Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka mbërritur në Tiranë për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës pritet të zhvillojë takime me drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar. Burime për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu konfirmojnë se në axhendën e ministrit për ditën e nesërme janë parashikuar takime me kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit.
Në fokus të bisedimeve pritet të jetë bashkëpunimi dypalësh mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
Shqipëria dhe Izraeli kanë ruajtur ndër vite marrëdhënie pozitive. Lidhjet mes dy vendeve mbështeten edhe në historinë e Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët strehuan dhe ndihmuan hebrenjtë e rrezikuar nga persekutimi nazist. Top Channel

