Një i mitur, 15 vjeç, ka rrëfyer për Shqipëria Live momente e arrestimit nga policia në protestë, dhunën e ushtruar dhe mbajtjen për 72 orë në burg. Ai tregoi se pasi i arrestuan së bashku me disa prej shokëve që kishin dalë në protestë, i dërguan në ambientet e Ministrisë së Arsimit, ku sipas tij i kanë dhunuar. Më pas i kanë dërguar për 72 orë në burg. “Na futën te ministria, mund të kemi qenë mbi 15 veta. Na mbajtën 30 minuta dhe na kanë dhunuar me shkopinj gome. Na bënin presion: “Rrini në tokë”, na shanin dhe na provokonin që ne të bënim ndonjë reagim dhe ata të na qëllonin.
Isha me maskë prej gazit lotsjellës. Erdhi një moment që brenda në dhomë erdhi shumë gaz lotsjellës dhe na mbyllën derën, na lanë aty derisa të mbyteshim. Pastaj na morën me furgon dhe na çuan te komisariati nr. 4.
Na bënë pyetje, unë i ktheva përgjigje, na bënë foto, na lanë në një dhomë të vogël me tre karrige, mbi 8 orë. Pastaj i thanë të shtëpisë që unë duhej të rrija në burg për 72 orë. Dhe përfunduam te Mine Peza për 72 orë.
Na mbajtën. Nuk themi që ka qenë keq fare për ushqimin apo kërkesat tona, por ambienti ka qenë shumë i keq, vetëm një krevat dhe dy dyshekë poshtë. Jam trembur më shumë prej dhunës së Shqiponjave. Është hera e parë që shkoj në protestë.
Doja të isha në protestë, më shumë për veten time dhe për presion që na bëjnë…”, u shpreh i mituri. Top Channel

