Një incident i papritur ka trazuar ambientet e Komisariatit të Policisë së Sarandës rreth orës 01:30 të së martës. Një 22-vjeçar i arrestuar, i identifikuar si Devis Saliaj ka shkaktuar kaos në dhomat e izolimit pasi kërkoi të shoqërohej në tualet. Korrespondentja e Top Channel Entjola Budo, raporton se gjatë rrugës së kthimit për në dhomë, i riu ka kundërshtuar efektivët e policisë, duke goditur dhe hedhur sendet rrethanore që ndodheshin në korridor. Situata është përshkallëzuar deri në atë pikë sa edhe të ndaluarit e tjerë janë angazhuar për ta qetësuar. Më pas, me ndërhyrjen e forcave shtesë të policisë, 22-vjeçari është vënë nën kontroll dhe është izoluar sërish.
I arrestuari, me banim në Tiranë por që qëndronte me qira në Sarandë gjatë sezonit veror, u prangos në kuadër të operacionit të koduar “Vjeshta”. Ai rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, pasi është arrestuar edhe dy herë të tjera në kryeqytet. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij me qira në Sarandë, policia i gjeti dhe i sekuestroi një armë zjarri pistoletë me mulli. Top Channel

