I paralizuar, i palarë, pa ushqim dhe i braktisur në një banesë me qira. Kjo është gjendja në të cilën Fiks Fare gjeti 66-vjeçarin Vangjel Kovaci në Elbasan. Njeriu që nuk mund të kujdeset më për veten, prej kohësh jetonte në kushte të rënda mjerimi, ndërsa motra, e cila kishte marrë përsipër kujdesin për të, pretendonte se e ushqente, e lante dhe i paguante qiranë. Por pamjet dhe dëshmitë e siguruara nga Fiks Fare tregojnë një realitet krejt tjetër.
Motra pranon se merr pensionin e të vëllait, ndërsa ky i fundit gjendet në gjendje të rëndë, pa kujdesin më minimal njerëzor. Gjithçka nisi me denoncimin e një qytetareje, e cila prej rreth tre vitesh e shihte Vangjelin në gjendje të mjerueshme. Ajo ka një furrë buke përballë banesës së tij dhe tregon se përpiqej ta ndihmonte sa herë kishte mundësi, duke i dhënë bukë, ushqim dhe diçka për të pirë. Sipas saj, 66-vjeçari jetonte i vetëm dhe motra e vizitonte shumë rrallë. Kohët e fundit gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm. Një ditë me shi, denoncuesja e kishte parë duke u zvarritur dhe duke kërkuar ushqim. E tronditur nga ajo që po shihte çdo ditë, vendosi t’i drejtohej Fiks Fare, me shpresën se dikush do të ndërhynte për ta ndihmuar. Ai kishte jetuar për rreth 30 vite në Greqi, ku kishte krijuar familje me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Sipas informacioneve të siguruara nga Fiks Fare, kishte qenë një baba i përkushtuar dhe një njeri shumë punëtor. Por pesë vite më parë pësoi një paralizë, e cila i ndryshoi tërësisht jetën. I paaftë për të punuar dhe për t’u kujdesur për veten, ai mbeti pa mbështetjen e familjes dhe u kthye në Shqipëri.
Motra i gjeti një banesë me qira në Elbasan dhe u premtoi të afërmve se do të kujdesej për të. Por çfarë ndodhte realisht pas dyerve të asaj banese?
Fiksi solli pamje tronditëse nga banesa e 66 vjeçarit, ai qëndronte i shtrirë në krevat, i palarë, pa ushqimin e nevojshëm dhe në gjendje të rënduar. Nuk ishte në gjendje të lëvizte dhe as të kujdesej për veten. Ishte vetëm, qante dhe mezi arrinte të komunikonte.
Në banesë shkonte dhe një person nga një fondacion që I çonte ushqim një herë në ditë. Ai tregoi se përpiqej t’i siguronte diçka për të ngrënë, por gjendja e Vangjelit po përkeqësohej çdo ditë. Gazetarët e Fiksit kontaktuan Shërbimin Social. Përgjegjësja e zonës deklaroi se ishte në dijeni të rastit, pasi motra e Vangjelit e kishte informuar vazhdimisht se kujdesej për të, e lante, e ushqente dhe i paguante qiranë prej 80 mijë lekësh të vjetra në muaj. Madje, sipas saj, në dokumentacionin e institucionit rezultonte se Vangjelit nuk i mungonte asgjë. Realiteti në banesë nuk përputhej aspak me raportimet që motra kishte bërë në institucion. Kur pyetet punonjësja nëse gjendja e Vangjelit tregonte se dikush po kujdesej për të, ajo mbeti pa fjalë. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, gazetarët telefonuan urgjencën. Mjekët që mbërritën në banesë konstatuan tension të ulët, nivel të ulët oksigjeni dhe rrahje zemre që arrinin në 187 në minutë. Pa humbur kohë, Vangjeli u vendos në barrelë dhe u transportua me urgjencë në spital.
Pas mbërritjes së tij në spital, Shërbimi Social njoftoi motrën, e cila u paraqit për ta takuar. Përballë gazetarëve të Fiks Fare, ajo këmbënguli se kujdesej për të vëllain. Pretendoi se i siguronte ushqimin, e pastronte dhe i paguante qiranë. Kur u pyet për shumën, deklaroi se paguante 80 mijë lekë të vjetra në muaj. Por Fiks Fare verifikoi edhe këtë pretendim. I zoti i banesës i kishte dorëzuar Shërbimit Social një deklaratë me shkrim, ku sqaronte se qiraja mujore ishte vetëm 50 mijë lekë të vjetra. Sipas tij, 20 mijë lekë paguheshin nga njëra motër, 20 mijë nga motra tjetër dhe 10 mijë nga një vëlla i Vangjelit.
Një tjetër pikë e rëndë e kësaj historie ishte pensioni i 66-vjeçarit. Motra pranoi se e merrte pensionin e të vëllait, por mohoi se i mbante paratë për vete. Ajo pretendoi se Vangjelit i jepte vetëm 20 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa pjesën tjetër e administronte vetë. Një situatë që ngrinte pikëpyetje të forta: nëse pensioni i tij merrej çdo muaj, përse Vangjeli kishte mbetur pa ushqim dhe pa kushtet më elementare të jetesës? Përballë këtyre pretendimeve, në spital ndodhi edhe një përplasje mes motrës dhe personelit mjekësor. Një infermiere i tërhoqi vëmendjen për gjendjen në të cilën ishte sjellë Vangjeli. Ajo i tha se 66-vjeçari kishte qëndruar për një kohë të gjatë pa u larë dhe pa iu ndërruar pampersi, i cili i kishte rrëshqitur deri poshtë gjurit. Në trupin e tij kishte papastërti të grumbulluara prej ditësh.
Ndërkohë, motra kishte refuzuar që Vangjeli të dërgohej në një institucion rezidencial, ku mund të merrte kujdesin e nevojshëm. Sipas informacioneve të Fiks Fare, ajo nuk kishte lejuar nisjen e procedurave për sistemimin e tij, ndërsa kishte kërkuar edhe më shumë para nga Shërbimi Social për kujdestarinë. Përballë kësaj situate, Fiks Fare njoftoi Policinë dhe kërkoi ndërhyrjen e saj, me qëllim që të mos pengoheshin procedurat për sistemimin e Vangjelit në një institucion ku mund të merrte kujdesin e specializuar. Denoncimi u bë për të kërkuar përgjegjësi për situatën e rëndë në të cilën ishte lënë 66-vjeçari.
Pas ndërhyrjes së mjekëve, pamjet e Vangjelit në spital ishin krejt të ndryshme nga ato të banesës. I larë, i veshur dhe nën kujdesin e personelit shëndetësor, ai dukej më i sistemuar.
Pas kësaj kanë vazhduar procedurat për sistemim në një qendër rezidenciale. Top Channel

