Lajme Zone
Fantazma e Depresionit të Madh
PolitikëPamfleti

Fantazma e Depresionit të Madh

Kur shpërtheu Depresioni i Madh në vitin 1929, ekonomia botërore u përball me një paradoks dramatik: kapacitetet prodhuese ekzistonin, por sistemi financiar dhe rënia e fuqisë blerëse po e pengonin ekonominë të funksiononte. Fabrikat mbylleshin, bankat falimentonin, miliona njerëz humbnin vendet e punës dhe prodhimet mbeteshin pa treg. Kriza nuk ishte thjesht mungesë burimesh financiare, por edhe paaftësi e sistemit ekonomik për të ruajtur qarkullimin e parasë, punës dhe konsumit.

Foto Pamfleti / Një shekull pas krizës së madhe, bota prodhon më shumë se kurrë, por miliona njerëz nuk kanë çati mbi kokë. A do të përdoret teknologjia për mirëqenie apo ekonomia do të vihet sërish në shërbim të luftës? Gati një shekull pas krizës së vitit 1929, njerëzimi zotëron teknologji që mund të prodhojnë më shpejt dhe më lirë se kurrë. Por miliona njerëz e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë një jetë normale. A po rikthehen kontradiktat që dikur tronditën ekonominë dhe rendin botëror? Kur shpërtheu Depresioni i Madh në vitin 1929, ekonomia botërore u përball me një paradoks dramatik: kapacitetet prodhuese ekzistonin, por sistemi financiar dhe rënia e fuqisë blerëse po e pengonin ekonominë të funksiononte. Fabrikat mbylleshin, bankat falimentonin, miliona njerëz humbnin vendet e punës dhe prodhimet mbeteshin pa treg. Kriza nuk ishte thjesht mungesë burimesh financiare, por edhe paaftësi e sistemit ekonomik për të ruajtur qarkullimin e parasë, punës dhe konsumit.

Gati një shekull më vonë, historia po përsëritet, natyrisht jo në ato përmasa. Megjithatë, disa nga kontradiktat e asaj kohe po shfaqen në forma të reja.

Sot kemi robotë që prodhojnë automjete, inteligjencë artificiale që kryen punë komplekse dhe teknologji ndërtimi që mund të ulin ndjeshëm koston e banesave. Por, ndërkohë, miliona të rinj nuk arrijnë të blejnë një shtëpi. Për shumë prej tyre, edhe pagesa e qirasë është kthyer në një barrë të rëndë.

Si është e mundur që njerëzimi ka arritur një nivel kaq të lartë zhvillimi teknologjik, ndërsa një pjesë e shoqërisë e ka gjithnjë e më të vështirë të sigurojë nevojat më elementare?

Historia e Depresionit të Madh na ndihmon ta kuptojmë këtë kundërthënie.

Në vitet 1930, presidenti amerikan Franklin Roosevelt ndërhyri me programin New Deal. Shteti investoi në rrugë, ura, diga, energji dhe punësim. U reformua sistemi bankar dhe u hodhën themelet e një mbrojtjeje më të gjerë sociale. Më vonë, mobilizimi industrial gjatë Luftës së Dytë Botërore e nxori përfundimisht ekonominë amerikane nga papunësia masive, megjithëse lufta solli shkatërrime të jashtëzakonshme njerëzore dhe materiale.

Një shembull i thjeshtë tregon se si ndryshoi mënyra e të menduarit. Gjatë luftës, Amerika u përball me mungesën e gomave për automjetet. Në vend që të mbështetej vetëm te furnizimet e zakonshme, nisi racionalizimin, riparimin dhe riveshjen e gomave të përdorura, ndërsa industria zhvilloi prodhimin e gomës sintetike. Ishte një zgjidhje praktike për një nevojë konkrete, e mundësuar nga ndërhyrja e shtetit dhe përshtatja e industrisë.

Sot, një nga nevojat më të mëdha të brezit të ri është strehimi.

Në Kinë ofrohen banesa të parafabrikuara që reklamohen me çmime rreth 10 mijë dollarë. Natyrisht, kjo nuk është kostoja përfundimtare e një shtëpie të gatshme për banim, sepse duhen llogaritur toka, transporti, infrastruktura dhe instalimi. Por shembulli tregon se teknologjia po krijon mundësi të reja për të ulur kostot e ndërtimit.

Atëherë, përse një i ri duhet të marrë përsipër një kredi tridhjetëvjeçare për të siguruar një banesë modeste? Përse ndërtimi i banesave të përballueshme nuk trajtohet me të njëjtën seriozitet si zhvillimi i industrive strategjike? Këto pyetje nuk janë vetëm ekonomike. Janë thellësisht politike.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë vende perëndimore ndërtuan një marrëveshje të re shoqërore. Rritja ekonomike u shoqërua me zgjerimin e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe mundësive për strehim. Miliona familje arritën të krijonin një jetë më të mirë se brezi i mëparshëm.

Sot, kjo pritshmëri është dobësuar. Në shumë vende (përfshirë edhe Shqipërinë), çmimet e banesave janë jashtë realitetit, pa asnjë lidhje me mundësitë e atyre që jetojnë me pagë. Ndërkohë, përfitimet e teknologjisë dhe të rritjes së produktivitetit nuk shpërndahen gjithmonë në mënyrë të barabartë.

Paradoksi bëhet edhe më i dukshëm kur shohim prioritetet e qeverive. Përballë tensioneve gjeopolitike, shtetet po mobilizojnë burime të mëdha për armatimin, sigurinë dhe industrinë ushtarake. Këto shpenzime lidhen me nevoja reale të mbrojtjes, por tregojnë edhe se, kur ekziston vullneti politik, shteti mund të orientojë investime, industri dhe teknologji drejt një objektivi të caktuar.

Përse të mos mobilizohet një përpjekje e ngjashme për banesat, energjinë e lirë dhe sigurinë ekonomike të brezit të ri?

Kjo pyetje vlen shumë për Shqipërinë, ku një pjesë e të rinjve e shohin emigracionin si mundësinë e vetme për të ndërtuar të ardhmen, ndërsa blerja e një banese në qytetet kryesore mbetet një sfidë e madhe për familjet që jetojnë me të ardhura nga puna.

Depresioni i Madh na mësoi se tregu nuk arrin gjithmonë t'i zgjidhë vetë krizat e tij. Por na mësoi gjithashtu edhe se: kur pasiguria ekonomike shndërrohet në humbje të shpresës, pasojat mund të jenë shumë më të rënda se thjesht ekonomike.

Në vitet 1930, kriza financiare ushqeu edhe tronditje të mëdha politike. Në disa vende, dëshpërimi shoqëror u shfrytëzua nga lëvizjet autoritare dhe nacionaliste. Bota përfi në një luftë shkatërrimtare, edhe pse lufta nuk ishte vetëm pasojë e depresionit.

Sot e kemi mundësinë të nxjerrim mësim nga historia, pa qenë nevoja të përsërisim tragjeditë e saj.

Sfida më e madhe e kohës sonë është të ndërtojmë një ekonomi ku përparimi teknologjik përmirëson realisht jetën e shumicës.

Sepse një shoqëri që mund të prodhojë gjithçka, por nuk arrin t'u sigurojë të rinjve një çati mbi kokë, problemin e ka tek prioritetet.

Dhe ky është paralajmërimi më i rëndësishëm që na vjen nga Depresioni i Madh: krizat nuk bëhen të rrezikshme kur njerëzit humbasin punën, por kur humbasin besimin se puna mund t'u sigurojë një të ardhme./Pamfletifantazma e depresionit të madh gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Si të shmangim komunizmin dhe ta shpëtojmë kapitalizmin nga të pangopurit? 19 Tetor 2026, 11:0411:04Editorial Nga çadrat pistoletë tek dronët me eksploziv 18 Tetor 2026, 14:1714:17Editorial Brezi i ri sfidon dyshen që mban peng vendin 17 Tetor 2026, 15:5815:58Editorial Edi, je shumë i gjatë për t’u fshehur pas agjenturave të huaja 16 Tetor 2026, 11:1511:15Editorial Arroganca e Edi Ramës, arkitektja e shkatërrimit të Tiranës 15 Tetor 2026, 10:3510:35Editorial A ka turp kjo Mirela? 14 Tetor 2026, 12:2712:27Editorial