Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Himarë, ku një elektricist ka ndërruar jetë në krye të detyrës. Sipas burimeve, bëhet fjalë për Bashkim Boci 55-vjeç, punonjës i OSHEE-së, i cili dyshohet se ka humbur jetën teksa po tentonte të rikthente energjinë elektrike gjatë ndërprerjeve të shkaktuara nga moti i keq. Mësohet se 55-vjeçari kishte hipur në një shtyllë elektrike, ku po tentonte të rilidhte një kabllo të energjisë, kur i është shkëputur rripi i sigurisë që e mbante të lidhur në mes. Si pasojë, ai është rrëzuar nga një lartësi prej rreth 9 metrash dhe ka ndërruar jetë. Ndërkohë, i gjithë bregdeti i jugut u godit nga një mot i keq i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe rrufe. Në qytetin e Vlorës, era e fortë ka shkaktuar kaos përgjatë shëtitores së Lungomares, ku karriget dhe tavolinat e lokaleve janë marrë përpara nga stuhia duke fluturuar në mes të rrugës e duke vështirësuar lëvizjen. Rrufetë e njëpasnjëshme kanë ndriçuar qiellin e qytetit bregdetar gjatë gjithë kohës së stuhisë. Stuhi dhe erë e fortë, moti i keq përfshinë Vlorën dhe Himarën (VIDEO)
