Lajme Zone
Ndahet nga jeta qëndrestari antikomunist, tiranasi hero Shpëtim Stërmasi
KulturëCNA

Ndahet nga jeta qëndrestari antikomunist, tiranasi hero Shpëtim Stërmasi

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë njofton me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të qëndrestarit antikomunist, ish-të burgosurit politik, anëtarit të Presidencës së Unionit, kryetarit të Unionit për Qarkun e Tiranës, Shpëtim Stërmasi, ose, siç e thirrnim ne, bashkëvuajtësit e tij, Shiku! Shpëtim Stërmasi i përket një familjeje patriotike, atd

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë njofton me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të qëndrestarit antikomunist, ish-të burgosurit politik, anëtarit të Presidencës së Unionit, kryetarit të Unionit për Qarkun e Tiranës, Shpëtim Stërmasi, ose, siç e thirrnim ne, bashkëvuajtësit e tij, Shiku!

Shpëtim Stërmasi i përket një familjeje patriotike, atdhetare, intelektuale dhe qëndrestare antikomuniste të Tiranës. Babai i tij, Ramazan Stërmasi, një specialist profesionist për inxhinierinë elektrike, që dha një kontribut të lartë në ndërtimin e Hidrocentralit të Lanabregasit, por komunizmi e dënoi politikisht si armik të komunizmit dhe, pas dënimit të patriotit Ramazan Stërmasi, diktatura komuniste i dënoi dhe dy djemtë e tij, Shpëtimin dhe Nezir Stërmasin. Nga kjo familje, tre të dënuar politikë! Babai dhe dy djemtë! Ky ishte regjimi gjakatar i Enver Hoxhës! Të cilët i kryen dënimet në kampet çfarosëse të Burrelit dhe Spaçit!

Tiranasit e periudhës diktatoriale e njihnin Shikun, një qytetar qëndrestar, të ndershëm, të fuqishëm, i papajtueshëm me padrejtësinë dhe mbrojtës i palodhur ndaj atyre që nuk kishin mundësinë për ta përballuar padrejtësinë!

Qëndresa dhe përballimi i torturave çnjerëzore nga xhelatët e komunizmit, si xhelati Florian Kolaneci, një mostër i torturave në hetuesinë e Tiranës, jo që nuk e mposhtën Shikun, por e burrëruan dhe më shumë, duke i shtuar lavdinë familjes së njohur dhe atdhetare Stërmasi! Shiku u dashurua dhe u martua me një tiranase të denjë, trime, Shpresa, me të cilën, kur u arrestua, e la djalin tre muajsh dhe, për 15 vite, kjo grua trime, heroinë, do të shkonte me Taulantin e vogël në Spaç dhe Burrel dhe do t’i jepte forcë qëndresës së Shikut tonë të dashur! Këta heronj, babai Ramazani, djemtë Shiku e Neziri, diktatura i dënoi, por nuk mundi t’ju merrte dinjitetin, qytetarinë dhe forcën për të jetuar!

Shik Stërmasi u përket heronjve të pamposhtur të diktaturës, ai qëndroi stoik ndaj xhelatëve të diktaturës dhe kështu e gjeti sistemi i ashtuquajtur demokratik në vitet ’90. Kujtojmë me mall shumë të madh kontributin që jepnin Shiku dhe ne, bashkëvuajtësit e tij, në ’90-’91-’92, duke përçuar paqen dhe jo urrejtjen, një virtyt njerëzor që gjatë këtij tranzicioni komunist nuk e gjetëm tek ata që i shërbyen diktaturës! Shiku, energjik, i palodhur, aspak hakmarrës, filloi detyrat në drejtimin e Policisë së Shtetit. Ai shkoi shef komisariati në Burrel, në vendin ku kreu dënimin politik, por tregoi trimëri, dinjitet dhe jo hakmarrje. Viti i zi i ’97, revolucioni stalinist që pushtoi Shqipërinë, e gjeti Shikun komandant të forcave speciale, ku tregoi largpamësinë dhe profesionalizmin e tij, duke shmangur vëllavrasjet dhe konfrontimet me stalinistët e rinj që morën pushtet me forcën e armëve. Mbas viteve 2000, Shiku do të drejtonte Unionin e të Përndjekurve Politikë të Tiranës deri kur mbylli sytë përgjithmonë.

Ai, së bashku me Shpresën, rritën dhe edukuan dy fëmijë të mrekullueshëm, Taulantin dhe vajzën e vogël të tij. Taulanti u bë një intelektual dhe një trajner i sportit të atletikës, duke dhënë një kontribut të madh në atletikën shqiptare dhe krenonte Shikun e Shpresën, familjen Stërmasi dhe Tiranën e Shqipërinë!

Familjet e mëdha e atdhetare ndërtojnë kombe!

Lamtumirë, Shiku ynë i dashur, ti na ike shpejt, por le vepra të mëdha për Tiranën tënde të dashur! Unioni humbi drejtuesin e palodhur dhe të devotshëm. Familja humbi një ikonë dhe një prind të dashur dhe të mirë!

Dheu i Tiranës qoftë i lehtë, miku, bashkëvuajtësi dhe qytetari i dinjitetshëm, Shik Stërmasi! Emri i juaj do të jetojë për qëndresën dhe dinjitetin njerëzor, duke u bërë frymëzim për brezat! Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.