Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Mos ua faturoni dështimin e turizmit qytetarëve!” / Gent Progni nga protesta: Turistët i tremb kaosi e betonizimi, jo protestat paqësore


Aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni, i pranishëm në protestën që vijon prej më shumë se 70 ditësh kundër kryeministrit Edi Rama, ka denoncuar përpjekjet e qeverisë për të krijuar një alibi se dështimi i sezonit turistik po shkaktohet nga tubimet popullore.

Aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni, i pranishëm në protestën që vijon prej më shumë se 70 ditësh kundër kryeministrit Edi Rama, ka denoncuar përpjekjet e qeverisë për të krijuar një alibi se dështimi i sezonit turistik po shkaktohet nga tubimet popullore. Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Progni theksoi se turistët e huaj vijnë nga vendet demokratike ku protesta është diçka normale, ndërsa arsyet e dështimit të turizmit duhen kërkuar te keqqeverisja: “Dua t’i përgjigjem një retorike që po përgatitet prej kohësh. Thonë se protesta po dëmton turizmin. Jo, turisti nuk largohet sepse disa qytetarë dolën në shesh dhe kërkojnë llogari nga qeveria. Por largohen kur një destinacion turistik zhvillohet pa plan, pa standarde dhe pa menduar se çfarë eksperience do të ketë njeriu që vjen këtu.” Më tej, ai renditi problemet reale strukturore që po dëmtojnë imazhin dhe funksionimin e turizmit në vend, duke refuzuar përgjegjësinë e faturuar te qytetarët: “Këtu fillon problemi i vërtetë, se kur modeli dështon duhet gjetur një fajtor. Thonë turizmi nuk shkoi mirë për shkak të protestave. Jo, mos ia faturoni qytetarëve faturën e qeverisjes tuaj! Protesta nuk ndërtoi pa kriter, nuk betonizoi bregdetin, nuk la qytete pa parkingje, nuk projektoi rrugë që bllokohen çdo verë, nuk la vendin të digjej, nuk krijoi kaosin urban.” Në përmbyllje, Progni u bëri thirrje autoriteteve të marrin përgjegjësi për dështimet e tyre politike e infrastrukturore në vend që të përdorin qytetarët si alibi:

“Në çdo demokraci, protesta është dëshmi që një shoqëri është e gjallë. Një turist evropian nuk trembet kur sheh qytetarë që protestojnë paqësisht. Ai vjen nga vende ku protesta është pjesë normale e demokracisë. Ajo që e tremb është kaosi, pasiguria, mungesa e standardeve dhe një shtet që nuk funksionon.”

“Prandaj mos përgatisni alibi që tani! Nëse turizmi dështon, përgjegjësinë kërkojeni te politika që keni djegur, te infrastruktura që nuk keni ndërtuar dhe modeli që keni krijuar. Protesta nuk është problemi i Shqipërisë, por reagim ndaj problemeve të Shqipërisë. Dështimin tuaj nuk do të lejojmë t’ua faturoni qytetarëve që kanë guxim për të protestuar.” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb