Të rinjtë në Ballkan po martohen gjithnjë e më vonë, por shifrat ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Në Bosnje dhe Hercegovinë, gratë martohen mesatarisht në 27.3 vjeç dhe burrat në 30 vjeç. Në Shqipëri, mosha mesatare e martesës së parë është 27.8 vjeç për gratë dhe 31.2 vjeç për burrat, ndërsa në Kosovë gratë martohen rreth 28 vjeç dhe burrat në moshën 31-32 vjeç.
Në Maqedoninë e Veriut, gratë martohen mesatarisht në 27.5 vjeç dhe burrat në 30.2 vjeç, ndërsa në Mal të Zi shifrat janë 28 vjeç për gratë dhe 31 vjeç për burrat. Në Kroaci, martesa ndodh rreth moshës 30 vjeç për gratë dhe 32 vjeç për burrat. Serbia është ndër vendet ku martesa shtyhet më shumë, me një moshë mesatare prej 31.4 vjeç për gratë dhe 34.4 vjeç për burrat.
Në përgjithësi, të rinjtë po presin më gjatë për t’u martuar. Studimet, karriera, puna dhe dëshira për të siguruar një gjendje më të mirë ekonomike përpara krijimit të familjes janë ndër arsyet kryesore. Krahasuar me dekadat e mëparshme, martesa po largohet gjithnjë e më shumë nga fillimi i të 20-ave dhe po shtyhet drejt fundit të të 20-ave dhe fillimit të të 30-ave.

