Ministri i Administratës Publike në Malin e Zi, shqiptari Marash Dukaj, ka reaguar lidhur me një incident që është raportuar mbrëmjen e djeshme në kufirin mes Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku shqiptarë të diasporës kanë pretenduar se janë ndaluar në pikën kufitare. Një prej shqiptarëve të diasporës ka pretenduar gjithashtu se policia malazeze u kërkoi atyre që të hiqnin flamujt shqiptarë dhe simbolet kombëtare nga automjetet, gjatë kalimit në kufij. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Dukaj është shprehur kundër trajtimit të flamurit shqiptar si problem apo kërcënim në Malin e Zi. LEXO EDHE:Transportonte 11 emigrantë drejt Shkodrës për t’i kaluar në Mal të Zi, arrestohet 27-vjeçari! Në kërkim dy bashkëpunëtorët Ministri Dukaj nënvizon gjithashtu se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë dhe se flamuri shqiptar është simbol i identitetit kombëtar të shqiptarëve. “Flamuri shqiptar nuk është kërcënim – ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Mali i Zi, si shtet demokratik dhe evropian, duhet të ketë të njëjtat standarde për të gjithë. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Nuk është mirë që të vazhdojnë standardet e dyfishta ndaj flamurit shqiptar nga ana e Policisë. Nuk ka pse të kenë frikë nga flamujt shqiptarë. Përkundrazi, duhet të respektohen qytetarët që e mbajnë atë”, ka shkruar ministri Dukaj. Më tej, në vijim të reagimit të tij, ministri Dukaj i bën thirrje autoriteteve të Malit të Zi për rregulla më të drejta dhe për respektimin e të drejtave të të gjithë popujve. “Kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve edhe gjatë verës për shkak të flamurit shqiptar në dasma dhe festa, ndërsa mbrëmë ndërhyrja ishte ndaj diasporës shqiptare në pikën kufitare me Bosnjë-Hercegovinën. Ata kanë kaluar nëpër gjithë Evropën dhe vetëm policisë sonë (pra Policisë së Malit të Zi), i ka penguar flamuri shqiptar! Në vend të përpjekjeve të tilla, bëj thirrje që të diskutojmë për rregulla më të mira dhe për respektimin e vazhdueshëm të asaj që u takon të gjithë popujve në Mal të Zi”, thekson ministri Dukaj. Ministri shqiptar në Malin e Zi e mbyll reagimin e tij duke theksuar se flamuri shqiptar jo vetëm që nuk është kërcënim për askënd, por është simbol i identitetit, lirisë dhe vazhdimësisë historike të shqiptarëve. “Dua t’ia kujtoj publikut se vendosja e flamurit shqiptar në Mal të Zi është në përputhje me ligjin dhe se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ia ka dorëzuar simbolet kombëtare Kryetarit të Kuvendit në vitin 2021, më saktësisht më 28 janar 2021. Kryetarit të Kuvendit, Aleksa Bečić, iu dorëzuan etalonet e stemës dhe flamurit, si dhe partitura e himnit të shqiptarëve në Mal të Zi. Delegacioni përbëhej nga Faik Nika, Lindon Gjelaj dhe Genci Nimanbegu”, ka shkruar më tej Dukaj. R.Xh/Shqiptarja.com TAG: mali i zi Bosnje Hercegovina Marash Dukaj simbole kombetare flamuri shqiptar Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (3 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
7 Shtator, 07:56
Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.8% Magjistratëve 16% Nuk e di 6.2% Vota total: 5884 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?
