Lajme Zone
“Mullinjtë e vjetër në Kosovë”, punimi që u zgjodh për ekspozitën e Universitetit Teknik të Vjenës – arkitektja Lika rrëfen rrugëtimin e saj
KulturëTelegrafi

“Mullinjtë e vjetër në Kosovë”, punimi që u zgjodh për ekspozitën e Universitetit Teknik të Vjenës – arkitektja Lika rrëfen rrugëtimin e saj

Punimi i saj i masterit, kushtuar trashëgimisë së mullinjve të vjetër të ujit në Kosovë, u përzgjodh në mesin e 57 punimeve që u prezantuan në ekspozitën “Archdiploma” në Universitetin Teknik të Vjenës (TU Wien), nga rreth 600 tema masteri.

Punimi i saj i masterit, kushtuar trashëgimisë së mullinjve të vjetër të ujit në Kosovë, u përzgjodh në mesin e 57 punimeve që u prezantuan në ekspozitën “Archdiploma” në Universitetin Teknik të Vjenës (TU Wien), nga rreth 600 tema masteri.Një histori suksesi nga diaspora shqiptare vjen nga Austria, ku arkitektja kosovare Nora Lika ka arritur një vlerësim të rëndësishëm akademik, duke prezantuar në një ekspozitë të Universitetit Teknik të Vjenës punimin e saj të masterit, të cilin ia ka kushtuar mullinjve të vjetër të ujit në Kosovë. Përmes këtij hulumtimi, ajo ka identifikuar, dokumentuar dhe studiuar më shumë se 70 mullinj në pjesë të ndryshme të vendit, duke trajtuar vlerat e tyre arkitekturore, historike dhe kulturore, shkruan Telegrafi. Punimi me titull “The Old Mills of Kosovo. Historical Background, Documentation and Analysis” u përzgjodh për ekspozitën “Archdiploma” në TU Wien, ku u prezantuan 57 punime të përzgjedhura nga rreth 600 tema masteri. Për Norën, kjo arritje kishte një domethënie të veçantë, jo vetëm si vlerësim për punën e saj akademike, por edhe për faktin se tema e hulumtimit lidhet drejtpërdrejt me trashëgiminë kulturore të Kosovës.Në një intervistë me shkrim për Telegrafin, Nora Lika rrëfen rrugëtimin e saj akademik dhe profesional, përvojën e studimeve në Austri, sfidat gjatë realizimit të punimit të masterit dhe planet për të ardhmen. Telegrafi: Fillimisht, a mund të na tregoni më shumë për veten tuaj dhe rrugëtimin tuaj akademik e profesional? Si nisi historia juaj e studimeve në Austri dhe pse zgjodhët pikërisht Universitetin Teknik të Vjenës (TU Wien)?Jam arkitekte nga Kosova dhe rrugëtimin tim akademik e kam nisur në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), ku kam përfunduar studimet bachelor në Arkitekturë. Dëshira për të zgjeruar njohuritë profesionale dhe për të përjetuar një qasje tjetër ndaj arkitekturës më shtyu që studimet t’i vazhdoja jashtë vendit.Për studimet master zgjodha Universitetin Teknik të Vjenës (TU Wien), një institucion me traditë të gjatë akademike dhe reputacion ndërkombëtar në fushën e arkitekturës. Vlerësova veçanërisht mundësinë për të studiuar në një mjedis ku ndërthuren qasjet bashkëkohore të projektimit me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Natyrisht, një tjetër arsye ishte edhe dëshira për të përjetuar jetën në Vjenë, një qytet që prej vitesh renditet ndër qytetet më të jetueshme në botë. Gjatë studimeve në TU Wien, pata mundësinë t’i thelloja njohuritë në fushën e arkitekturës, me fokus të veçantë në arkitekturën e qëndrueshme dhe trashëgiminë kulturore. Ky rrugëtim më ndihmoi të zhvilloja jo vetëm aftësitë profesionale, por edhe një qasje më kritike dhe gjithëpërfshirëse ndaj arkitekturës dhe rolit të saj në shoqëri.Telegrafi: Punimi juaj i masterit është përzgjedhur për ekspozitën “Archdiploma” në TU Wien. Çfarë përfaqëson kjo arritje për ju dhe si e pritët lajmin për përzgjedhjen e projektit tuaj?Përzgjedhja e punimit tim “The Old Mills of Kosovo. Historical Background, Documentation and Analysis” për ekspozitën “Archdiploma” në TU Wien ishte një moment shumë i veçantë për mua dhe një privilegj, duke qenë se kjo ekspozitë përfaqëson një mundësi shume të rëndësishme prezantimi për studentët e arkitekturës në TU Wien dhe është një nga synimet që shumë prej tyre dëshirojnë ta arrijnë gjatë studimeve. Ishte gjithashtu një vlerësim i rëndësishëm për punën dhe përkushtimin e investuar gjatë studimeve master.Për mua, kjo përzgjedhje kishte një domethënie edhe më të madhe, sepse bëhej fjalë për një temë të lidhur drejtpërdrejt me Kosovën dhe trashëgiminë e saj kulturore. Lajmin e prita me shumë emocion dhe mirënjohje. Ishte kënaqësi të shihja se një temë që buron nga konteksti ynë dhe nga trashëgimia jonë mund të marrë vëmendje dhe vlerësim edhe në një mjedis akademik ndërkombëtar. Mbi të gjitha, këtë arritje e konsideroj si një motivim për të vazhduar të hulumtoj dhe të kontribuoj në trajtimin e çështjeve që lidhen me arkitekturën e qëndrueshme dhe trashëgiminë kulturore. Telegrafi: A mund të na shpjegoni më konkretisht se për çfarë trajton punimi juaj i masterit, cila ishte ideja kryesore dhe çfarë synuat të arrinit përmes këtij projekti?Punimi im i masterit trajton mullinjtë e vjetër të ujit në Kosovë, një kategori e trashëgimisë sonë arkitekturore dhe kulturore që, pavarësisht vlerës historike, shoqërore dhe teknike, nuk ka marrë gjithmonë vëmendjen e merituar. Gjatë hulumtimit jam fokusuar në identifikimin, dokumentimin dhe studimin e më shumë se 70 mullinjve të ujit në pjesë të ndryshme të Kosovës. Përmes këtij procesi kam synuar të kuptoj jo vetëm karakteristikat e tyre arkitekturore dhe mënyrën e ndërtimit, por edhe marrëdhënien që këto struktura kanë pasur me peizazhin, burimet ujore dhe jetën e komuniteteve lokale.Ideja kryesore e projektit ishte që mullinjtë të mos trajtohen vetëm si ndërtesa të së kaluarës, por si pjesë e një trashëgimie që mund të interpretohet dhe të rivlerësohet në kontekstin bashkëkohor. Një aspekt i rëndësishëm i punimit ishte pikërisht lidhja ndërmjet ruajtjes së trashëgimisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Besoj se ruajtja e trashëgimisë nuk duhet të kufizohet vetëm në konservimin fizik të ndërtesave, por duhet të përfshijë edhe kuptimin e vlerave, historive dhe njohurive që ato bartin. Përmes këtij projekti kam dashur të kontribuoj në dokumentimin e një pjese të trashëgimisë sonë që rrezikon të humbasë, si dhe të nxis diskutimin mbi mundësitë e vlerësimit, ruajtjes dhe revitalizimit të saj. Telegrafi: Cilat ishin sfidat më të mëdha gjatë studimeve dhe realizimit të punimit të masterit? Sa përkushtim, kohë dhe punë është dashur për të arritur deri te ky sukses?Një nga sfidat më të mëdha ishte vetë natyra e temës. Hulumtimi i mullinjve të vjetër të ujit kërkonte një qasje të gjerë, pasi bëhej fjalë për struktura të shpërndara në lokacione të ndryshme dhe për një kategori të trashëgimisë që nuk është dokumentuar mjaftueshëm. Përtej aspektit akademik, sfidë ishte edhe ndërlidhja e hulumtimit teorik me realitetin në terren. Për të kuptuar vlerën e këtyre ndërtesave, ishte e rëndësishme të shiheshin ato në kontekstin e tyre, të kuptoheshin karakteristikat arkitekturore dhe marrëdhënia me mjedisin përreth.Në këtë proces, një rol të rëndësishëm kanë pasur edhe njerëzit që kam takuar gjatë hulumtimit. U jam mirënjohëse të gjithë atyre me të cilët kam biseduar, që kanë ndarë informacione dhe përvoja, si dhe të gjithë atyre që, në një mënyrë apo tjetër, kanë kontribuar në realizimin e këtij punimi. Kontributi dhe gatishmëria e tyre për të ndarë njohuritë kanë qenë një pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe kanë ndihmuar që punimi të marrë formën përfundimtare. Njëkohësisht, studimet në një universitet me kërkesa të larta akademike kërkonin shumë disiplinë, organizim dhe përkushtim. Punimi i masterit nuk ishte thjesht një projekt që duhej përfunduar brenda një afati, por një proces i gjatë hulumtimi, analizimi dhe zhvillimi të vazhdueshëm të ideve. Besoj se suksesi nuk është rezultat i një momenti të vetëm, por i shumë orëve të punës, këmbënguljes dhe gatishmërisë për të kaluar përtej asaj që kërkohet minimalisht. Në fund, përzgjedhja në “Archdiploma” ishte një vlerësim që e bëri gjithë këtë proces edhe më domethënës. Telegrafi: Si ka qenë përvoja juaj e studimit dhe jetesës në Austri? Çfarë ju ka mësuar ky rrugëtim, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal?Përvoja e studimit dhe jetesës në Austri ka qenë një nga periudhat më formuese të jetës sime. Të studiosh në një vend tjetër do të thotë të dalësh nga zona e rehatisë, të përshtatesh me një kulturë të re dhe të përballesh me mënyra të ndryshme të të menduarit dhe të punuarit. Në aspektin profesional, studimet në TU Wien më kanë ndihmuar të kuptoj rëndësinë e hulumtimit, argumentimit dhe qasjes kritike ndaj projektimit arkitektonik. Gjithashtu, më kanë mësuar se arkitektura nuk duhet të shihet vetëm si krijim i formave dhe hapësirave, por si një disiplinë që ka përgjegjësi ndaj shoqërisë, mjedisit dhe historisë. Në aspektin personal, ky rrugëtim më ka bërë më të pavarur, më të durueshme dhe më të sigurt në aftësitë e mia. Të jetosh dhe të studiosh larg vendit tënd të mëson të mbështetesh te vetja, të përballosh sfidat dhe të vlerësosh edhe më shumë vendin prej nga vjen. Një nga gjërat më të rëndësishme që kam kuptuar është se studimi jashtë vendit nuk të largon domosdoshmërisht nga vendi yt; përkundrazi, mund të të japë një perspektivë më të qartë për potencialin që ai ka dhe për kontributin që mund të japësh kur kthehesh.Telegrafi: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? A e shihni karrierën tuaj profesionale në Austri apo keni në plan që njohuritë dhe përvojën e fituar t’i vini në shërbim edhe të Kosovës?E ardhmja ime profesionale është e lidhur ngushtë me dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës, duke vënë në praktikë njohuritë dhe përvojën e fituar gjatë studimeve jashtë vendit.Aktualisht jam e angazhuar profesionalisht në Kosovë si konsulente/eksperte në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në Projektin e Banimit Social Adekuat. Ky angazhim më ka mundësuar që arkitekturën ta shoh edhe përtej projektimit të ndërtesave, duke e kuptuar si pjesë të politikave publike, zhvillimit hapësinor dhe përmirësimit të kushteve të jetesës. Paralelisht, kam themeluar dhe zhvilloj aktivitetin tim përmes një studioje arkitekture, ku vazhdoj të përmbush pasionin për projektimin dhe dizajnin. Gjithashtu, jam e angazhuar vullnetarisht në organizata të ndryshme joqeveritare, përmes të cilave kontribuoj në iniciativa që lidhen me mbrojtjen e mjedisit. Besoj se arkitektura dhe përgjegjësia ndaj mjedisit janë fusha që ndërlidhen ngushtë dhe që kërkojnë angazhim përtej profesionit.Njëkohësisht, jam në fazat fillestare për vazhdimin e studimeve të doktoratës në TU Wien, duke synuar që të ndërthur angazhimin profesional me hulumtimin shkencor.Për mua, është shumë e rëndësishme që njohuritë dhe përvoja e fituar gjatë studimeve jashtë vendit të mos mbeten vetëm përvojë individuale, por të shndërrohen në vlerë dhe kontribut për vendin tonë. Besoj se zhvillimi professional ndërkombëtar, angazhimi në Kosovë dhe vazhdimi i hulumtimit akademik mund të plotësojnë njëri-tjetrin. Synimi im është që përmes këtyre angazhimeve të vazhdoj të zhvillohem profesionalisht, por njëkohësisht të kontribuoj në zhvillimin e arkitekturës dhe në trajtimin e çështjeve që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë. Telegrafi: Në fund, çfarë mesazhi do t’u përcillnit të rinjve shqiptarë që synojnë të studiojnë jashtë vendit, të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të arrijnë suksese në fusha të ndryshme? Mesazhi im për të rinjtë është që të mos kenë frikë të synojnë më shumë dhe të dalin nga zona e tyre e komfortit. Mundësitë për të studiuar dhe për t’u zhvilluar profesionalisht ekzistojnë, por ato kërkojnë guxim, përkushtim dhe shumë punë. Studimet jashtë vendit nuk janë gjithmonë të lehta. Ka sfida, pasiguri dhe momente kur gjërat nuk shkojnë sipas pritshmërive. Megjithatë, pikërisht këto përvoja janë pjesë e procesit të rritjes dhe zhvillimit personal. Do t’u këshilloja që të mos e matin suksesin vetëm përmes diplomave apo vlerësimeve, por përmes asaj se çfarë arrijnë të ndërtojnë me njohuritë e tyre dhe çfarë ndikimi kanë në shoqëri. Dhe mbi të gjitha, të mos e harrojnë vendin prej nga vijnë. Të studiojmë jashtë është një mundësi e jashtëzakonshme, por edhe një përgjegjësi për të sjellë ide, përvoja dhe perspektiva të reja. Besoj se Kosova ka shumë potencial dhe se të rinjtë kanë një rol të rëndësishëm në realizimin e tij.Ndryshe Lika ka përfunduar studimet bachelor në Arkitekturë në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), ndërsa studimet master i ka vazhduar në Universitetin Teknik të Vjenës. Aktualisht është e angazhuar profesionalisht në Kosovë si konsulente/eksperte në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në Projektin e Banimit Social Adekuat. Krahas kësaj, ka themeluar studion e saj të arkitekturës, kontribuon vullnetarisht në iniciativa për mbrojtjen e mjedisit dhe është në fazat fillestare për vazhdimin e studimeve të doktoratës në TU Wien./Telegrafi/