Lajme Zone
“Na kanë marrë rrugën!”/ 130 banorë në protestë kundër kompanisë së ndërtimit, kallëzim penal për “TDT & PARTNERS”
KulturëBalkanWeb

“Na kanë marrë rrugën!”/ 130 banorë në protestë kundër kompanisë së ndërtimit, kallëzim penal për “TDT & PARTNERS”

Banorët e pallatit “Kika 1”, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, janë ngritur në protestë kundër kompanisë së ndërtimit “TDT & PARTNERS” sh.p.k. me pronarë Glendi Abdi, Dajlan Avdia dhe administrator Klejdi Ngjela, duke e akuzuar se po përdor në mënyrë të paligjshme rrugën private të kompleksit për kalimin e mjeteve të rënda të kantierit. Sipas banorëve, përdorimi i rrugës po shkakton bllokim të qarkullimit, dëmtime të infrastrukturës dhe shqetësime të vazhdueshme për komunitetin.

Banorët e pallatit “Kika 1”, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, janë ngritur në protestë kundër kompanisë së ndërtimit “TDT & PARTNERS” sh.p.k. me pronarë Glendi Abdi, Dajlan Avdia dhe administrator Klejdi Ngjela, duke e akuzuar se po përdor në mënyrë të paligjshme rrugën private të kompleksit për kalimin e mjeteve të rënda të kantierit. Sipas banorëve, përdorimi i rrugës po shkakton bllokim të qarkullimit, dëmtime të infrastrukturës dhe shqetësime të vazhdueshme për komunitetin. Banorët akuzojnë kompaninë se po sillet sikur rruga e kompleksit të jetë pjesë e kantierit të saj, ndërsa sipas tyre ajo është pronë që u shërben banorëve për hyrje-dalje dhe akses në parkime. Ata thonë se kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë po cenon përdorimin normal të pronës dhe po krijon rrezik për banorët, automjetet dhe mjetet e emergjencës. Përplasja mes banorëve dhe kompanisë ka kaluar tashmë edhe në rrugë ligjore. Banorët dhe bashkëpronarët e kompleksit kanë depozituar kallëzim penal ndaj administratorit të “TDT & PARTNERS”, Klejdi Ngjela, ndaj shoqërisë si person juridik, si dhe ndaj drejtuesve dhe personave të tjerë përgjegjës që mund të identifikohen gjatë hetimit. Në kallëzimin penal, banorët pretendojnë se sipërfaqja nëpër të cilën kalojnë mjetet e rënda nuk është rrugë publike, por pjesë e pronës së përbashkët dhe hapësirë funksionale e kompleksit. Ata thonë se kompanisë nuk i është paraqitur asnjë titull pronësie, servitut i regjistruar, marrëveshje me bashkëpronarët apo vendim gjyqësor që do ta autorizonte përdorimin e kësaj rruge. Në dokumentacionin e kallëzimit kërkohet këqyrja urgjente e vendit, verifikimi i pronësisë dhe i çdo titulli ligjor që mund të ketë kompania për përdorimin e rrugës, si dhe kontrolli i plotë i dosjes së lejes së ndërtimit dhe dokumentacionit të kantierit. Banorët kërkojnë gjithashtu identifikimin e personave që kanë urdhëruar apo organizuar hyrjen e mjeteve të rënda dhe ekspertizë për përcaktimin e kufijve të pronës, dëmit të mundshëm dhe rrezikut të krijuar. Përplasja ka marrë përmasa të konsiderueshme, pasi një kërkesë e datës 31 gusht 2026 rezulton e nënshkruar nga 130 banorë dhe i është drejtuar autoriteteve përgjegjëse. Banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të ndaluar përdorimin e rrugës pa një bazë të qartë ligjore dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.

Në dokumentacionin e tyre ata kanë administruar edhe një shkresë të Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tiranë Jug, të datës 21 gusht 2026, së bashku me kartelën e pasurisë dhe fragmentin e hartës kadastrale, të cilat sipas tyre mbështesin pretendimin se bëhet fjalë për sipërfaqe funksionale të kompleksit.

Tashmë topi është në fushën e institucioneve, të cilat duhet të përcaktojnë nëse “TDT & PARTNERS” ka apo jo të drejtë ligjore të përdorë këtë hapësirë për aktivitetin e kantierit. Ndërkohë, banorët thonë se nuk do të tërhiqen dhe se do të vijojnë betejën për atë që e konsiderojnë pronën e tyre të përbashkët. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb