Lajme Zone
“Mos më harroni”/ Fotoreporterja që sfidoi regjimin iranian dënohet me 15 vite burg: Nuk dorëzohem dhe s’kam asnjë pendesë
BotëTop Channel

“Mos më harroni”/ Fotoreporterja që sfidoi regjimin iranian dënohet me 15 vite burg: Nuk dorëzohem dhe s’kam asnjë pendesë

“Mos më harroni”. Kjo është lutja e dëshpëruar e fotoreportes iraniane Yalda Moaiery, e cila prej më shumë se dy dekadash dokumenton jetën nën regjimin iranian, protestat, represionin dhe luftën.

“Mos më harroni”. Kjo është lutja e dëshpëruar e fotoreportes iraniane Yalda Moaiery, e cila prej më shumë se dy dekadash dokumenton jetën nën regjimin iranian, protestat, represionin dhe luftën. Tashmë, ajo vetë është bërë objekt i represionit. Në fillim të këtij muaji, një gjykatë iraniane e dënoi me 15 vite burg, me akuzën se kishte kryer “aktivitete në interes të regjimit sionist kundër sigurisë kombëtare”. Moaiery pritet ta apelojë vendimin.

Pavarësisht kërcënimit për të kaluar vite në sistemin famëkeq të burgjeve iraniane, fotoreporterja thotë se do të vazhdojë të dëshmojë për atë që ndodh në vendin e saj për aq kohë sa të ketë mundësi.

“Unë nuk jam e gatshme të punoj si një person brenda atij kuadri propagandistik. Ky është problemi kryesor. Por të gjitha intervistat e mia, të gjitha fotografitë e mia, gjithçka që kam bërë si fotoreportere… për ta është një krim. Këto janë edhe akuzat ndaj meje, përfshirë faktin që po flas me ju”, është shprehur ajo. Moaiery ka dokumentuar prej vitesh zhvillimet në Iran dhe ka raportuar nga terreni edhe gjatë protestave të mëdha kundër qeverisë. Në një intervistë të mëparshme, ajo përshkroi përmasat e protestave si të paprecedenta në përvojën e saj 25-vjeçare si fotoreportere.

“Kam parë turma të mëdha njerëzish në rrugë. Qindra mijëra persona, familje të tëra, fëmijë, të moshuar… të gjithë ishin atje”, tregoi ajo.

Por shtypja e protestave dhe vrasja e mijëra personave, sipas vlerësimeve të organizatave të të drejtave të njeriut, sollën një ndryshim të fortë në gjendjen shpirtërore të shoqërisë iraniane.

“Ka qenë një nga periudhat më të trishtuara në historinë tonë. Nuk kam përjetuar kurrë një ndjenjë të tillë. Njerëzit janë kaq të pashpresë dhe të trishtuar. Pyetja që i bëjnë njëri-tjetrit është: çfarë mund të bëjmë?”, deklaroi ajo. Gjatë konfliktit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, Moaiery vazhdoi të dokumentonte situatën nga Teherani, pavarësisht ndërprerjeve të internetit dhe kufizimeve të komunikimit. Në fazat e para të luftës, ajo tregoi se disa iranianë shpresonin që konflikti të sillte rrëzimin e regjimit.

“Duhet të jem e sinqertë. Njerëzit duan që lufta të vazhdojë, sepse kanë provuar shumë mënyra paqësore për ta ndryshuar këtë regjim”, tha ajo në atë periudhë. Por gjashtë muaj më vonë, qëndrimi i saj ka ndryshuar.

“Jo, aspak. Gjatë luftës njihja shumë njerëz që dëshironin që ajo të vazhdonte, por këto ditë gjithçka ka ndryshuar”, tha Moaiery. Sipas saj, shqetësimi kryesor i iranianëve tashmë është ekonomia.

“Shumica po mendojnë për situatën ekonomike. Njerëzit nuk mund të përballojnë as nevojat më bazë. Lufta e vërtetë është këtu. Lufta e vërtetë tani është ekonomia”, theksoi ajo.

Fotoreporterja beson se lufta, në vend që ta dobësonte regjimin, e ka bërë atë më të fortë. “Fatkeqësisht, më të fortë. Po përballemi me versionin më të keq të Republikës Islamike që kam parë ndonjëherë”, tha ajo. “Jam fëmijë i Republikës Islamike. Kam lindur disa vite pasi regjimi mori pushtetin, por nuk kam parë kurrë diçka të tillë në jetën time.” Sipas saj, regjimi është bërë “shumë më i zemëruar” dhe “shumë më i ashpër”.

Këtë ashpërsi ajo po e përjeton drejtpërdrejt. Vetëm disa orë para intervistës së fundit, autoritetet iraniane e kërcënuan se do t’i kontrollonin banesën dhe do t’i merrnin telefonat nëse do të fliste sërish me mediat ndërkombëtare.

“Disa orë më parë më kërcënuan se, nëse flisja përsëri me dikë për këtë çështje, do të vinin në shtëpinë time, do ta kontrollonin përsëri dhe do të merrnin telefonat e mi”, tregoi ajo. Megjithatë, Moaiery thotë se nuk do të tërhiqet.

“Sigurisht që kam frikë nga ajo që mund të ndodhë. Pesëmbëdhjetë vite janë një jetë e tërë. Por ky është rreziku që kam pranuar gjatë gjithë jetës sime për të treguar të vërtetën, për të qenë një gazetare dhe fotoreportere e pavarur.” “Unë nuk dorëzohem. Nuk kam asnjë pendesë”, shtoi ajo.

Rasti i Moaiery është bërë një tjetër shembull i presionit ndaj gazetarëve të pavarur në Iran.

Ajo beson se vëmendja ndërkombëtare mund të ndihmojë jo vetëm në çështjen e saj, por edhe gazetarët e tjerë që jetojnë nën regjime autoritare.

“Si gazetare, si gazetare e pavarur, ne nuk kemi asnjë lloj arme. Kemi vetëm median dhe të vërtetën”, u shpreh ajo. Moaiery përmendi edhe raste të gazetarëve dhe të burgosurve të tjerë të regjimit iranian, duke theksuar se vëmendja e mediave ndërkombëtare kishte ndihmuar në rritjen e presionit për lirimin e tyre.

Tani, ndërsa përballet me mundësinë e një dënimi shumëvjeçar me burg, ajo shpreson që historia e saj të mos harrohet.

Në fund të bisedës, ajo përcolli një mesazh të shkurtër, por të fuqishëm: “Mos më harroni.” Top Channel