Muzikanti irlandez fitues i çmimit Oscar, Glen Hansard, ka humbur jetën në një aksident me motor në Dublin.
Hansard, 56 vjeç, ishte frontmeni i grupit rock The Frames dhe u bë gjithashtu i njohur për rolin e tij në filmin “The Commitments”.
Ai fitoi çmimin Oscar për këngën më të mirë origjinale në vitin 2008 me këngën “Falling Slowly”, të cilën e shkroi për filmin me buxhet të ulët “Once”.
I lindur në Dublin në vitin 1970, Hansard nisi karrierën e tij duke kënduar në rrugët e qytetit, përpara se të merrte rolin e Outspan Foster në filmin “The Commitments”.
Policia irlandeze ka bërë thirrje për dëshmitarë pas aksidentit me një mjet të vetëm, i cili ndodhi në Lower Road, në zonën Lucan, në perëndim të Dublinit. Ngjarja iu raportua shërbimeve të emergjencës pak para orës 04:30 të mëngjesit, sipas orës lokale.
Hansard ishte gjithashtu pjesë e dyshes muzikore rock The Swell Season dhe publikoi disa albume solo, përfshirë “Didn't He Ramble”, i cili u nominua për një çmim Grammy në vitin 2016 në kategorinë “Albumi më i mirë Folk”.
Ai ishte baba i një djali trevjeçar.
Kryeministri irlandez Micheál Martin reagoi për ndarjen nga jeta të artistit, duke u shprehur se ishte “thellësisht i tronditur” nga lajmi.
Ai e përshkroi Hansard si një “muzikant dhe aktor të talentuar, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në peizazhin kulturor të Irlandës për shumë vite”.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, miqtë dhe fansat e tij”, shkroi Martin.
“Thellësisht të tronditur”
Në një deklaratë, kompania ATC Management, e cila përfaqësonte Hansard, njoftoi lajmin e hidhur.
“Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta të Glen Hansard, i cili ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm pas një aksidenti rrugor në Dublin”, thuhej në deklaratë.
Familja e tij u shpreh “thellësisht e tronditur dhe e shkatërruar nga kjo humbje tragjike” dhe kërkoi privatësi në këtë periudhë të vështirë.
“Familja është mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë dhe falënderon shërbimet e emergjencës që ndërhynë në vendngjarje”, vijonte deklarata.
Hansard luajti përkrah muzikantes çeke Markéta Irglová në filmin e vitit 2007 “Once”.
Në film, ata interpretojnë dy muzikantë që takohen në Dublin dhe krijojnë një bashkëpunim artistik, duke performuar këngët që shkruajnë së bashku si pjesë e projektit The Swell Season.
Filmi fitoi çmimin e publikut në kategorinë World Cinema në Festivalin e Filmit Sundance.
Më vonë, një përshtatje e filmit për Broadway, e cila përfshinte këngët e Hansard dhe Irglová, fitoi tetë çmime Tony, përfshirë edhe çmimin për Musical-in më të mirë.

