Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që kërkon përfundimin e embargos ekonomike, tregtare dhe financiare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kubës. Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Suela Janinaj, ka abstenuar në këtë votim.
Rezoluta u miratua me 130 vota pro, 17 kundër dhe 25 abstenime, duke reflektuar mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare të OKB-së për përfundimin e kufizimeve amerikane ndaj ishullit të Karaibeve.
Dokumenti i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme kërkon përfundimin e masave që prekin marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe financiare me Kubën. Votimi shënon një tjetër qëndrim të komunitetit ndërkombëtar në debatin e vazhdueshëm mbi embargon amerikane. Abstenimi i Shqipërisë e rendit vendin mes 25 shteteve që nuk votuan as pro dhe as kundër rezolutës, ndërsa 17 vende votuan kundër saj.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për këtë çështje shprehin qëndrimin e organit më të gjerë përfaqësues të organizatës, por nuk kanë të njëjtin karakter detyrues si vendimet e Këshillit të Sigurimit. Top Channel

