34 MINUTA ME PARE Një orë përplasje në bulevard, policia zmbraps protestuesit me gaz lotsjellës dhe ujë me presion Protesta në bulevard Pas rreth një ore përplasjesh, policia ka arritur të largojë protestuesit përtej urës së Lanës, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen me gurë, por nuk kanë mundur të mbajnë pozicionet në bulevard... Pas rreth një ore përplasjesh të pandërprera mes protestuesve dhe forcave të rendit, policia ka arritur të shpërndajë turmën nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në qendër të Tiranës.
Forcat e rendit i kanë shtyrë protestuesit përtej urës së Lanës, ndërsa dhjetëra efektivë, të mbështetur nga dy automjete që hedhin ujë me presion, kanë krijuar një barrikadë për të penguar rikthimin e tyre në bulevard.
Nga ana tjetër, protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë duke hedhur gurë, por nuk kanë mundur të rezistojnë gjatë përballë gazit lotsjellës dhe ujit me presion që forcat e rendit kanë përdorur për shpërndarjen e turmës.
Megjithëse palët kanë vijuar përplasjet në distancë, deri në këto momente në bulevard nuk janë regjistruar përleshje të drejtpërdrejta si ato që kanë karakterizuar protestat e ditëve të fundit.
Protestat e studentëve, të cilët kërkojnë largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, kanë vijuar me tensione, ndërsa policia ka përqendruar forcat në kontrollin e bulevardit dhe pengimin e rikthimit të protestuesve. Grupe të vogla protestuesish, kryesisht adoleshentë kanë ndërmarrë akte të dhunshme ndaj godinës së ish-hotel Dajtit, por edhe te Piramida, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë tek kjo e fundit. Me ndërhyrjet e vazhdueshme, gjithsesi, policia ka arritur të shpërndajë një pjesë të konsiderueshme të protestuesve, që pvr t'i shpëtuar gazit lotsjellës, janë zhvendosur në brendësi të parkut "Rinia", ose në pjesën e bulevardit, pranë Ministrisë së Brendshme. 1 ORE ME PARE Pezullimi i dy efektivëve të policisë, reagon ministri Demo: Ligji do të jetë i barabartë për të gjithë Ministri i Brendshëm, Ervin Demo Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tregojnë raste të dyshuara të tejkalimit të kompetencave nga punonjës të Policisë së Shtetit. Ai ka konfirmuar pezullimin e dy efektivëve, ndërsa ka paralajmëruar masa ligjore për çdo shkelje të konstatuar.
“Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme. Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë”, deklaroi Demo.
Ministri u ndal edhe te situata e krijuar gjatë tri ditëve të fundit, duke pretenduar se Policia e Shtetit është përballur me akte të dhunshme të nxitura politikisht, ku sipas tij janë përfshirë edhe të mitur. Ai akuzoi ato që i cilësoi si “forca të errëta” se kanë përdorur militantë, mercenarë dhe minorenë për të ushtruar dhunë ndaj policisë, institucioneve, bizneseve dhe pronës private. Demo theksoi se gjatë gjithë kësaj periudhe ka kërkuar që reagimi i forcave të rendit të jetë proporcional dhe brenda kufijve të përcaktuar nga ligji.
“Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë”, u shpreh ministri.
Sipas tij, përgjegjësia ligjore duhet të zbatohet si ndaj personave që ushtrojnë dhunë gjatë protestave, ashtu edhe ndaj punonjësve të policisë që tejkalojnë kompetencat. Ministri nënvizoi se profesionalizmi i Policisë së Shtetit nuk matet vetëm me garantimin e rendit dhe sigurisë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të qytetarëve.
Në reagimin e tij, Demo iu drejtua edhe prindërve të të miturve që marrin pjesë në veprime të dhunshme, duke u bërë thirrje të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve në përplasje të nxitura politikisht.
“Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!”, apeloi ai. Fjalimi i plotë i Ervin Demos:
Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme. Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.
Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.
Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.
Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.
Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!
Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen. 1 ORE ME PARE Dhuna në protestë fs dy policë, Skënder Hita i pezullon dhe nis hetimin Pamje nga dhuna Dy efektivë të Komisariatit Nr. 3 në Tiranë janë pezulluar nga detyra pas publikimit të videove ku shfaqen duke tejkaluar kompetencat gjatë ndërhyrjes në protestë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor... Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të policisë, pas publikimit të pamjeve që tregojnë tejkalim të detyrës dhe shkelje të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në protestën e zhvilluar në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për inspektorët E. P. dhe T. Ç., të dy efektivë të Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në kryeqytet.
Vendimi erdhi menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku dy punonjësit e policisë shfaqen duke përdorur forcën në tejkalim të detyrës gjatë ndërhyrjes në tubim.
Krahas pezullimit, Skënder Hita ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë menjëherë hetimin disiplinor për të dy efektivët, me qëllim shqyrtimin e veprimeve të tyre gjatë protestës.
Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit deklaron se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të kompetencave nga punonjësit e saj.
“Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Pezullimi i dy inspektorëve dhe nisja e hetimit disiplinor janë masat e para që drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë njoftuar pas publikimit të pamjeve nga ndërhyrja në protestë. 1 ORE ME PARE Protesta e studentëve, tensione para Kryeministrisë; policia përdor gaz lotsjellës dhe ujë me presion Përplasja nisi pasi një grup protestuesish me maska sulmuan godinën e Kryesisë së Kuvendit, duke dëmtuar një dritare dhe një derë. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën...
Protesta e studentëve është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Incidentet nisën pasi një grup protestuesish me maska ndërmorën veprime të dhunshme ndaj godinës së Kryesisë së Kuvendit. Fillimisht, një protestues përdori një hekur për të dëmtuar një nga dritaret e godinës, ndërsa më pas goditi edhe një prej dyerve. Pas këtyre veprimeve, policia ndërhyri duke hedhur bombula me gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve. Më pas, forcat e rendit përdorën edhe autobotin me ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Përplasja ndodhi rreth 60 minuta pasi protestuesit ishin zhvendosur në zonën përpara Kryeministrisë. Gjatë kësaj kohe nuk pati incidente mes tyre dhe forcave të policisë.
Situata ndryshoi kur efektivët, të pozicionuar pas autobotit, avancuan drejt turmës dhe nisën ndërhyrjen për shpërndarjen e protestuesve.
Në anën tjetër protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të forta ndaj uniformave blu, duke përsëritur skenat e dhunshme të ditëve të fundit. Përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion shënoi përplasjen e parë mes policisë dhe protestuesve pas zhvendosjes së tubimit përpara Kryeministrisë. 2 ORE ME PARE “Ata kanë vila, ne mendojmë çfarë do hamë”/ Studenti në protestë: Me 500 mijë lekë rrogë nuk përballojmë as qiranë! Foto nga protesta në Tiranë Një i ri pjesëmarrës në protestën studentore ka shpërthyer në kritika ndaj qeverisë, duke denoncuar kushtet e vështira ekonomike dhe pagat e ulëta, të cilat sipas tij nuk mjaftojnë për të përballuar as shpenzimet bazë të jetesës.
Gjatë një prononcimi nga protesta, i riu u shpreh i revoltuar për situatën në vend, duke akuzuar qeveritarët se jetojnë në luks, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike.
Ai kritikoi gjithashtu përdorimin e gazit nga policia ndaj protestuesve, duke pretenduar se të rinjtë nuk po provokojnë, por po kërkojnë të drejtat e tyre.
“Nuk po provokojmë, por na hedhin gaz elefantësh dhe arinjsh. Ne nuk kemi as shëndetësi, as rrugë. Këta bëjnë sikur këtu është mrekulli e botës. Ata kanë vila, shtëpi e jetë luksi, ne mendojmë se çfarë do të hamë”, u shpreh ai.
Sipas të riut, pagat aktuale janë të pamjaftueshme për të mbuluar qiranë, faturat e energjisë elektrike, të ujit dhe nevojat e përditshme.
“Me këto rroga qesharake që as për qira, drita e ujë nuk bëjnë. Me 500 mijë lekë çfarë do të bësh? Çfarë do të hajë apo pijë një njeri? Mendojnë këta që janë bërë miliarderë dhe nuk e lëshojnë karrigen vetëm me dhunë”, deklaroi protestuesi.
I riu theksoi se pakënaqësia e tij lidhet me kontrastin mes kushteve të jetesës së qytetarëve dhe pasurisë që gëzojnë përfaqësuesit e pushtetit. 2 ORE ME PARE Nga flamingot te flakët në Tiranë, BBC zbërthen revoltën që ka përfshirë Shqipërinë Protestues Nga protestat pesëmujore të lëvizjes “Flamingo” te përplasjet e dhunshme në Tiranë dhe qytetet kryesore, BBC analizon zhvillimet që kanë vënë qeverinë e Edi Ramës përballë një vale të re pakënaqësie. Studentët kërkojnë uljen e kostove të arsimit dhe të jetesës, ndërsa akuzat për korrupsion kanë zgjeruar përmasat e revoltës… Shqipëria po përjeton një valë protestash që, sipas një analize të BBC-së, kanë marrë përmasa dhe intensitet të pazakontë për vendin. Përplasjet mes demonstruesve dhe forcave të policisë, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe përhapja e trazirave në disa qytete kanë nxjerrë në sipërfaqe një pakënaqësi që nuk kufizohet më vetëm te kundërshtimi i qeverisë së Edi Ramës.
BBC i kushton një analizë të zgjeruar zhvillimeve të ditëve të fundit, duke i lidhur protestat aktuale me lëvizjen qytetare “Flamingo”, e cila për afro 5 muaj kërkoi dorëheqjen e kryeministrit. Megjithatë, ndryshe nga demonstratat paqësore të verës, protesta e nisur të martën, më 13 tetor, ka sjellë përplasje të drejtpërdrejta me policinë dhe dëmtime të ndërtesave publike e bizneseve private.
Sipas BBC-së, demonstratat nisën si një lëvizje studentore kundër kostove të larta të arsimit universitar, tarifave të studimit, çmimeve të librave dhe shtrenjtimit të jetesës. Përfshirja e nxënësve të shkollave të mesme rriti pjesëmarrjen dhe i dha protestës një shtrirje më të gjerë se ajo që organizatorët kishin paralajmëruar fillimisht.
Përplasjet nuk mbetën vetëm në Tiranë. Protestuesit dolën edhe në Durrës, Shkodër, Korçë dhe Vlorë, duke e kthyer demonstrimin në një zhvillim me përmasa kombëtare.
BBC përshkruan skena ku protestues të maskuar goditën policinë me gurë, ndërsa forcat e rendit përdorën autobotë me ujë, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Pamjet e një të riu që transportohej i plagosur, me këmbën e thyer dhe në dhimbje të forta, shkaktuan reagime të ashpra mes demonstruesve. Ndjesat që pasuan incidentin nuk arritën ta ulnin tensionin.
Gjatë trazirave, zjarri përfshiu një kat të Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestuesit sulmuan edhe institucione të tjera qeveritare. BBC raporton gjithashtu për dhjetëra efektivë policie të plagosur gjatë përplasjeve. Por për të kuptuar përmasat e protestës aktuale, media britanike kthehet te lëvizja që nisi gjatë verës dhe që për 140 ditë radhazi organizoi demonstrata në qendër të Tiranës.
Lëvizja “Flamingo” lindi si kundërshtim ndaj projektit të një kompleksi turistik luksoz në bregdetin e Adriatikut, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Protestuesit kundërshtuan ndërtimin në një zonë me ndjeshmëri të lartë mjedisore, pranë Vlorës, duke paralajmëruar se projekti rrezikonte habitatin e flamingove. Figura e zogut rozë u kthye në simbolin e një lëvizjeje që gradualisht e zgjeroi protestën nga mbrojtja e mjedisit te kërkesa për largimin e Edi Ramës.
Sipas BBC-së, lëvizja kishte një karakter të veçantë politik. Organizatorët deklaronin se nuk kishin lidhje me partitë dhe përdornin sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur kundërshtim si ndaj kryeministrit, ashtu edhe ndaj drejtuesit të opozitës.
Në demonstrata merrnin pjesë të rinj, prindër me fëmijë dhe të moshuar. Një pjesë e protestuesve pastronin hapësirat publike pas përfundimit të tubimeve, duke kërkuar të ruanin karakterin paqësor të lëvizjes.
Por kalimi i muajve, temperaturat e larta të verës dhe mungesa e rezultateve konkrete ndikuan në uljen e pjesëmarrjes. Qeveria nuk pranoi kërkesën për dorëheqje dhe lëvizja nuk arriti të ndryshonte qëndrimin e saj ndaj projektit të kundërshtuar.
BBC ngre pikërisht këtu pyetjen nëse protestat e dhunshme të tetorit përfaqësojnë një fazë të re të së njëjtës lëvizje. Disa të rinj që morën pjesë në demonstratat e fundit i thanë medias britanike se revolta aktuale lidhet drejtpërdrejt me përvojën e protestave paqësore.
Një protestuese e quajtur Livia deklaroi se 5 muaj demonstrata paqësore ishin përballur me poshtërim, përqeshje dhe tallje nga ana e qeverisë. Sipas saj, ky reagim u kishte dhënë të rinjve mesazhin se institucionet nuk do ta dëgjonin zërin e tyre.
Një tjetër protestuese, Brunela, shprehu shqetësimin për zhvillimet që mund të pasojnë, veçanërisht për mënyrën se si qeveria dhe mediat po reagojnë ndaj demonstratave. Ajo theksoi se protesta nuk përfaqësonte vetëm qëndrimin e saj personal, por zërin e rinisë shqiptare.
Megjithatë, BBC bën një dallim të rëndësishëm. Drejtuesit e lëvizjes “Flamingo” nuk kanë deklaruar publikisht se janë bashkuar me protestat e studentëve, ndërsa nga lëvizja e re nuk ka dalë ende një përfaqësues që të flasë në emër të organizatorëve.
Kjo e bën të vështirë përcaktimin e lidhjes organizative mes dy lëvizjeve, edhe pse pjesëmarrësit dhe kërkesat e tyre mund të mbivendosen. Një tjetër element që BBC e vendos në qendër të analizës është korrupsioni në nivelet e larta të qeverisjes.
Sipas medias britanike, pakënaqësia publike është rritur paralelisht me akuzat ndaj ministrave dhe zyrtarëve të lartë. BBC përmend largimin nga vendi të një zëvendëskryeministri dhe urdhrin për largimin nga detyra të një tjetri, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.
Artikulli nuk jep në këtë pjesë emrat e zyrtarëve apo hollësi për procedurat përkatëse, por i paraqet këto zhvillime si pjesë të klimës politike në të cilën po zhvillohen protestat.
Edi Rama ka deklaruar se akuzat për korrupsion duhet t'i trajtojë sistemi i drejtësisë. Por për BBC-në, shqetësimet e protestuesve për korrupsionin përbëjnë një pikë takimi mes lëvizjes së verës dhe demonstratave të tetorit.
Ndërkohë, reagimi politik i kryeministrit është përqendruar te Sali Berisha. Pas përplasjeve, Rama vizitoi disa nga ndërtesat e dëmtuara dhe akuzoi drejtuesin e Partisë Demokratike se qëndron pas organizimit të trazirave.
Në deklaratën e së premtes, më 16 tetor, kryeministri e përshkroi dhunën si veprimtari të së njëjtës dorë që, sipas tij, kontrollon opozitën shqiptare dhe ka shkaktuar shkatërrime në vend edhe më parë.
Rama e cilësoi situatën si një përpjekje për të penguar përparimin e Shqipërisë, të nxitur nga urrejtja politike. Ai përjashtoi mundësinë e dorëheqjes, ndërsa premtoi se do të dëgjojë shqetësimet legjitime dhe do të vazhdojë drejtimin e vendit.
Por BBC shpreh rezerva ndaj pretendimit se Sali Berisha mund të jetë organizatori kryesor i kësaj vale protestash.
Media britanike kujton se Partia Demokratike ka organizuar vazhdimisht demonstrata për largimin e Ramës dhe se disa prej tyre janë shoqëruar me përplasje me policinë. Megjithatë, pjesëmarrja në tubimet e mbështetësve të Berishës ka qenë dukshëm më e ulët sesa ajo në protestat aktuale.
Për këtë arsye, BBC vëren se ekziston skepticizëm mbi aftësinë e Berishës për të organizuar një mobilizim të këtyre përmasave, edhe pse drejtuesi i opozitës mund të kërkojë ta shfrytëzojë politikisht situatën. Në këtë mënyrë, analiza e BBC-së evidenton një dallim mes protestave tradicionale të opozitës dhe demonstratave të tanishme, ku pjesëmarrja e të rinjve dhe kërkesat ekonomike e sociale zënë një vend të rëndësishëm.
Përveç akuzave ndaj Berishës, Rama ka përmendur edhe mundësinë e ndërhyrjeve të huaja.
BBC shkruan se në mediat shqiptare janë hedhur pretendime për përfshirjen e shërbimeve sekrete të vendeve të tjera. Në këtë debat është përmendur edhe Serbia, me argumentin se Beogradi mund të ketë interes të pengojë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Media britanike thekson se akuzat ndaj Serbisë nuk mbështeten në prova të paraqitura publikisht. Megjithatë, në deklaratën e tij të së premtes, Rama përdori një argument të ngjashëm, pa identifikuar ndonjë shtet konkret.
Kryeministri foli për duar të huaja që, sipas tij, nuk dëshirojnë paqen në Shqipëri dhe as anëtarësimin e saj në familjen europiane. Ai e lidhi shpërthimin e trazirave me momentet kur vendi merr sinjale pozitive për procesin e integrimit, duke deklaruar se kjo përputhje nuk është rastësi.
BBC e vendos këtë deklaratë në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Vendi konsiderohet një ndër kandidatët me perspektivë të rëndësishme për anëtarësim, ndërsa zhvillimet e dhunshme kanë tërhequr vëmendjen e partnerëve europianë.
Megjithatë, artikulli nuk paraqet prova që të lidhin protestat me ndonjë operacion të shërbimeve të huaja. Pretendimet e kryeministrit mbeten deklarata politike, ndërsa origjina dhe organizimi i dhunës kërkojnë sqarim nga institucionet përgjegjëse.
Përplasjet kanë ngritur gjithashtu shqetësime për sigurinë e vizitorëve të huaj.
BBC raporton se, megjithëse incidentet janë shtrirë në disa qytete, dhuna deri tani ka mbetur e përqendruar në zona të caktuara.
Qeveria britanike, përmes këshillave zyrtare për udhëtimet në Shqipëri, u rekomandon qytetarëve të saj të ndjekin informacionet e mediave, të shmangin demonstratat, grumbullimet e mëdha dhe tubimet politike, si dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendase.
Qeveria shqiptare ka paralajmëruar se përplasjet mund të dëmtojnë imazhin e vendit, turizmin dhe rrugën e integrimit europian.
Por analiza e BBC-së tregon se përtej dëmeve materiale dhe shqetësimeve për rendin publik, protesta ka hapur disa çështje që qeveria nuk mund t'i trajtojë vetëm përmes akuzave ndaj opozitës. Studentët kërkojnë përgjigje për kostot e arsimit dhe të jetesës. Pjesëmarrësit e lëvizjes “Flamingo” kërkuan për muaj me radhë ndalimin e projektit turistik dhe dorëheqjen e kryeministrit. Ndërkohë, akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë kanë shtuar kërkesat për përgjegjësi institucionale.
BBC nuk arrin në përfundimin se këto lëvizje kanë një drejtim të përbashkët politik apo organizativ. Por dëshmitë e protestuesve tregojnë se një pjesë e të rinjve e konsiderojnë demonstrimin e tetorit vazhdim të protestave paqësore të verës.
Kjo është edhe çështja që mbetet e hapur pas tri ditësh përplasjesh: nëse qeveria përballet me një revoltë të organizuar nga kundërshtarët e saj politikë, siç pretendon Edi Rama, apo me një mobilizim më të gjerë qytetar, ku kërkesat studentore, kundërshtimi i projekteve qeveritare dhe pakënaqësia ndaj korrupsionit janë bashkuar në të njëjtat protesta.
Deri tani, BBC evidenton pretendimet e qeverisë, rezervat ndaj rolit që Rama i atribuon Berishës dhe mungesën e provave për ndërhyrje të huaja. Ndërsa kryeministri refuzon dorëheqjen, protestuesit vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për çështjet që i nxorën në rrugë. /Përshtati Pamfleti/ 2 ORE ME PARE Përshkallëzohet protesta e studentëve, shkallmohet dera e Ministrisë së Ekonomisë dhe i vihet flaka Protestuesit kanë shkallmuar derën e institucionit, duke tentuar ta hapin atë, ndërsa më pas i kanë vënë flakën... Protesta e studentëve në kryeqytet është përshkallëzuar, ndërsa gjatë marshimit drejt Kryeministrisë është sulmuar hyrja e Ministrisë së Ekonomisë.
Protestuesit kanë shkallmuar derën e institucionit, duke tentuar ta hapin atë, ndërsa më pas i kanë vënë flakën.
Incidenti ka ndodhur gjatë zhvendosjes së protestuesve nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, pas më shumë se gjashtë orësh tubim përpara institucionit të arsimit. Flaka i është vënë derës ndërsa nuk kishte forca police që të mbrojnë godinën e institucionit. Pas disa minutave polica ka reaguar me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe ka vijuar me fikjen e zjarrit. Ndërkohë, kujtojmë se protesta e kësaj të premteje, 16 tetor, është zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të vendit, ku gjimnazistë dhe studentë kanë bojkotuar mësimin.
Në Lezhë janë raportuar përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa tensione janë regjistruar edhe gjatë tubimit përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. 2 ORE ME PARE Kush qëndron pas thirrjeve për akte terroriste? Policia gjurmon adresat IP dhe kërkon autorët jashtë vendit Pamje nga protesta Policia e Shtetit ka identifikuar kanale komunikimi në internet ku janë shpërndarë thirrje për akte terroriste dhe kërcënime ndaj jetës së efektivëve. Hetimi është shtrirë edhe jashtë vendit, ndërsa autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me agjencitë ndërkombëtare për identifikimin e personave që qëndrojnë pas llogarive anonime... Protestat e katër ditëve të fundit kanë hapur edhe një tjetër front hetimor për Policinë e Shtetit. Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e Antiterrorit dhe Hetimit të Krimit Kibernetik kanë identifikuar grupe komunikimi në rrjetet sociale, ku sipas Policisë janë shpërndarë mesazhe që bëjnë thirrje për akte ekstreme dhe terroriste.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deklaroi se në këto kanale janë konstatuar edhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
Sipas tij, autoritetet kanë regjistruar procedim penal dhe kanë nisur bashkëpunimin me agjencitë partnere ndërkombëtare për të zbuluar adresat IP, administratorët e grupeve dhe përdoruesit që kanë shpërndarë mesazhet.
Por deklarata e Ziut ngre edhe një çështje tjetër. Policia flet për thirrje terroriste dhe veprime destabilizuese, ndërsa ende nuk ka bërë publike se sa grupe ka identifikuar, cilat janë platformat e komunikimit dhe nëse personat nën hetim kanë lidhje konkrete me organizimin e protestave.
Ziu bëri të ditur se hetimet përfshijnë persona brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa strukturat e specializuara po verifikojnë qëllimet dhe veprimet e tyre.
Policia nuk ka njoftuar deri tani arrestime apo masa sigurie për këtë procedim. Po ashtu, nuk ka sqaruar nëse hetimi ka dokumentuar vetëm mesazhe në internet apo edhe përgatitje konkrete për kryerjen e akteve të dhunshme.
Policia ka konfirmuar ekzistencën e një hetimi për kërcënime dhe thirrje të rënda në hapësirën virtuale, por jo identitetin e autorëve apo lidhjen e tyre me ngjarjet e katër ditëve të protestave. 2 ORE ME PARE Studentët largohen nga Ministria e Arsimit, zhvendosin protestën në drejtim të Kryeministrisë Të rinjtë, të cilët prej orësh qëndronin të grumbulluar përpara Ministrisë së Arsimit, kanë vendosur ta zhvendosin tubimin drejt Kryeministrisë... Pas më shumë se gjashtë orësh protestë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, protestuesit janë larguar nga ambientet e këtij institucioni dhe po marshojnë në drejtim të qendrës së kryeqytetit, me destinacion Kryeministrinë.
Të rinjtë, të cilët prej orësh qëndronin të grumbulluar përpara Ministrisë së Arsimit, kanë vendosur ta zhvendosin tubimin drejt Kryeministrisë. Gjatë protestës përpara ministrisë janë raportuar edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Kujtojmë se protestat e të rinjve kanë përfshirë këtë të premte edhe disa qytete të tjera të Shqipërisë. Gjimnazistë dhe studentë në Lezhë, Shkodër, Burrel, Laç, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Dibër dhe Pogradec kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.
Në qytetet jashtë Tiranës, tubimet kanë shënuar ditën e dytë radhazi. Situata më e tensionuar është raportuar në Lezhë, ku ka pasur përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Nga incidentet raportohet se kanë mbetur të lënduar disa policë dhe një protestuese, ndërsa në drejtim të një gjimnazi janë hedhur edhe gurë.
Pas tensioneve, sipas raportimeve, forcave të policisë u është dhënë urdhër të tërhiqen për të shmangur përshkallëzimin e përplasjeve me të rinjtë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka vizituar gjatë ditës së sotme bizneset e dëmtuara nga zjarret e shkaktuara gjatë protestave të një nate më parë në Tiranë.
“Kjo flakë nuk është e studentëve, edhe këtë sprovë do ta kalojmë bashkë”, është shprehur kreu i qeverisë.
Protestat po vijojnë, ndërsa në kryeqytet vëmendja tashmë është zhvendosur drejt Kryeministrisë. 2 ORE ME PARE “Hiqeni autobotin, nuk kemi gjë me ju!”/ Protestuesi i drejtohet policisë: Problemin e kemi me qeverinë Foto nga protesta në Tiranë Një 23-vjeçar, i pranishëm mes protestuesve, i është drejtuar forcave të Policisë së Shtetit, duke u kërkuar të largojnë autobotin dhe duke theksuar se protesta e tyre nuk është kundër efektivëve, por kundër qeverisë.
Në një prononcim për mediat, i riu u shpreh se ka dalë në protestë për të ardhmen e tij dhe të motrës 13-vjeçare, ndërsa përgjegjësinë për situatën ia atribuoi kryeministrit Edi Rama.
“Hiqe autobotin se nuk kemi gjë me ju. Motra ime është 13 vjeç, po luftoj për të ardhmen e saj, jam 23 vjeç. Policia e Shtetit nuk ka faj, Edi Rama e ka fajin. Pushteti nuk mbahet me dhunë. Çfarë do bëjmë o shefi? Këtu do të jemi çdo ditë”, u shpreh ai.
Më tej, 23-vjeçari ndau edhe vështirësitë personale me të cilat pretendon se është përballur ndër vite. Ai tha se prej shtatë vitesh ka mbetur pa shtëpi, ndërsa tregoi se ka marrë medikamente për shkak të depresionit.
“Para 7 vitesh më kanë lënë pa shtëpi. Kam qenë me ilaçe për shkak të depresionit. Është shumë e keqe situata. Këtu është luftë se duan të hanë derrat”, deklaroi i riu.
Pavarësisht tensioneve, 23-vjeçari këmbënguli se protestuesit nuk kanë asgjë personale me punonjësit e policisë, duke paralajmëruar se do të vijojnë të dalin në protestë çdo ditë. protesta Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Nuk ka të ndalur revolta qytetare, tym e flakë kudo 15 Tetor 2026, 19:3719:37LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana për të tretën ditë në kaos, dhunë, zjarr e tym në çdo lagje e rrugë 15 Tetor 2026, 14:5914:59LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Dita e tretë e revoltës së rinisë, bojkoti studentor shtrihet nga veriu në jug; ‘shkundet’ politika 15 Tetor 2026, 09:5909:59LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana në “gjendje lufte”, dhuna, kaosi dhe revolta pushtojnë kryeqytetin! 14 Tetor 2026, 18:3318:33LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Studentët ndezin sërish flakë Tiranën, gurë, ujë, gaz lotsjellës dhe përplasje me policinë 14 Tetor 2026, 15:0315:03LIVE UPDATES Minutë pas minute/ "Shpërthen" revolucioni studentor, mijëra persona në këmbë kundër kastës politike 14 Tetor 2026, 11:4711:47LIVE UPDATES

