Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare diplomatike, në qendër të së cilës është nënshkrimi i një marrëveshjeje të gjerë ndërqeveritare (G2G) mes Shqipërisë dhe Izraelit. Gjatë vizitës, Sa’ar u takua fillimisht me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, me të cilin firmosi Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm. Më pas ai zhvilloi një takim me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa axhenda parashikon edhe një takim me kryeministrin Edi Rama. Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura. LEXO EDHE:'Edi Rama është një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botë", ministri izraelit nga Tirana: Ka një busull morale të palëkundur Pas takimit me Peleshin, ministri izraelit publikoi një mesazh në rrjetin social X, ku vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. "Izraeli dhe Shqipëria janë dy demokraci që ndajnë vlera të përbashkëta, sfida dhe interesa të përbashkëta, si edhe një miqësi të palëkundur", shkroi Sa’ar. Edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Izraelit theksohen marrëdhëniet mes dy vendeve, duke u ndalur edhe te mbështetja që Shqipëria i ka dhënë Izraelit kundër Iranit dhe Hamasit. "Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta. Tirana ka shprehur mbështetje për Izraelin, duke e shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) organizatë terroriste dhe duke dënuar sulmet terroriste të Hamasit", thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Izraelit. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 13:03 'Edi Rama është një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botë", ministri izraelit nga Tirana: Ka një busull morale të palëkundur Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Në fjalën e tij, ai e cilësoi Ramën një udhëheqës të jashtëzakonshme me një busull të palëkundur morale. “Shqipëria është një mike e vërtetë e Izraelit. Me zgjedhjet që do të zhvillohen në Izrael nuk është momenti më i lehtë për të udhëtuar, por ishte e rëndësishme të gjeja kohën për të vizituar Shqipërinë. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që bëri Shqipëria. Shohim sot të njëjtën qasje morale pas masakrës së 7 tetorit. Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Rama, që është, në këndvështrimin tim, një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botën e sotme. Udhëheqja e tij, bindja dhe busulla e palëkundur morale kanë vlerë përtej Ballkanit, përfshirë edhe rajonin tonë. Faleminderit për punën e pareshtur për ta çuar marrëdhënien tonë përpara. Vitin e kaluar kemi nënshkruar një marrëveshje dypalëshe për shëndetësinë. Sot do ta zgjerojmë këtë partneritet me një marrëveshje më të gjerë, duke krijuar mundësi për kompanitë tona dhe bashkëpunim më të thellë”, tha Sa’ar. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:53 'S'ka paqe pa sigurinë e Izraelit', Hoxha: Asnjë vend nuk mund të pranojë terrorizmin ndaj qytetarëve të tij Siguria e Izraelit është kusht për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Kështu u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun izraelit, Gideon Sa’ar.Hoxha dënoi sulmet terroriste të 7 tetorit dhe tha se asnjë shtet nuk mund të pritet të pranojë kërcënimin e terrorizmit ndaj qytetarëve të tij, ndërsa theksoi se dhuna ka sjellë vuajtje si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët.“Sulmet brutale terroriste të 7 tetorit, masakra e përmasave të tmerrshme ndaj njerëzve të pafajshëm, në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe në makinat e tyre, si dhe ngjarjet shkatërrimtare që pasuan, janë një kujtesë e fortë si e brishtësisë së paqes, ashtu edhe e rëndësisë themelore të sigurisë. Asnjë komb nuk mund të pritet të pranojë kërcënimin e terrorizmit ndaj qytetarëve të tij, ashtu siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme mes pasigurisë, dhunës dhe frikës së përhershme. Vuajtjet e jashtëzakonshme që kanë vijuar që atëherë kanë marrë shumë jetë të pafajshme dhe kanë lënë plagë të thella si te izraelitët, ashtu edhe te palestinezët. Ato kanë përforcuar nevojën urgjente për të garantuar, para së gjithash, sigurinë e Izraelit, por edhe për të bërë çdo përpjekje të mundshme në funksion të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Hoxha. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:52 'Po avancojmë me Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në Vlorë", Hoxha: Do të ruajnë historinë e shpëtimit të hebrenjve Shqipëria po avancon me dy projekte që synojnë të ruajnë dhe promovojnë historinë e marrëdhënieve me popullin hebre. Lajmin e bëri të ditur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun izraelit, Gideon Sa’ar.Hoxha tha se bëhet fjalë për Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në Vlorë, të cilët do të mbajnë gjallë kujtesën e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe do të promovojnë lidhjet historike mes dy popujve.“Për ta mbajtur gjallë këtë kujtesë, Shqipëria po avancon me dy projekte të rëndësishme: Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në qytetin e Vlorës. Këto institucione do të shërbejnë si qendra edukimi dhe kulture, duke kremtuar lidhjet historike mes popujve tanë dhe duke vlerësuar praninë e vazhdueshme dhe kontributin e komunitetit hebre në shoqërinë shqiptare”, tha Hoxha.Më herët në fjalën e tij, kryediplomati shqiptar kujtoi se mbrojtja e hebrenjve gjatë Holokaustit mbetet një nga kapitujt më krenarë të historisë së Shqipërisë, duke theksuar se vlera e Besës vazhdon të jetë një simbol i humanizmit dhe solidaritetit të shqiptarëve. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:49 'Dënojmë veprimtaritë destabilizuese të Iranit, Hoxha: Shqipëria do të vijojë të mbështesë paqen në Lindjen e Mesme Shqipëria do të vijojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Kështu deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun izraelit, Gideon Sa’ar.“Shqipëria mbetet e angazhuar fort për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, si dhe garantimin e sigurisë. Në këtë kontekst, dënojmë me forcë veprimtaritë destabilizuese të vazhdueshme të Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, si dhe sulmet e tij të fundit në mbarë Lindjen e Mesme, të cilat kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Duke pasur parasysh politikat dhe veprimet e Iranit kundër Shqipërisë, por edhe kundër partnerëve tanë, ne kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Gjithashtu, krahas vendeve dhe partnerëve të tjerë, Shqipëria e ka shpallur Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike organizatë terroriste”, tha Hoxha. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:45 Hoxha me homologun izraelit: Po rritet interesi i investitorëve izraelitë për Shqipërinë, turizmi është kthyer në një urë mes dy vendeve (VIDEO) Shqipëria synon të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik me Izraelin, ndërsa interesi i bizneseve dhe investitorëve izraelitë për vendin është në rritje. Kështu u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët me homologun izraelit, Gideon Sa’ar.“Partneriteti ynë po zgjerohet edhe në fushën ekonomike. Ne shohim potencial të konsiderueshëm për diversifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe na inkurajon interesi gjithnjë në rritje i bizneseve dhe investitorëve izraelitë për Shqipërinë, veçanërisht në infrastrukturë, agrobiznes, teknologji, inovacion dhe energji, por edhe në shëndetësi. Lidhjet mes njerëzve janë gjithmonë në zemër të çdo partneriteti të qëndrueshëm. Vitet e fundit, rritja e turizmit është shndërruar në një urë të rëndësishme lidhëse mes vendeve tona, duke krijuar mundësi të reja për angazhim më të madh dhe shkëmbime më të shumta”, u shpreh Hoxha. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:40 'Siguria mbetet shtylla kyçe' Hoxha me ministrin izraelit: Do ta forcojmë bashkëpunimin kibernetik me Izraelin (VIDEO) Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, rikonfirmoi vullnetin e Shqipërisë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Izraelin. “Ky moment shënon pikën më të lartë të marrëdhënieve tona. Ai jo vetëm konfirmon miqësinë e kahershme mes dy vendeve tona, por dëshmon edhe për një partneritet në rritje, që po thellohet e forcohet më tej. Sot rikonfirmuam angazhimin tonë të palëkundur, si dhe vullnetin e përbashkët politik dhe dëshirën gjithnjë në rritje për ta forcuar më tej partneritetin tonë.Sapo nënshkruam Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona.Ajo krijon një mekanizëm të strukturuar përmes të cilit vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë dhe tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën. Ajo hap mundësi të reja për institucionet tona që të punojnë së bashku dhe të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët tanë.Siguria mbetet një shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare.Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë kibernetike ka marrë një rëndësi të veçantë vitet e fundit. I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale. Që prej asaj kohe, kemi vijuar të investojmë në qëndrueshmërinë e infrastrukturës sonë dixhitale dhe do ta forcojmë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë jetike”, tha Hoxha. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:19 'Shqipëria është një mike e palëkundur e Izraelit' Gideon Sa’ar zbardh bisedën me Peleshin në Tiranë Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale pas takimit që zhvilloi në Tiranë me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.Sa’ar shprehet se ishte i kënaqur që u takua me Peleshin, ndërsa thekson se Shqipëria dhe Izraeli janë dy demokraci që ndajnë vlera, sfida dhe interesa të përbashkëta, si edhe një miqësi të qëndrueshme.“Kënaqësi që u takova sot në Tiranë, në kuadër të vizitës sime diplomatike, me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi. Izraeli dhe Shqipëria janë dy demokraci që ndajnë vlera të përbashkëta, sfida dhe interesa të përbashkëta, si edhe një miqësi të palëkundur. Diskutuam për situatën në Lindjen e Mesme, forcimin e lidhjeve ndërparlamentare dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes vendeve tona”, shkruajti ministri i Jashtëm i Izraelit në postimin e tij. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:08 Përfn takimi i ministrit të Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar me Peleshin (VIDEO) Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka përfunduar takimin me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë.Takimi vjen pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Bashkëpunimin e Përgjithshëm mes ministrit izraelit dhe homologut të tij shqiptar, Ferit Hoxha, me synimin për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.Në fokus të vizitës janë bashkëpunimi politik, siguria rajonale dhe zgjerimi i partneritetit mes Shqipërisë dhe Izraelit. Marrëveshja e nënshkruar më herët parashikon forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, tregtinë, teknologjinë, energjinë, arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë.Takimi me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, ishte pjesë e agjendës së vizitës së Sa’ar në Shqipëri, e cila synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve. A.C/Shqiptarja.com Share Ora 10:40 Hoxha takon ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar, nënshkruajnë Marrëveshjen për Bashkëpunim të Përgjithshëm Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti paraditen e sotme në një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij, ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar.Në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.Hoxha theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Izrael mbështeten në një histori të veçantë miqësie, respekti dhe solidariteti, të cilat përbëjnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.Gjatë vizitës, ministrat nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi në fushën e turizmit ka njohur zhvillime shumë pozitive vitet e fundit, duke u shndërruar në një prej sektorëve më dinamikë dhe premtues të marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë takimit, Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Izraelit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje. Në këtë kuadër, Sa’ar vizitoi ekspozitën arkivore që dokumenton traditën e njohur shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull krenarie në historinë e vendit tonë. Dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe të bashkëpunimit në të gjitha nivelet, përmes koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve, në funksion të forcimit të mëtejshëm të partneritetit Shqipëri-Izrael. P.J/Shqiptarja.com Share P.J/U.D/Shqiptarja.com TAG: Gideon Sa'ar edi rama Tirane Ferit Hoxha niko peleshi Komente Komento Sondazhi i ditës:
8 Tetor, 11:03
PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 59% Jo 34.7% Nuk e di 6.3% Vota total: 6717 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 8 Tetor, 11:03 PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?

