Restoranti në Kuç të Vlorës, ku Edi Rama mblodhi kryebashkiakët për të diskutuar reformën territoriale / Edi Rama mblodhi kryetarët e bashkive në Kuç për të diskutuar hartën e re territoriale. Kryeministri nuk po pyet si mund ta afrojë pushtetin vendor me qytetarin, por si mund ta përshtatë territorin me pushtetin që kontrollon... Humori popullor tregon një anekdotë për Kuçin. Një banor i fshatit pyet një francez se nga vjen. “Nga Parisi”, i përgjigjet francezi. Kuçioti e ngushëllon: “Mos u mërzit, do ta bëjmë edhe Parisin si Kuçin e Vlorës”.
Anekdota nuk përqesh Kuçin dhe as banorët e tij. Ajo përqesh mendjemadhësinë dhe arrogancën e njeriut që e vendos veten në qendër të botës dhe pastaj kërkon ta rindërtojë botën sipas përmasave të veta.
Pikërisht për këtë arsye, Edi Rama nuk mund të gjente skenë më simbolike për mbledhjen me kryetarët e bashkive. Kryeministri i thirri në Kuç për të diskutuar reformën administrativo-territoriale, ndërsa në takim morën pjesë edhe drejtues të bashkive që mund të shkrihen. Shqipëria ka probleme me financimin vendor, shërbimet publike, përfaqësimin, largimin e popullsisë dhe përqendrimin e pushtetit. Rama, megjithatë, e fillon zgjidhjen nga harta.
Mos u mërzisni për bashkinë tuaj. Rama do të bëjë atë që i duhet Partisë Socialiste. Mos u mërzisni nëse qendra administrative largohet edhe më shumë. Do të merrni një portal elektronik. Mos u mërzisni nëse fshati humbet përfaqësuesin e vet. Kryetari i bashkisë së madhe do të flasë në emrin tuaj. Mos u mërzisni nëse buxheti nuk mbërrin te njësia administrative. Kryeministri do t’ju tregojë në ekran se sa shumë ka ndryshuar territori.
Problemi i reformës nuk qëndron te Kuçi. Problemi qëndron te modeli ku një kryeministër mbledh vartësit politikë për të diskutuar kufijtë e pushtetit që ai vetë kontrollon. Kryetarët socialistë të bashkive nuk shkojnë në atë tryezë si përfaqësues të pavarur të komuniteteve. Ata shkojnë si pjesë e piramidës politike të PS-së. Shumica prej tyre e kanë marrë mandatin nga Edi Rama dhe varen nga qeveria për investimet, transfertat, fondet dhe mbështetjen partiake. Kryeministri kërkon tani opinionin e njerëzve të cilëve u kontrollon të ardhmen politike.
Ky proces ngjan me një pronar që pyet administratorët se si duhet ta ndajë pronën e vet. Shqipëria, megjithatë, nuk është pronë e qeverisë dhe bashkitë nuk janë degë të Partisë Socialiste.
Një reformë serioze do ta fillonte punën me qytetarët, të dhënat dhe shërbimet. Qeveria do të publikonte popullsinë rezidente të çdo njësie, projeksionet demografike, të ardhurat e veta, transfertat, borxhet, numrin e punonjësve, largësinë nga shërbimet dhe koston për banor. Ekspertët do të matnin kohën që i duhet qytetarit për të arritur te zyra e gjendjes civile, qendra shëndetësore, shkolla, shërbimi social dhe administrata. Vetëm më pas ata do të propozonin kufijtë.
Rama e ka nisur procesin nga fundi. Qeveria diskuton sa bashki duhet të mbeten dhe cilat duhet të shkrihen, pa paraqitur ende një standard publik që provon pse një bashki mund të jetojë dhe një tjetër duhet të zhduket. Termi “masë kritike” shërben si formulë politike, për sa kohë qeveria nuk publikon pragun, formulën dhe të dhënat që e prodhojnë atë.
Sa banorë duhet të ketë një bashki? Sa të ardhura duhet të mbledhë? Sa kilometra rrugë duhet të mirëmbajë? Sa fshatra duhet të përfshijë? Sa minuta mund të udhëtojë qytetari për të marrë një shërbim? Si ndikon terreni malor? Si llogaritet popullsia sezonale në bashkitë turistike? Si kompensohet një territor me pak banorë, por me sipërfaqe të madhe?
Qeveria nuk ka dhënë përgjigje publike dhe të matshme për këto pyetje. Ajo ka dhënë vetëm drejtimin politik: më pak bashki dhe më shumë përqendrim.
Censusi i vitit 2023 numëroi 2,402,113 banorë rezidentë, rreth 420 mijë më pak se në vitin 2011. Kjo rënie kërkon rishikim të organizimit territorial, por nuk justifikon automatikisht shkrirjen e bashkive. Popullsia nuk është zvogëluar në mënyrë të njëtrajtshme. Tirana, bregdeti, zonat turistike dhe bashkitë malore përballen me probleme të ndryshme. Një formulë e vetme nuk mund të trajtojë njësoj një qytet të dendur dhe një territor me dhjetëra fshatra të largët.
Shkrirja mund të ulë numrin e kryetarëve, drejtorëve dhe vulave. Ajo nuk ul automatikisht koston e ujësjellësit, të rrugëve rurale, të transportit, të mbetjeve apo të zjarrfikësve. Në zona të largëta, bashkimi mund ta rrisë koston që paguan qytetari. Banori udhëton më gjatë, humbet më shumë kohë dhe paguan më shumë për të arritur te shërbimi. Qeveria kursen një zyrë dhe ia transferon shpenzimin qytetarëve.
Ministria e Financave raportoi për vitin 2024 të ardhura vendore prej 40.3 miliardë lekësh dhe shpenzime prej 74.4 miliardë lekësh. Pushteti vendor mblodhi vetëm 1.66 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa shpenzoi 3.06 për qind. Kjo diferencë tregon varësinë e bashkive nga qeveria qendrore. Harta nuk e zgjidh këtë varësi. Një bashki e madhe, pa burime të sigurta financiare, mbetet po aq e varur sa një bashki e vogël. Ajo vetëm administron një territor më të madh nga një qendër më e largët.
Këshilli i Europës ka konstatuar se Shqipëria u ka dhënë bashkive funksione pa u siguruar burime që përputhen me kostot reale. Pra, problemi nuk nis te numri 61. Problemi nis te mënyra si qeveria ndan paratë, transferon funksionet dhe kontrollon investimet. Rama kërkon të ndryshojë kufijtë pa ndryshuar mekanizmin që i mban bashkitë të varura nga zyra e tij.
Në këtë pikë, cinizmi i Kuçit bëhet program qeveritar. Nëse bashkia nuk ka para, Rama e zgjeron atë. Nëse nuk ka specialistë, i bashkon qendrat administrative. Nëse nuk ofron shërbime, i ndryshon emrin. Nëse qytetari humbet përfaqësimin, qeveria i premton digjitalizim. Çdo problem merr një zgjidhje hartografike, sepse harta ndryshon më lehtë se sistemi.
PS-ja fiton drejtpërdrejt nga ky përqendrim. Bashkitë e mëdha kontrollojnë më shumë buxhet, më shumë vende pune, më shumë leje, më shumë ndërmarrje dhe më shumë territor. Kryetari socialist që drejton qendrën urbane merr nën kontroll edhe njësitë periferike. Partia nuk ka më nevojë të fitojë çdo komunitet. I mjafton të ruajë shumicën në bashkinë e zgjeruar.
PD-ja ndjek llogarinë e kundërt. Ajo kërkon ruajtjen e 61 bashkive dhe krijimin e njësive të reja në territore ku mund të prodhojë shumica elektorale. PS kërkon t’i bashkojë votat aty ku dominon. PD kërkon t’i ndajë aty ku shpreson të fitojë. Njëra palë e quan përqendrimin “eficiencë”. Tjetra e quan copëzimin “afërsi me qytetarin”. Të dyja shohin rezultatin zgjedhor përpara kostos së shërbimit.
Dokumenti krahasues i dy palëve shpall përputhje të lartë në 82.5 për qind të temave. Shifra krijon përshtypjen e konsensusit, por fsheh ndarjen në çështjet që kanë peshën kryesore. Palët bien dakord se duhen financa më të forta, standarde më të mira dhe konsultime. Ato ndahen për numrin e bashkive, kufijtë, nivelin rajonal dhe sistemin zgjedhor. Pra, bien dakord për fjalët dhe grinden për territorin.
Edhe mbledhja e Kuçit ndjek të njëjtën logjikë. Kryeministri nuk ka thirrur një konferencë publike me ekspertë të pavarur, universitete, organizata të pushtetit vendor dhe përfaqësues të komuniteteve. Ai ka mbledhur kryetarët e bashkive, pjesën më të madhe të të cilëve e kontrollon politikisht. Në tryezë ulen njerëzit që mund të fitojnë territor dhe njerëzit që mund të humbasin postin. Kjo përbën negociatë brenda pushtetit, jo konsultim me qytetarin.
Reforma kërkon një proces të kundërt. Kuvendi duhet të miratojë kriteret përpara se partitë të shohin hartën. Një grup i pavarur duhet të modelojë disa variante. Qeveria duhet të publikojë për çdo variant koston, popullsinë, kohën e udhëtimit, burimet financiare, asetet, borxhet, numrin e punonjësve dhe ndikimin mbi përfaqësimin. Komunitetet duhet të japin mendim përpara vendimit. Një kontroll i pavarur duhet të provojë se kufijtë nuk ndjekin rezultatet zgjedhore.
Pa këto garanci, takimi në Kuç merr kuptimin e anekdotës. Kryeministri nuk po pyet çfarë modeli i duhet Shqipërisë. Ai po shpjegon se si Shqipëria duhet t’i përshtatet modelit të tij.
Rama e ka praktikuar këtë metodë në çdo fushë. Kur institucioni nuk funksionon, ai përqendron kompetencat. Kur pushteti vendor dështon, ai krijon një operator kombëtar. Kur administrata nuk bindet, ai ndërton një strukturë tjetër vertikale. Kur ligji krijon pengesë, shumica ndryshon ligjin. Kur territori nuk prodhon rezultat politik që kërkon pushteti, qeveria ndryshon territorin.
Një reformë territoriale duhet ta kufizojë arbitraritetin e qeverisë qendrore. Projekti që po diskutohet rrezikon ta zgjerojë atë. Bashkitë më të mëdha mund të krijojnë kryetarë më të fuqishëm, por jo domosdoshmërisht pushtet vendor më të fortë. Nëse kryetari varet financiarisht dhe politikisht nga kryeministri, zmadhimi i territorit zmadhon edhe piramidën e kontrollit.
Qytetarët nuk kanë nevojë që qeveria ta bëjë Parisin si Kuçin. Kuçi nuk ka nevojë të bëhet Tiranë dhe bashkitë nuk kanë nevojë të shndërrohen në zyra rajonale të Partisë Socialiste. Secili territor ka nevojë për kompetenca, financim, përfaqësim dhe shërbime të matshme.
Edi Rama mund t’i mbledhë të gjithë kryetarët në një lokal, mund t’u tregojë hartën dhe mund t’u caktojë fatin politik. Ai nuk mund ta quajë këtë proces reformë vetëm sepse e shoqëron me tabela, ekspertë dhe fjalorin e integrimit europian.
Anekdota e vjetër e vendoste Kuçin mbi Parisin. Projekti i ri vendos hartën elektorale mbi shtetin. Qeveria u kërkon bashkive që të mos mërziten, edhe kur disa prej tyre do të humbasin emrin, administratën dhe mandatin. Në fund, kryeministri ua jep të gjithëve të njëjtin ngushëllim:
Mos u mërzisni. Do ta bëjmë të gjithë Shqipërinë siç i duhet Edi Ramës./Pamfletireforma territoriale kuçi i vlorës edi rama gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Çfarë fshihet pas deklaratës së Vuçiçit për Ibrin? 11 Gusht 2026, 10:3010:30Editorial Çfarë po luhet mes Kievit dhe Beogradit? 10 Gusht 2026, 10:0810:08Editorial Elefanti në dhomë 8 Gusht 2026, 19:1819:18Editorial Peshku në det, tigani në zjarr 7 Gusht 2026, 10:5710:57Editorial Mesazhi i Heshtur i Gjeneralit Wendt 6 Gusht 2026, 13:3513:35Editorial Disheza e Ramës: Si familja Trump i shembi fasadën ndërkombëtare 5 Gusht 2026, 12:3612:36Editorial

