Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur akuza ndaj qeverisë së Edi Ramës për abuzim me fondet publike, duke ngritur pikëpyetje mbi tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes për blerjen e avionëve zjarrfikës. Salianji pretendon se një dokument i kompanisë EFA Ventures, një prej grupeve të mëdha të industrisë së mbrojtjes, vë në dyshim procesin e përzgjedhjes së fituesit. Sipas tij, kompania kishte ofruar tre avionë zjarrfikës Thrush 710P, në përputhje me kërkesat teknike dhe brenda buxhetit të përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes, por oferta e saj u skualifikua dhe kontrata iu dha një kompanie tjetër me një ofertë rreth 2.7 milionë euro më të lartë. “Qytetarët duhet të informohen pse përherë fitojnë kompanitë me ofertat më të larta. Ku janë sot avionët? A janë të gatshëm për të ndërhyrë në situata kritike?”, deklaroi Salianji. Ai ka kërkuar transparencë të plotë nga Ministria e Mbrojtjes për të gjithë dokumentacionin e procedurës së tenderit, duke ngritur edhe pyetje mbi kompaninë fituese dhe historikun e saj ligjor.
Sipas ish-deputetit demokrat, kur bëhet fjalë për pajisje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe pyjeve nga zjarret, çdo proces duhet të jetë i hapur dhe i kontrollueshëm.
Salianji i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të hetojë procedurën, duke e cilësuar atë si një proces që “ngre dyshime për aferë korruptive”.
Reagimi i plotë: Qeveria e Edi Ramës nuk heq dorë nga korrupsioni dhe abuzimi me paratë publike. Ministria e Mbrojtjes shpall fituese kompanine me ofertë 2.7 milion euro më të lartë ndërkohë që avionët mungojnë!
Një dokument i EFA Ventures, një nga grupet më të mëdha të industrisë së mbrojtjes, ngrenë pikëpyetje serioze mbi tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes për blerjen e avionëve zjarrfikës.
EFA Ventures ofroi 3 avionë zjarrfikës Thrush 710P, plotësisht në përputhje me kërkesat dhe brenda buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes. Oferta u skualifikua pasi u shpall fituese dhe iu dha kompanisë Air Tractor SRL me oferte 2.7 milion euro më shumë! Qytetarët duhet të informohen se pse fitojnë përherë kompanitë me ofertat më të larta? Ku janë sot avionët? A janë të gatshëm për të ndihmuar në situata kritike? Si ka mundesi qe cdo kompani fituese e qeverisë Rama ka probleme me ligjin në vendet e tjera të BE?
Rama e trajton Shqiperinë si pronë personale ku bën qoka miliona euroshe ndërkohë qe qytetaret vuajne përditshem pasojat. Ne kete rast kur cënohet siguria kombëtare dhe rrezikohet mbrojtja efektive e jetës, pronës dhe pyjeve të Shqipërisë duhet transparencë e plotë.
Ministria e Mbrojtjes ka detyrimin të bëjë publike çdo dokument të këtij procesi dhe t’u japë shqiptarëve përgjigje të plota. SPAK duhet të hetojë këtë proçes që bie erë afere korruptive. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

