Mijëra mbështetës të opozitës janë mbledhur në Delhi në një prej protestave më të mëdha kundër qeverisë së kryeministrit Narendra Modi në vitet e fundit. Tubimi, i udhëhequr nga Partia e Kongresit dhe aleanca opozitare INDIA, u zhvillua në shenjë kundërshtimi ndaj rishikimit të gjerë të regjistrit zgjedhor, gjatë të cilit janë fshirë rreth 130 milionë emra. Opozita pretendon se procesi, i njohur si “Rishikimi Special Intensiv” (SIR), po i jep një avantazh elektoral partisë në pushtet, Bharatiya Janata (BJP). Për këtë arsye, udhëheqësit opozitarë kanë kërkuar dorëheqjen e kryekomisionerit zgjedhor, Gyanesh Kumar, si dhe nisjen e procedurave për shkarkimin e tij. BJP i ka hedhur poshtë akuzat. Duke iu drejtuar dhjetëra mijëra mbështetësve, lideri i opozitës Rahul Gandhi akuzoi kryekomisionerin se ka kryer një shkelje të rëndë duke cenuar të drejtën e qytetarëve për të votuar. “Ai është përpjekur të heshtë zërin e popullit, të mbytë vendin tonë”, deklaroi Gandhi, duke shtuar se opozita nuk do të lejojë që demokracia në Indi të marrë fund. Në një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Modi, ai paralajmëroi: “Nuk ke ku të shkosh”. Protesta shënon një mobilizim të rëndësishëm të opozitës, në një kohë kur pakënaqësia ndaj qeverisë po merr sërish përmasa më të mëdha. Një rol të rëndësishëm në këtë zhvillim kanë pasur edhe protestat e të rinjve, të cilat shpërthyen gjatë verës dhe ushtruan presion mbi qeverinë, duke çuar në dorëheqjen e një prej ministrave të kabinetit të Modi-t. Lëvizja rinore, e cila në mënyrë satirike e ka quajtur veten “Buburrecat” (Cockroaches), doli sërish në rrugë muajin e kaluar për të kundërshtuar rishikimin e listave zgjedhore. Mobilizimi i saj duket se i ka dhënë më shumë kurajë edhe Partisë së Kongresit dhe forcave të tjera opozitare.
Megjithatë, mes opozitës tradicionale dhe lëvizjes së të rinjve vijon të ketë mungesë besimi. Edhe pse drejtuesit e “Buburrecave” shprehën mbështetjen për protestën e së dielës, ata nuk morën pjesë personalisht në tubim. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

