Lajme Zone
Motive nga protesta: Hajdutët edhe në protestë, edhe në qeveri
PolitikëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Motive nga protesta: Hajdutët edhe në protestë, edhe në qeveri

Tensionet e para kanë nisur në protestën në kryeqytet pran...

I kam parë edhe unë pamjet e disa njerëzve të maskuar, që, duke përfituar nga kaosi, tymi e flakët e protestës, u sulen dyqaneve, thyejnë vitrinat dhe vjedhin telefona apo ç’t’u dalë përpara.

Pamje të shëmtuara, pa asnjë dyshim. Vepra të dënueshme, pa asnjë justifikim. Sepse protesta nuk është leje për të vjedhur dhe zemërimi politik nuk të jep të drejtën të shkelësh ligjin.

Por përvoja ime si gazetar, sidomos në vitet ’90, pas ndryshimit të sistemeve, si dhe koha kur shërbeva si ministër i Rendit Publik, më kanë mësuar se në mes të kaosit shfaqen edhe ata që nuk kanë asgjë të përbashkët me kauzën e njerëzve që protestojnë. Për ta, rrëmuja është mundësi, tymi është mbulesë dhe protesta është rast për të vjedhur.

Pra, po, edhe mes protestuesve ka hajdutë.

Siç ka hajdutë edhe në qeveri.

Dhe këtu fillon dallimi që disa bëjnë sikur nuk e shohin.

Hajduti i rrugës thyen një vitrinë dhe vjedh një telefon.

Hajduti i qeverisë vjedh një rrugë të tërë, një tunel, një incenerator, miliona përmes tenderave. Vjedh një copë bregdet apo gjithë malin. Vjedh një spital, një shkollë, një qytet të tërë, gjithë Shqipërinë!

Hajduti në protestë vjedh atë që gjen pas xhamit të thyer. Hajduti në qeveri vjedh pas dokumenteve të firmosura, kontratave të lidhura dhe vendimeve të marra në zyrat e shtetit.

Hajduti i protestës kapet në kamera. Hajduti i qeverisë kapet nga SPAK-u.

Të mos keqkuptohemi: hajduti i protestës duhet të përgjigjet para ligjit. Si keqbërës, si shkelës i ligjit, si hajdut!

Por edhe hajduti i qeverisë duhet të përgjigjet para ligjit, madje edhe më shumë. Duhet të përgjigjet si keqbërës, si shkelës i ligjit, si hajdut!

Sepse, hajduti «i vogël», ai i protestës, pasi mbaron protesta, shkon në shtëpi.

Ndërsa hajduti i madh, ky i qeverisë, shkon në Parlament e na flet për ligjin, për rendin, për kapitullin e sapombyllur të negociatave me Bashkimin Europian! Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.