Rajoni i Himalajeve përballet me një rrezik serioz nga përmbytjet e shkaktuara nga liqenet akullnajore, paralajmëroi një zyrtare e lartë e Kombeve të Bashkuara, ndërsa ndryshimet klimatike po përshpejtojnë shkrirjen e akullnajave dhe po destabilizojnë terrenin malor. Paralajmërimi vjen pas përmbytjeve shkatërruese të javës së kaluar në Nepal, të shkaktuara nga shembja e një akullnajeje, ku numri i viktimave raportohet të ketë kaluar 1,000.
Kani Vignaraya, ndihmëssekretare e përgjithshme e OKB-së dhe drejtoreshë rajonale për Azinë dhe Paqësorin në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), tha në një intervistë për Reuters se rreziku për komunitetet përgjatë lumenjve Himalayanë është në rritje.
“Popullsia në rrezik shkon në miliona”, tha Vignaraya, duke iu referuar të dhënave të përditësuara të mbledhura nga UNDP dhe organizatat partnere në qershor.
Sipas saj, nuk është vetëm prodhimi i energjisë hidroelektrike ai që kërcënohet. Edhe zona të tëra përgjatë brigjeve të lumenjve, ku jetojnë miliona njerëz, mund të bëhen praktikisht të pabanueshme.
“Teknologjia nuk mund të evoluojë aq shpejt sa të parandalojë humbjet përgjatë këtyre sistemeve të mëdha lumore, të cilat përballojnë përmbytjet e shkaktuara nga liqenet akullnajore”, tha ajo.
Në vitin 2020, studiuesit kishin identifikuar 47 liqene akullnajore potencialisht të rrezikshme në Nepal, Kinë dhe Indi. Që atëherë, ekspertët vlerësojnë se numri real është rritur ndjeshëm.
Përmbytja e javës së kaluar në Nepal u shkaktua nga shembja e një pjese të akullnajës pranë majës Langtang Lirung. Masa e akullit dhe dheut rrëshqiti drejt luginës, duke krijuar një valë të fuqishme përmbytjeje që përfshiu lumin Trishuli.
Ky fenomen ndryshon nga përmbytjet e shkaktuara nga shpërthimi i liqeneve akullnajore, të njohura si GLOF.
Këto përmbytje ndodhin kur uji i krijuar nga shkrirja e akullnajave grumbullohet pas një dige natyrore. Me rritjen e presionit, diga mund të çahet ose të tejmbushet, duke shkaktuar një valë të papritur dhe shkatërruese uji në drejtim të rrjedhës së lumit.
Të dyja llojet e kërcënimeve po rriten, sipas zyrtarëve të OKB-së, ndërsa ndryshimet klimatike përshpejtojnë shkrirjen e akullnajave në rajon. Kjo jo vetëm që rrit sasinë e ujit në liqenet akullnajore, por gjithashtu destabilizon shpatet dhe shkëmbinjtë dhe ushtron presion më të madh mbi digat natyrore.
Studiuesit kanë identifikuar liqene akullnajore potencialisht të rrezikshme në zona të mëdha të rajonit Hindu Kush-Himalaje.
Megjithatë, sipas Vignarayas, asnjë vend në rajon nuk është aq i varur nga akullnajat sa Nepali, si për furnizimin me ujë, ashtu edhe për ekonominë dhe të ardhurat.
“Ne përballemi me disa zgjedhje shumë, shumë të vështira”, tha ajo.
Për miliona njerëz që jetojnë përgjatë lumenjve, zhvendosja në zona më të larta mund të mos jetë një alternativë ekonomikisht e qëndrueshme.
Edhe infrastruktura kritike mbetet e ekspozuar ndaj rrezikut. Sipas UNDP-së, përmbytjet e fundit në Nepal shkatërruan 15 hidrocentrale të mëdha që ishin ende në ndërtim, përveç dëmeve në impiantet që janë tashmë në funksion.
Vignaraya tha se rrjetet e energjisë dhe hidrocentralet mund të bëhen më rezistente ndaj përmbytjeve përmes përdorimit të teknologjive të reja dhe masave më të mira mbrojtëse.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se ngjarje ekstreme, si vala e baltës dhe akullit e shkaktuar nga katastrofa e javës së kaluar, mund të tejkalojnë edhe masat më të avancuara të mbrojtjes.
“Nuk ka asnjë strukturë që do të mund ta kishte ndaluar atë”, tha zyrtarja e OKB-së. Top Channel

