmërues, por jo një provë se vetë ndërprerja e barnave GLP-1 shkakton ngjarje kardiovaskulare ose vdekje". "Nuk është e mundur të vlerësohet nëse pas ndërprerjes së trajtimit rreziku rritet realisht mbi nivelin fillestar, pasi nuk ekziston një grup kontrolli që të mos marrë trajtim me GLP-1", thotë Wagner, mjek i lartë në Departamentin e Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë në Spitalin Universitar të Dyseldorfit. Për më tepër, ai vëren se studimi shqyrtoi kryesisht formulimet më të vjetra të këtyre barnave. 'Toleranca ndryshon shumë nga një person te tjetri' Gjetjet janë të rëndësishme, pasi një numër shumë i madh përdoruesish e ndërpresin këtë trajtim. Seufert vlerëson se kjo përqindje arrin në 30% deri në 50% gjatë 6 deri në 12 muajve të parë. Kjo ndodh shpesh për shkak të efekteve anësore gastrointestinale, të cilat përfshijnë kapsllëkun, të përzierat dhe të vjellat. "Toleranca ndryshon shumë nga një person te tjetri", thotë Seufert. Pikërisht për këtë arsye, një specialist me përvojë idealisht një endokrinolog ose diabetolog duhet të monitorojë vazhdimisht trajtimin tuaj dhe ta përshtatë dozën gradualisht gjatë gjithë kohëzgjatjes së tij. "Një terapi GLP-1 efektive dhe e toleruar mirë duhet të planifikohet për një periudhë afatgjatë dhe të rivlerësohet rregullisht", thotë Wagner. "Në rast të një përgjigjeje të pamjaftueshme ndaj trajtimit ose shfaqjes së efekteve anësore, nevojitet një përshtatje e synuar e trajtimit dhe një plan për vijimësinë e tij."

