Lajme Zone
Ministri Nufi: Industria e mbrojtjes, prioritet strategjik për Shqipërinë
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Ministri Nufi: Industria e mbrojtjes, prioritet strategjik për Shqipërinë

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi e cilëson zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si një prioritet strategjik për Shqipërinë.

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi e cilëson zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si një prioritet strategjik për Shqipërinë. Përmes një video-mesazhi, ai cilëson se vendi ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku industria e mbrojtjes synon të rrisë sigurinë kombëtare, kapacitetet teknologjike dhe zhvillimin ekonomik. “Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë dhe çdo hap që lidhet më të, mbetet përherë një lajm i mirë për vendin tonë. Përkundër fantazisë, trillimeve dhe akuzave politike të faktorëve që duan të ushqejnë veten dhe të mbijetojnë në rrugën që kanë humbur, sot asgjë nuk e ndal faktin se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një prioritet strategjik për Shqipërinë, prioritet, i cili është në funksion të sigurisë kombëtare, ashtu edhe të angazhimeve tona si një vend anëtar i NATO-s. Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku industria e mbrojtjes nuk e sheh më veten si një çështje e vetme sigurie, por si një mundësi strategjike për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe industrial të vendit”, u shpreh ministri Nufi. Përmes kompanisë shtetërore KAYO, thotë më tej, Ministri i Mbrojtjes, po zhvillohen aktualisht 6 sipërmarrje të përbashkëta me kompani ndërkombëtare, ndërsa në inventarin e Forcave të Armatosura kanë hyrë 40 mjetet e para të prodhuara në Shqipëri. “Nëse për shumë vite me radhë, kjo industri u trajtua si një trashëgimi “për t’u shkatërruar”, ne sot po e ndërtojmë dhe fuqizojmë atë me kapacitete drejt së ardhmes. Përmes kompanisë shtetërore KAYO, themeluar në vitin 2024, po ndërtojmë një partneritet me kompani lidere ndërkombëtare. Sot janë në zhvillim gjashtë sipërmarrje të përbashkëta – joint venture, nëpërmjet partneritetit publik-privat, ku KAYO bën pjesë. Në inventarin e Forcave të Armatosura kanë hyrë tashmë 40 mjetet e para të prodhuara dhe shumë shpejt do të fillojmë edhe prodhimin e municionit të lehtë”, theksoi më tej, ministri Nufi. Ndër të tjera, ai u ndal edhe Fincantieri Albania dhe tek prodhimi i pajisjeve individuale mbrojtëse për Forcat e Armatosura dhe institucionet e tjera të sigurisë: “Me Fincantieri Albania, falë partneritetit me një lider prestigjioz të prodhimit të anijeve, nuk po blejmë thjesht anije: po fuqizojmë aftësitë shqiptare për të ndërtuar këtu, për të prodhuar për veten dhe për të eksportuar tek vendet e tjera aleate. Pajisjet individuale mbrojtëse, për Forcat e Armatosura dhe institucionet e sigurisë, produkte që deri dje importoheshin, tashmë do të prodhohen në Republikën e Shqipërisë sipas standardit më të lartë ndërkombëtar”, nënvizoi ministri Nufi. Kjo industri, theksoi Ministri Nufi, nuk duhet të shihet vetëm si një çështje sigurie, por edhe si një mundësi për punësim, teknologji, prodhim vendas dhe zhvillim ekonomik. “Këto janë vetëm hapat e parë, hapa që pas 17 vitesh si përfituese e sigurisë së Aleancës, Shqipëria po i shndërron gjithnjë e më shumë në hapa konkretë për të qenë kontribuuese e saj faktike. Dhe ky është një fakt që duhet të bëjë krenarë të madh e të vogël; të majtë e të djathtë. Nëse për dekada me radhë, mbrojtja ishte një faturë, sot po ndërtojmë një industri specifike të lidhur më të! Një industri që prodhon siguri, teknologji, kapacitete dhe që gjeneron punësim, edhe këtu në Shqipëri garanton që kemi kapacitetet e duhura për sigurinë e vendit”, përfn mesazhin e tij, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi.